Minutat në policinë e Margëlliçit dhe letra pa përgjigje e Sonilës drejtuar ambasadës greke në Tiranë e Itali.
“Kur isha fëmijë, gjyshja ime më ka rrëfyer se ishte një mik grek nga Margëlliçi ai që e ndihmoi familjen e saj duke i siguruar ushqime, veshje dhe kafshë, ndërkohë që fshiheshin të terrorizuar nëpër male. Jo, nuk ishin banditë. Ata fshiheshin për motivet që ju fort mirë i dini e të cilat preferoj të mos i përmend tani. E më ka treguar gjyshja edhe për një tjetër mik grek nga Katavothra, i cili shoqëroi për ta mbrojtur familjen e stërgjyshit tim deri në kufi me Shqipërinë.”
Janë disa fjalë të shkëputura nga letra e Sonila Alushit, drejtuar ambasadës greke në Tiranë dhe asaj në Itali. Sonila është shqiptarja nga Çamëria që u bë personazh i dokumentarit italian “Rrënjët”, për të cilin kishte udhëtuar drejt Çamërisë për të realizuar disa xhirime.
Rrugës për në Margëlliç, në vendin e gjyshërve të saj, Sonila ishte ndalur nga policia greke bashkë me shoferin shqiptar, ndërsa pjesa tjetër e grupit të xhirimit, italianët, nuk ishin thirrur në polici. Dikriminimi i Sonilës ishte, vetëm për shkak se ajo është një vajzë me rrënjë nga Çamëria dhe policia greke me sa duket e kishte mësuar, ndaj dhe u shfaq diksriminuese ndaj saj dhe shoferit me shtetësi shqiptare.
Pas këtij incidenti, Sonila i ka shkruar këtë letër ambasadës greke në Shqipëri dhe në Itali.
Ambasada e Greqisë në Romë, Itali
Ambasada e Greqisë në Tiranë, Shqipëri
Të nderuar Zotërinj Ambasadorë
Quhem Sonila Alushi, jam 36 vjeç dhe jam një qytetare shqiptare me vendbanim në Itali prej 17 vjetësh. Por, origjina ime i ka rrënjët në Çamëri ose Thesprotia, nëse preferoni.
Po ju shkruaj për t’ju bërë të njohur një ngjarje që na ndodhi në qytezën Margariti me datë 17 Maj 2015. Gjendesha atje bashkë me stafin e televizionit italian RAI3. Kjo, sepse jam zgjedhur si protagoniste e dokumentarit “Radici” (“Rrënjët”). Bëhet fjalë për një program që realizon një udhëtim në kërkim të rrënjëve, të të afërmëve, të vendeve dhe kujtimeve të secilit prej protagonistëve. Në Margariti ekzistojnë ende shtëpitë e rrënuara të çamëve, midis të cilave, edhe shtëpia që ishte e gjyshit tim nga babai.
Gjatë xhirimive, një zotëri që u prezantua si një nga policët e zonës, na ndërpreu punën duke kërkuar ta ndiqnim për në rajon. Fillimisht reaguam me mosbesim e pasi kërkuam një dokument identifikimi, zotëria na tregoi në distancë dokumentin pa thënë emrin dhe mbiemrin e tij. Menduam se mos pa dashur kishim shkelur ndonjë ligj, madje dyshuam për ndonjë shkelje rrugore, ndaj vepruam siç urdhëroi.
Ishim të qetë dhe të disponueshëm, siç duhet kur je mik, e siç kam qënë gjithmonë në tokën e të parëve të mi. Ndaj, me siguri, do të kuptoni më së miri habinë tone, kur sapo vumë këmbën në rajon, i njëjti polic na pyeti, nëse kishte shqiptar midis nesh!
U përgjigja që unë isha shqiptare dhe në të njëjtën mënyrë veproi edhe shoferi i automjetit tonë. Dorëzuam pasaportat tona, të cilat u fotokopjuan. Kur na kërkoi ta ndiqnim në zyrën e tij për t’ju përgjigjur disa pyetjeve, normalisht u ngritëm e u drejtuam drejt saj të gjithë. Por, zotëria, me ton të shpejtë e të bezdisur, na shpjegoi me anë të një përkthyesi në shqip, që në zyrë i duheshin vetëm dy qytetarët shqiptarë! Kërkesa e arsyeshme për shpjegim rreth kësaj sjelljeje që drejtuan shoqëruesit tanë italianë, u ndoq nga një grindje që ushqeu akoma me shumë tensionin. Preferova të qetësoj miqtë e mi duke e ndjekur këtë zotëri për të evituar dhe përfshirjen e ambasadës së tyre. Në fund të fundit, duke qenë se nuk kisha shkelur asnjë ligj dhe asnjë rregull në territorin grek, nuk kisha përse të preokupohesha. Isha një qytetare e lirë në një shtet demokratik, apo jo?
Ndërkohë që bashkëudhëtarëve tanë, vini re, qytetarëve italianë u ofrohej kafeja, ne i përgjigjeshim pyetësorit të policit të Margaritit.
