Nga Ruben Avxhiu
Dy gjëra më ranë në sy mbrëmë gjatë ndjekjes së çakërdisur të zhvillimeve nga Turqia: Refuzimi qysh nga fillimi në çdo moment i kundërshtarëve të Erdoganit në Turqi për të përkrahur grushtin e shtetit dhe entuziasmi mes shumë shqiptarëve për atë që po ndodhte aty.
Shqiptarët nuk janë të vetmit që gëzuan. Nga Amerika, në Rusi, nga vende të ndryshme arabe e madje edhe latino-amerikane, ndjekës të zhvillimeve ndërkombëtare u gëzuan nga ideja e rrëzimit.
Erdogani adhurohet nga turq e joturq, po ashtu si shihet me përbuzje dhe mëri. Arsyet se pse nuk e duan janë të shumta. Në Egjipt ende nuk ia falin që pse ndihmoi Vëllazërinë Myslimane dhe e quajti rrëzimin e tyre një puç. Në Rusi nuk e duan për luftën kundër Asadit. Në SHBA e shohin si islamist, në një kohë kur krahu konservator amerikan është i alarmuar nga rritja e islamizmit e gërshetuar me sulmet terroriste. Këto, të gërshetuara edhe me krizën e refugjatëve kanë fuqizuar të djathtat ksenofobe në Europë.
Shqiptarët gjithashtu kanë arsyet e tyre. Disa e shohin si burim të rritjes së pranisë së Islamit në botën shqiptare. Të tjerë si një kthim të otomanizmit që kërcënon simbolet kombëtare shqiptare. Disa kanë simpati më të madhe ndaj Greqisë dhe e shohin afrimin me Turqinë si automatikisht negative. Disa janë thjesht alergjikë ndaj gjithçkaje lindore, pavarësisht nga feja dhe kombësia. Disa e shohin si mik të Edi Ramës e disa si të Berishës.
Preferencat e njerëzve janë ato që janë. Disa iu përveshën mirë njëri-tjetrit mbrëmë. Beteja në facebook mes shqiptarëve, me përjashtim tek pjesët e përgjakjes dhe jetës reale mund të jenë po aq pasionante sa energjia e parë në rrugët e Turqisë.
Mua më shpallën “edhe turkofil” edhe “turkofob” në komente në faqen e gazetës, të cilat pasi u rrotullova e u rrotullova, vendosa t’i fshi, se përveçse që skartonin njëri-tretin për “turqërinë” time, nuk ofronin ndonjë kotribut për diskutimin për ngjarjet.
Unë ua respektoj në fakt sentimentin të gjithë atyre që rreshtova lart si urues e duartrokitës të rrëzimit të Erdoganit, po nuk më duket se në shumicën e madhe të rasteve, kanë më shumë arsye se kundërshtarët e Erdoganit në Turqi, për të kërkuar rrëzimin e tij.
Mendojeni pak, aktivistë të të drejtave të njeriut që janë rrahur në rrugët e Turqisë, gazetarë që u janë burgosur kolegët dhe mbyllur mjetet e medias, opozitarë që kanë dy dekada që luftojnë kundër Erdoganit dhe AKP-së, profesorë universitetesh që u janë cënuar kushtet minimale studimore të ndershme.
Të gjithë këta njëzëri e dënuan grushtin e shtetit. Me një pjekuri të jashtëzakonshme, në momente udhëkryqi historik, llogaritën saktësisht se një grusht ushtarak mund ta dëmtojë demokracinë në Turqi shumë më tepër sesa një president me prirje autoritare.
Sigurisht, Erdogan mund të kthehet dhe avantazhin e fituar nga mundja e grushtit ta përdorë për të shtypur ata që refuzuan të bashkohen me grushtin dhe e dënuan atë. Por në sfidën e madhe për demokraci, kundërshtarët e Erdoganit e bënë detyrën e tyre ndaj kombit dhe qytetarisë, i thanë jo çizmes së pazgjedhur e të paftuar të ushtarakut që vendos të korrigjojë historinë dhe zgjedhjet e popullit.
