Portali amerikan “Citizen Truth”, i ka kushtuar një tjetër artikull situatës në Shqipëri duke u ndalur konkretisht edhe tek kryeministri Edi Rama ku e cilëson si “kryeministri pa zemër për popullin e tij”.
Nga Francesca Norton
Teksa kriza politike në Shqipëri përshkallëzohet, një protestë tjetër u mbajt gjatë fundjavës në kryeqytetin e Shqipërisë, Tiranën. Dhe ishte protesta më e madhe që nga rënia e Komunizmit, tridhjetë vite më parë.
Kriza politike shqiptare arriti kulmin pasi gazeta gjermane Bild, një nga gazetat më të rëndësishme dhe më të lexuara në Evropë, botoi gjashtë biseda telefonike përgjimesh midis një bosi mafioz, një anëtari të një organizate kriminale ndërkombëtare dhe zyrtarëve të qeverisë shqiptare në rajonin e Durrësit në Shqipëri.
Në këto përgjime, kryeministri Edi Rama, kryetari i bashkisë Vangjush Dako dhe shumë të tjerë përmenden dhe përfshihen qartë në manipulimin e zgjedhjeve të vitit 2017. Në një demokraci të vërtetë, apo në ndonjë vend tjetër perëndimor, kryeministri do të kishte dhënë dorëheqjen menjëherë. Me sa duket jo në Shqipëri ku etja për pushtet tejkalon çdo kufi.
BE dhe delegacionet e tjera diplomatike në Shqipëri, duke iu frikësuar faktit se protesta mund të kthehej e dhunshme lëshuan një deklaratë në të cilën thuhej se “çdo formë e nxitjes së dhunës është e patolerueshme. Përdorimi i eksplozivëve apo çdo mjeti tjetër i projektuar për të shkaktuar dëm është tërësisht i papranueshëm”. Në fund të deklaratës së tyre ata i apeluan “të gjitha palëve të përfshihen urgjentisht në një dialog konstruktiv për t’i dhënë zgjidhje situatës aktuale politike.”
Edi Rama është autori i një krize të tillë dhe njëkohësisht edhe zgjidhja për shmangien e një konflikti civil. Një reflektim nga ana e tij dhe ndryshimi i çdo qëndrimi politik nuk mund ta bëjnë atë një hero, por mund të ndihmojë në parandalimin e kaosit dhe gjakderdhjes. Shqipëria është në zemër të Evropës, por për fat të keq për popullin e saj ajo ka një kryeministër pa zemër për popullin e tij.
/Citizentruth/