Desh të dinte ku kishin lindur gjyshët e mi; si quhet im atë; si quhet mamaja ime; im shoq; fëmijët e mi! Dukej, me gjithë respektin, si një burokrat i Gjendjes Civile që i duhej të më emetonte një çertifikatë lindjeje! Por, nuk qe e mjaftueshme: desh të dinte dhe ku banoj; me çfarë merrem, ku kam lindur e çfarë po bënim ne Greqi! Desh të dinte në cilën mënyrë dhe kur kishim hyrë në kufi! Desh të dinte dhe se kur kishin ndërmend të iknim nga Greqia dhe çfarë kishim ndërmend të bënim më tej! Të njëjtat pyetje i drejtoi edhe shoferit tonë! U përgjigjëm për gjithçka, të dy, me shumë qetësi.
Kërkesës time për shpjegime mbi këtë pyetësor, ju përgjigj duke thënë që: “Është një procedurë e jona zonjë. Kemi zakonin të ndalojmë e të informohemi mbi të huajt që vizitojnë vendin tonë. Është një çështje sigurie për të mbrojtur qytetarët tanë nga keqbërësit e mundshëm!”
Pra, zotërinj të nderuar, nga një grup prej pesë të huajsh, nga të cilët tre italianë dhe dy shqiptarë, vetëm ne shqiptarët u ndaluam, u studjuam dhe u pyetëm për çështje sigurie, për të kuptuar pra, nëse ishim keqbërës të mundshëm!
Ndjehem e fyer; jam e skandalizuar; jam e hidhëruar; jam e indinjuar mga sjellia e forcave të rendit të qytezës së Margaritit.
Kur isha fëmijë, gjyshja ime më ka rrëfyer se ishte një mik grek nga Margariti ai që e ndihmoi familjen e saj duke i siguruar ushqime, veshje dhe kafshë, ndërkohë që fshiheshin të terrorizuar nëper male. Jo, nuk ishin banditë. Ata fshiheshin për motivet që ju fort mirë i dini e të cilat preferoj të mos i përmend tani. E më ka treguar gjyshja edhe për një tjetër mik grek nga Katavothra, i cili e shoqëroi për ta mbrojtur familjen e stërgjyshit tim deri në kufi me Shqipërinë. Dhe gjyshi im nga ana e mamasë, më ka shprehur shpesh se sa e donte gjuhën, muzikën dhe kulturën greke. E më ka dëftuar se sa mirë shkonte me fqinjët e tij grekë dhe se sa shumë miq të tillë kishte.
Ajo që po mundohem të them është se pavarësisht fatit të mjerë që të afërmit e mi u detyruan të jetojnë, ata nuk më kanë edukuar me urrejtje, me paragjykim e me mllef kundrejt popullit grek, përkundrazi: gjuha, vallet, muzika, traditat tuaja më janë përshkruar si gjëra për t’u çmuar e për t’u dashur. Ata më kanë mësuar të respektoj njerëzit dhe vendin tuaj dhe unë kështu jam sjellë ngahera e kështu do të sillem gjithmonë.
Dhe është pikërisht për këtë motiv, për këtë borxh mirënjohjeje përkundrejt të parëve të mi, që po ju paraqes çka ju shkrova më sipër. Nuk është, për fat të keq, një ndodhi e re. Është një procedurë kjo që gëlltisin shumë prej qytetarëve shqiptarë që dëshirojnë të vizitojnë shtëpitë e të parëve të tyre në Çamëri ose Thesprotia.
Çka ndodhi në atë tokë është një dramë e vërtetë që nuk do mund të mohohet apo fshihet përgjithmonë, dhe kjo sjellie diskriminuese e disa prej përfaqësuesve të shtetit tuaj, nuk i ndihmon aspak marredhëniet e mira prej fqinjësh. Ashtu siç nuk ndihmon as turizmin shqiptar në bregdetin tuaj. Por, mbi të gjitha nuk ju ndihmon juve. Mjerisht, historia do të mbetet gjallë ngarkuar plot tmerr dhe nuk ka aspak kuptim një censurë e detyruar mbi kujtesën.
Më mirë të pranohet dhe të hulumtohet persekutimi çnjerëzor i mijëra grave, fëmijëve dhe burrave çamë. Është e vetmja mënyrë për ta përballuar e kapërcyer këtë fakt, a nuk mendoni?
Si mikeshë e popullit tuaj, këtë unë uroj. Që më në fund të shërohet fobia e të kaluarës tuaj, pa e fshehur apo shuar atë, por duke u ndërgjegjësuar, në respekt të çdo minoriteti.
Por, unë edhe mund të gaboj, ndoshta. Mbase ndalimi ynë dhe shoqërimi në polici nuk kishte fare të bënte me genocidin çam, mbase. E nëse është kështu, do të gëzohem shumë duke lexuar shpjegimet tuaja mbi çka na ndodhi në Margariti, Çamëri, Thesprotia.
Me respekt dhe miqësi të vërtetë,
Sonila Alushi
Bergamo 24/07/2015
Ka kaluar më shumë se një vit dhe Sonila nuk ka marrë ende një përgjigje. Ajo thotë për 27.al që e pret një përgjigje nga zotërinjtë ambasadorë të Greqisë.
https://www.youtube.com/watch?v=1MD4IuS3g1A&t=11s