Lënia e pikave më të mëdha kufitare të vendit nën kontrollin e policisë europiane, me emrin simpatik Frontex, është një zhvillim që ndoshta meriton më shumë se sa vëmendja që po i jepet. Policët europianë do të kontrollojnë së bashku dhe me të njëjtat kompetenca me policinë tonë, çfarë hyn e çfarë del nga Shqipëria. Pra, nuk janë aty vetëm për fluksin në rritje, siç raportohet të emigrantëve, po janë edhe për trafikun e drogës, apo paligjshmëri të tjera.
Qeveria ka tendencën ta paraqesë si një afrim më shumë me BE-në. Në fakt, nëse dikush vjen në Shqipëri apo del nga pikat e Kapshticës dhe Kakavijës, kur të shohë aty oficerë belgë apo holandezë, me siguri do t’i krijohet një ndjenjë e mirë, sikur je duke hyrë ose duke dalë në një vend të BE.
Edhe nëse kjo është një lëvizje e zgjuar e Ramës në prag të negociatave, që tregon se sa gati është të bashkëpunojë e të dorëzojë sovranitet për hir të hapjes së dritës jeshile të çeljes së bisedimeve, prapë, s’ka asgjë për t’u qortuar.
Po përtej kësaj, ka diçka që nuk shkon. E sigurt është se BE nuk do të dërgonte oficerë, nuk do të dislokonte logjistikë e nuk do të shpenzonte asnjë cent në këtë kuptim, nëse Shqipëria, saktësisht qeveria, kontrollon dhe menaxhon si duhet kufijtë. Emigrantët dhe drogat e forta, që me gjasë depërtojnë në Shqipëri nga Jugu e përhapen më pas në Europë, janë tashmë një shqetësim i madh i përditshëm për kontinentin. Deklaratat dhe tërheqjet e vëmendjes kanë sigurisht efekt, por më shumë bën punë të vish vetë e t’i marrësh në dorë kufijtë.
Në këtë aspekt, vendosja e Frontex, është një konfirmim i madh, monumental, i dështimit të qeverisë në punën e saj për kontrollin e menaxhimin e kufirit. Në një farë mënyre, Rama ka pranuar se nuk e ushtron si duhet detyrën. Po nga ana tjetër, rendi në vend, shfaq përditë probleme therëse e serioze. Vjedhjet janë bërë kaq masive, gati-gati një zakon, sidomos nëpër fshatra. Ekonomia ka ngrirë. Nuk ka investime të huaja. Rrugët po jepen me koncesion e shqiptarëve po u thuhet se çdo ditë e më shumë do paguajnë taksa të reja. Taksa të reja për çfarë, që t’i marrë një qeveri që nuk bën punën?
Pra, kufijtë nuk i ruan dot, punësim nuk krijon, shpresë nuk nxit, investime nuk ka, taksa dhe tarifa të reja po, krizë e thellë politike, dhe sërish, ai që është në krye të punëve, përsërit refrenin çdo ditë, që nuk iki, se jam me mision? Nuk iki, se kam gjëra për të bërë. Jo vetëm që nuk ikën, por thotë se do të marrë akoma më shumë pushtet, duke llogaritur se do rrasë nën sqetull tërë bashkitë.
Cili qenka vallë misioni i një qeverie, që nuk bën detyrat e mësipërme?
Cili qenka misioni i Edi Ramës, nëse nuk menaxhon dot kufijtë, nëse nuk bën dot rrugët, nëse nuk ruan dot shtëpitë e fshatarëve nga vjedhjet, nëse nuk sjell dot një investim të huaj, nëse nuk krijon vende pune, dhe nëse nuk lejon zgjedhje të lira e të ndershme?
/mapo.al/