Kreu i Ballit Kombëtar, Adriatik Alimadhi ka braktisur sot mbledhjen e komisionit të ligjeve në shenjë protestë pasi nuk i dëgjohet asnjë propozim dhe kërkesë.
Alimadhi ka kërkuar të njihet me materialet e rregullores së Kuvendit, por kërkesa është injoruar nga kryetari Ulsi Manja, dhe u mbështet nga kolegë socialistë.
“S’kemi kohë të shikojmë pas, do ecim para”, tha Manja.
Ndërsa alimadhi ka vendosur të braktisë mbledhjen duk e u shprehur se “paskan bërë mirë ata që janë larguar nga parlamenti, ju nuk pranoni asnjë propozim, u jap të drejtë atyre”.
Në rend të ditës së Komisionit të Ligjeve këtë të premte është vazhdimi i shqyrtimit nen për nen të projektvendimit “Për disa ndryshime në vendimin e Kuvendit nr. 166, datë 16.12.2004 “Për miratimin e Rregullores së Kuvendit të Republikës së Shqipërisë”, të ndryshuar, si dhe shqyrtimi dhe miratimi i projekt-rezolutës “Për vlerësimin e veprimtarisë së Departamentit të Administratës Publike mbi gjendjen në shërbimin civil, për vitin 2018”.