“Unë Nexhat Merxhushi dëshmoj për historinë. Jam një i mbijetuar mes viktimave të genocidit grek ndaj shqiptarëve të Çamërisë dhe ju tregoj masakrat që pashë me sy më 27 qershor, kur isha 10 vjeç.”
Nga Klodiana Qamo
“Çamët thonë o sot, o kurrë, sa jam gjallë do ta them atë që pashë me sytë e mi, masakrën ndaj njerëzve të mi viktima të genocidit çnjerëzor të zervistëve grekë ndaj Çamërisë.”
Është thirrja e 83-vjeçarit Nexhat Merxhushi, i cili ishtë vetëm 10 vjeç, kur pa me sytë e tij mizorinë e masakrës së genocidit grek ndaj Çamërisë. I duket sikur ka vetëm dhjetë ditë që ka ardhur nga Çamëria.
Në sytë e Nexhatit lexohen të gjithë vuajtjet e një populli që kaloi një ndër masakrat më makabre të shekullit që shkoi. “Mosha nuk më pengon, ishalla Zoti më jep akoma edhe disa vite, jo për vete, por për Çamërinë. Këtu kam parasysh Atë Zef Pllumin me “Rrno për me tregue”, thotë Merxhushi duke theksuar se të drejtat e shqiptarëve të Çamërisë nuk mund të shtyhen për më vonë.
Merxhushi e kalon pjesën më të madhe të ditës duke studiuar për Çamërinë. Mbi tavolinën e punës pashë dokumente, fotografi e libra që ia ka dedikuar Çamërisë së tij, por Merxhushi nuk ka kohë për të humbur, po bën gati të tretin, megjithë kufizimet e pashmangshme të moshës që nuk e reflekon aspak.
(Librat e botuar nga Nexhat Merxhushi)
Edhe pse 83 vjeç, ai sot ka forcën, mendjemprehtësinë dhe dëshirën që të angazhohet për t’u transmetuar brezave historinë tragjike të popullit që e bënë të huaj në vendin e tij.
“Nuk bëhet historia jonë pa i bërë llogaritë me dëshmitarët e gjallë. Unë jam një prej tyre, një i gjallë mes viktimave të shumta të zervistëve ogurzi”, tregon ai.
Vetëm pak ditë na ndajnë nga përvjetori i larë me gjak i brengës çame. Më 27 qershor 1944 Greqia dëboi shqiptarët e Çamërisë nga toka e tyre. I vrau në format më mizore, kryesisht me armë të ftohta, që tortura të zgjaste sa më shumë. Trupa që mbetën rrugëve dhe të tjerë fatlumë, fatkeqë që mbijetuan pasi panë humbjen e familjarëve të tyre, ishte pamja që Merxhushi e shumë fëmijë të tjerë kanë të fiksuar në mendje, përjetësisht.
“Unë nga ana ime si dëshmitar i gjallë nuk mund të lë pa përmendur gjyshen time Safije Merxhushi, që pasi e rrahën e tërhoqën zvarrë deri te shtëpia burg e Sali Hafuzit ku pas 2-3 ditëve vuajtje ndërroi jetë. Nuk mundem të harroj xhaxhain tim Omer Merxhushi që i ranë me kondakun e pushkës duke e lënë të vdekur në vend. Nuk mund të harroj ulërimat e grave të reja dhe vajzave të bukura çame të mbyllua në shtëpinë e Sulo Tarit vetëm për një natë, se të nesërmen i çuan në shtëpinë burg, aty ku zervistët bënë ç’deshën me këto gra fatkeqe. Ulërimat e tyre si një iluzion i sjell në mendje edhe sot. Nuk mund të harroj kurrë kur dy zervistë sollën sytë e vëllezërve Gani dhe Abedin Bako, sytë i kishin mbështjellë në një shami. Motrave Harjie dhe Meka që ishin në shtëpinë burg u ra të fikët”, rrëfen Nexhat Merxhushi.
Por masakrat kanë nisur para këtij genocidi. Të vrarët duhen kërkuar në të gjitha ato vite që Greqia bëri gjithçka për të shuar një popull autokton në trojet e veta.
