Në konferencën për mediat, ish-kryeministri Sali Berisha u pyet sot për deklaratën e kreut të Partisë së Lirisë, Ilir Meta i cili tha se në shtator do të nisin përgatitjet për Qeveri teknike. Berisha tha se nuk është diskutuar për qeveri teknike, por Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë.
“Prej kohësh ne jemi shprehur për referendum. Jemi shprehur në disa takime. Vlerësoj edhe qëndrimin e Partisë së Lirisë për referendumet. Kushtetuta e ka humbur sensin e saj me marrjen e të gjitha pushteteve nga Edi Rama, de facto ajo ka rënë. Janë bërë ndërhyrje të shumëllojta në kushtetutë, të cilat i kanë privuar asaj zhdërvjelltësinë e parimeve të saj. Shqipëria është i vetmi vend ku qytetarët nuk mund të flasin me votën e tyre. U bë një referendum në 1994, qeveria e humbi dhe ai ishte një zhvillim pozitiv për demokracinë shqiptare. Që nga ajo kohë referendum ka bërë PD-ja gjatë këtyre muajve. Janë një seri problemesh që duhet të marrin përgjigje me referendum. Ne nuk kemi diskutuar por Edi Rama duhet të largohet një ditë e më parë. Pas largimit të kësaj qeverie, detyra më themelore është përgatitja e zgjedhjeve të lira dhe të ndershme. A do ngarkohet një qeveri teknike apo një qeveri ad-hoc, do ta zgjedhin forcat politike” – tha Berisha.