(Megjithëse të arrestuarit mund të shkojnë në një mijë, kjo nuk ishte vërtet Ushtria e Turqisë, por një grup ushtarakësh. Të gjithë figurat kryesore të ushtrisë, me përjashtim të shefit të Shtabit të Përgjithshëm që ende nuk dihej se ku ishte kur po shkruaja këtë koment, u distancuan nga veprimet ushtarake.)
Fitorja e puçit në Turqi, sigurisht nuk do të ishte një fitore kundër islamizmit si kanë besuar disa në nxitim e sipër. Përkundrazi do të ishte një fitore për ekstreme si Al-Kaeda dhe ISIS, që u bëjnë thirrje myslimanëve që të refuzojnë luftën parlamentare e zgjedhore si betejë për pushtet.
Turqia si e vetmja demokraci funksionale në botën myslimane për gati gjysëmshekulli mbetet një nga ato shembuj që dëshmojnë se kjo është një ide që kapërcen të ashtuquajturat civilizime e mund të vendoset kudo në botë. Me të mirat dhe të këqiat e saj, Turqia është një mesazh lirie e demokracie. Me gjithë të metat e tij dhe këmbënguljen për të mos ikur nga pushteti, Erdogan ka fituar zgjedhje e përpiqet të manovrojë brenda suazës së demokracisë problematike turke. Demokracia mund të gabojë dhe do të gabojë, po ka në vetëvete mjetet e mekanizmat për ta rindërtuar veten në mënyrë që rruga e dhunës nuk do t’i ketë kurrë.
Në vizionin liberal të lirisë, ekstremistët nuk përjashtohen nga politika. Ata ftohen dhe u jepet shansi të fitojnë. Gara e tillë i shndërron dalëngadalë. Askush nuk ka premtuar që demokracia do të jetë e lehtë. Shikoni përpëlitjet në vende pionere e udhëheqëse si Amerikë e Britani. Po vizioni mbetet.
Shqiptarët që tani janë mërzitur që Erdogani nuk ra, duhet të shohin nga këta faktorë të shoqërisë turke dhe të respektojnë dhe tregojnë besim te zgjedhja e tyre. Këtë urtësi e treguan qeveritë perëndimore, përfshi edhe atë amerikane që pas konfuzionit fillestar ndoqën sjelljen e opozitës turke, duke besuar se veprimet e ushtarakëve nuk pasqyronin dëshirat e popullit turk që me kënaqësi apo jo ka pranuar zgjedhjen asnjëherë të përkryer të kutive të votimit.
Kjo thirrje për ndryshim artificial të historisë nuk është thjesht një etje shqiptare për në vendet e tjera, si Turqia. Ajo është një konstante e habitshme edhe për zhvillimin në trojet tona, nga Tirana në Prishtinë.
Është një joshje e kuptueshme dhe legjitime, por që i duhet bërë rezistencë. E them me sinqeritet që jam nga ata që nuk e duroj dot më klasën politike shqiptare dhe nuk ka qeveri që të rrijë në këmbë e të mos më duket sikur më rri në kokë. Kaq larg sa jam dhe mund ta imagjinoj pak sesi ndihen shumë shqiptarë. Po do të mbetem partizan i durimit katër vjet sesa pranimin e një rrëshqitjeje minimum 10 vjet mbrapa.
Disa mbështetës të opozitës sot shprehën keqardhjen që nuk ndodh një gjë e ngjashme në Shqipëri. Demokratët e lodhur me Edi Ramën kanë pritur, shpresuar e uruar rrëzimin e tij që në javët e para të shtatorit 2013. Kryesia e PD-së ka bërë pak që të mos bien pre e ëndrrave që nuk mund të përmbushen. Duket sikur askush nuk është imun nga dëshira për një kthesë artificiale. Populli që bindet dhe shqelmon jashtë pushtetarët abuzues.
Ky nuk është ndonjë virtyt vetëm i PD-së. Socialistët e thërrisnin Berishën, Ben Sali, për ta krahasuar me diktatorin e 40 viteve të Tunizisë, një krahasim delirant mes dy rasteve fare të ndryshme.
Shqiptarët nuk duhet të ftojnë ngjarje të tilla në tokën e tyre. Pushteti që vjen nga rruga, rrezikon të dalë nga rruga. Çdo akt bëhet praktikisht precedent dhe abuzuesit më të mëdhenj të demokracive kanë qenë pikërisht ata që kanë anashkaluar kutitë e votimit, me flamurin e mesazhit imagjinar nga kombi, në emër të të cilit flasin tashmë të gjithë.