“Në vitin 1943 vranë djalin e xhaxhait tim Haki Merxhushi, 25 vjeç. Ai ishte fejuar dhe i ishte caktuar data e dasmës. E pse u vranë këta dhe mijëra të tjerë në Çamëri Zoti Kotzias? Për hiçgjë! Se ishin myslymanë dhe kryesisht shqiptarë që u etiketuan si turko-çam ose si mbeturina të Islamit në Greqi”, tregon Merxhushi i cili ka një merak, t’u flasë grekëve me gjuhën e tyre.
Ai thotë se qeveritarët e shtetit Helen dhe Kisha Ortodokse Greke duhet ta dinë se ishin zervistët që bënë krime dhe bashkëpunuan me okupatorin dhe jo çamët.
Të pafajshmit u akuzuan nga fajtorët dhe vuajtën pasojat e krimeve që kurrë nuk bënë. E Merxhushi thotë se këtë e dinë edhe grekët.
“Autori grek Niko Zhango në librin e tij “Imperializmi Anglez dhe lufta e popullit grek për liri” thotë: ‘Nuk është e mundur të jepet numri i saktë i shqiptaro-çamëve që u ekzekutuan nga zerviztët në grupe ose veçmas… Më datë 27 qershor, ditën e martë mbasdite u përhap në shtëpitë e Paramithisë një hije e zezë… Do të na duhet të na vijë turp për të gjitha ato që nuk ngjajnë me krenarinë e popullit grek. Thirrjet e grave dhe të fëmijëve nuk përputhen me zemrën e madhe të popullit të Epirit”, thotë Merxhushi, ndërsa thekson se në librin që ai do të botojë së shpejti do të gjendet dhe lista e të vrarëve që auotri grek citon.
Si fëmijë i përmallur për oborret e Çamërisë ku ishte rritur, e kishte vizatuar hartën e saj, ashtu siç ai e dinte. E ka edhe sot një fotografi të atij vizatimi. Gjendet në mesin dokumenteve që ai i mban si kujtime të çmuara të një kohe sa të largët aq të afërt. Një hartë e vizatuar me dorë. Imazhin e fundit të tokës mëmë e pati në moshën 10-vjeçare dhe prej kujtimeve të atij momenti Merxhushi ka mundur që pas 60 vitesh të hedhë në letër atë që ka memorizuar kur ishte fëmijë.
Sa do ai ta shohë edhe njëherë atë tokë… Ndoshta për të shtuar në hartë diçka që mendja e një 10-vjeçari e ka anashkaluar por mbi të gjitha për të qenë në trojet e të parëve të tij, që ishin fajtorë vetëm se ishin shqiptarë.
Prej vitesh tenton të shkojë në Çamëri, por e ka të ndaluar sepse e ka të shënuar në pasaportë vëndlindja Çamëri.
Hera e fundit kur Nexhat Merxhushi pa shtëpinë e tij ishte viti 1993. Ngjarjet politike të asaj kohe dhe fakti që ai kishte pasaportë shërbimi i mundësuan të vizitojë shtëpinë tij që tashmë mund ta shohë vetëm në fotografi.
Një atdhe i mbetur në mërgim duke qenë në tokën e tij. Kjo është Çamëria.
Një shtëpi e ngujuar në fotografi, të cilës s’ia lyen dot muret. Kjo është Çamëria.
Shqipëria, kjo është Çamëria.
(Djathtas Fejzo Baki, u mësonte çamëve shqip)
(Nexhat Merxhushi 9 vjeç, me xhaxhain e tij ushtar)
(Qafë Suli, vendlindja e gjyshërve të Zervës)
(I dyti, Hajri Jakupi, Nexhat Merxhani mbajti në shtëpi nënën e tij për 30 vite pasi mësuan se ajo ishte kujdesur për gjyshen e tij para se të vdiste)
(Shtëpia e Nexhat Merxhushit, fotografuar në vitin 1993)
(Kulla e Ballabatëve e kohës Veneciane, e pa rikonstruktuar, ndërtuar në vitin 1200)