Nga Sokol Shameti
Do të flasim sot për Neronin, perandorin romak, të cilin për nga marrëzia dhe deliri i madhështisë e tejkalon ndoshta vetëm Kaligula.
Mizoria, sadizmi, ekstravaganca dhe perversiteti seksual ishin tema dominuese përgjatë 14 viteve të sundimit të Neronit.
Djegia e Romës prej tij, thjesht për qejf, për të lënë një gjurmë në histori, është fabula më e njohur ndër bëmat e psikopatit që e njohu pushtetin qysh në moshën 16-vjeçare.
Biografët e shpjegojnë këtë akt prej piromani, i cili shkaktoi djegien e plotë ose të pjesshme të dhjetë prej katërmbëdhjetë distrikteve të Romës, me zilinë e Neronit ndaj mbretit të lashtë trojan, Priamit. Historiani romak Seutonius dëshmon se ndërsa Roma digjej, Neroni këndonte “Fati i Iliumit”, një rapsodi epike që i thurte lavde rrënimit të Trojës nga grekët.
Disa të tjerë e lidhin aktin barbar, me planin për t’i hapur vend një ndërtimi madhështor të quajtur Shtëpia e artë (Domus area), ku do të ngrihej edhe një monument gjigant, rreth 30 metra i lartë, i vetë Neronit.
Megjithatë, djegia e Romës nuk është e vetmja gjurmë marrëzie që Neroni la në histori. Pesëvjeçari i tij i parë qeverisës ishte shembullor (nën tutelën e mençur të nënës së tij). Fjalimin e parë të Neronit para Senatit thuhet se e shkroi këshilltari i tij, Seneka. Aty Neroni zotohej t’i jepte fund keqqeverisjes së trashëguar nga paraardhësit, të zhdukte korrupsionin dhe të reformonte drejtësinë.
Mirëpo menjëherë më pas erdhi shkulmi i çmendurisë së Neronit. Fillimisht vrau të jëmën, vetëm sepse po e pengonte të ndahej nga gruaja dhe të lidhej me një shërbëtore.
Më pas vijuan ekzekutimet e këshilltarëve dhe anëtarëve të farefisit. Gjyqet për tradhti u bënë të rregullta. Në një prej tyre u dënua me vdekje edhe poeti Lukan. Edhe vetë Seneka u detyrua të kryejë vetëvrasje. Në fund fare erdhi martesa e Neronit me Pitagorën, një qytetar i lirë, në një dasëm publike ku vellon e nuses e mbante mbi krye vetë perandori.
Thuhet se Neroni improvizonte fushata ushtarake të paqëllimta dhe shkatërrimtare për ushtrinë, thjesht për të kënaqur egon e tij prej strategu të madh.
Në fund Senati synoi t’i japë fund marrëzisë duke e dënuar me vdekje për tradhti të lartë, por perandori nuk deshi t’ua japë këtë kënaqësi dhe kreu vetëvrasje. Gjithsesi edhe në këtë akt ai la gjurmën e vet prej të çmenduri, kur e detyroi njërin nga shoqëruesit të kryejë vetëvrasje para tij, thjesht për të krijuar një ide sesi do të ishte.
Fjalët e fundit që tha ishin: “Qualis artifex pereo!” (Çfarë artisti i madh po vdes brenda meje!).