Shqiptarët nuk duhet ta harrojnë 1997. Nëse Shqipëria nuk hyri dot në NATO e BE në vitin 2004, arsyeja duhet parë te moment, kur ramë me hundë në tokë në vitin 1997 dhe na u desh ta nisnim nga fillimi, në një kohë anarkie, pa media e pa qeveri reale, me ushtarë të huaj që na ndanin bukën e gojës që ofrohej si lëmoshë. Eh, kur ankohen për sovranitet sot, po shpërfillin atë kohë ku s’kishte më as kufij e as e një lloj grime institucioni.
Sado të këqinj të jenë pushtetarët, rrëzimi i tyre duhet të këmbëngulim që ta bëjmë në mënyrë demokratike. Ky sistem ndoshta është i tmerrshëm, po që në fund mbetet më i miri që kemi.
Kujtoj sot sesi Berisha fitoi një jetë të dytë në politikën shqiptare që e kurorëzoi me fitoren e vitit 2005, kur në shtator 1998, i rezistoi tundimit për të marrë pushtetin nga rruga. Socialistët do e shpërfillin me përbuzje këtë shembull, si për dikë që vetë e bëri e vetë hoqi dorë, po e kanë gabim. Socialistët vetë dy herë kanë bërë kompromise të ngjashme me rëndësi. Në 1997, nuk u vunë në krye të Komiteteve dhe pranuan marrëveshjen në Presidencë me Berishën, ndonëse ky kishte mbetur pa pushtet real. Ndërsa, në 2011, pas ngjarjeve të 21 Janarit, vunë kontroll mbi militantët e tyre duke vijuar me protesta paqësore. Edhe këtu demokratët do të tregojnë se socialistët i bënë këto zgjedhje nga e keqja jo nga morali i lartë. Po si në rastin e Berishës ashtu edhe atë të Ramës e socialistëve të tjerë, në vitet 90, llogaritë i kanë me historinë e Shqipërisë.
Zhvillimet nga Turqia, po edhe këto nga Shqipëria, nuk janë vetëm mësime për durimin e opozitës, por janë edhe për vetëpërmbajtjen e qeverisë. Asnjë pushtetar nuk duhet të mendojë se shtypja dhe injorimi i opozitës është garanci për mbajtjen e pushtetit. Aq më tepër në një vend të varfër si Shqipëria. Lini gjithnjë korridore të hapura, ura të padjegura, fjalë të pathëna. Fati mund t’ju habisë e do të ktheheni t’i kërkoni këto si të fundit shpresë. Mos e çoni kurrë vendin në gjendjen si në 1997, as mos ëndërroni fitore artificiale që në fakt kthehen në bumerang.
E di që të japësh mend se si duhet të veprojnë partitë shqiptare me nga njëqindmijë anëtarë është e lehtë, ndërsa zhvillimet nganjëherë janë rrokullisje me vështirësi manovrimi. Po udhëheqësit më të mirë janë vizionarët që e shohin nga larg të keqen dhe dinë t’i rezistojnë tundimit të fitores së parakohshme e zhgënjyese.
E di që kjo vetëpërmbajtje ka rrezikun brenda për çdo palë, po e mbyll me këtë shembull të fundit për t’ju nxitur sadopak:
Mendoni për atë stacionin televiziv turk, që ndonëse Erdogan kishte kohë që përpiqej që ta mbyllte, ia hapi dritaren që të mbante fjalimin e tij nga ishte fshehur për t’iu drejtuar popullit turk. Çfarë momenti i kapërcimit të ndjenjave personale për një autoritarist si ai nga njerëzit e fjalës së lire.
Dhe është e vërtetë që ndoshta Erdogani do të kthehet, e mbase do t’ua mbyllë stacionin gjithsesi, po çfarë akti i madh qytetar në një moment historik. Mbase ndryshojmë shumë nga njëri-tjetri po unë vetë do t’i kisha falur vite pushteti për një kontribut të tillë, në momentin kyç, për shoqërinë e civilizimin që ëndërroj.
/illyriapress.com/