Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

Bursa, suksesi i radhës i Ministrisë së Qametit

Nga 27.al 0

Nga Klodian Tomorri

Java e kaluar ishte e ngjeshur me ngjarje politike.

Zëdhënësit e Qametit baltosen pa të drejtë projektin e rrugës Milot-Fier duke i hyrë në hak qeverisë që stërmundohet për të mirën dhe interesin publik.

Dëgjova me vëmendje sqarimin e ministres së Infrastrukturës Belinda Balluku nga foltorja e Parlamentit. Nga argumentet që ajo shtroi kuptova se në Ministrinë e Infrastrukturës këto 18 muaj është bërë me shumë punë se sa kanë bërë të gjitha qeveritë e tjera së bashku që nga koha e Ismail Qemalit.

Kuptova gjithashtu se projekti i rrugës Milot-Fier është një sukses i paprecedentë, ashtu si Unaza e Tiranës, bypass-i i Vlorës, Thumanë-Kashar, Rrogozhinë-Qafë e Koshovicës, tuneli i Llogorasë, hidrocentrali i Skavicës dhe çdo vizatim tjetër 3D me targën e Rilindjes. Argumentet ishin aq bindës, saqë gati-gati edhe vetë u ndjeva në faj që kisha dyshuar në punën dhe qëllimin e mirë të qeverisë.

Por, pikërisht në atë moment m’u kujtua diçka tjetër. Ditën që ministrja e Infrastrukturës merrej me zëdhënësat e Qametit, ministria e saj po i linte peshqesh shqiptarëve një tjetër kiamet; rrënimin përfundimtar të tregut të energjisë.

Në 29 qershor Ministria e Energjisë, hapi ofertat e tenderit për përzgjedhjen e aksionarëve për Bursën Shqiptare të Energjisë. Tenderi ishte një dështim total dhe oferta e vetme që u paraqit ishte ajo e KOST-it, operatorit kosovar të transmetimit. Por, përtej dështimit të Bursës, surpriza më e hidhur ishte largimi përfundimtar i gjigantit norvegjez Nord Pol nga Shqipëria. Edhe kjo një arritje tjetër e paprecedentë që nga koha e qeverisë së Ismail Qemalit.

Dështimi i Bursës është gozhda e fundit në arkivolin e sistemit energjetik të vendit. Një mall që nuk ka treg, nuk tregtohet. Ose tregtohet me çmime abuzive.

Mijëra biznese që kanë dalë apo do të dalin nga furnizimi shtetëror me energji, do të jenë skllevër të kontratave dypalëshe dhe asnjëherë nuk do ta kenë të sigurtë furnizimin me energji ose në rastin më të mirë do ta blejnë shtrenjtë atë. Investimet e pakta të mëdha dhe serioze në vend si hidrocentrali i Banjës dhe Moglica të realizuara nga gjiganti norvegjez Statkraft, do të mbeten peng duke dhënë sinjale negative tek investitorët e ardhshëm potenciale. E gjitha kjo për shkak të paaftësisë së qeverisë shqiptare për të krijuar bursën ose mungesës së dëshirës për të hequr dorë nga tenderët e energjisë.

Me gjasa dështimi i bursës kërkon shpikjen e sabotatorëve të rinj ose zëdhënësa të tjerë të qametit. Në vitin 2015, Shqipëria ishte vendi i parë në rajon që nisi krijimin e Bursës se Energjisë. Por, sot është zyrtarisht i vetmi vend pa bursë në Ballkan. I njëjti Nord Pool që u largua nga Shqipëria, sapo ka përfunduar me sukses ngritjen e bursës ne Malin e Zi. Maqedonia po ashtu është në fazën finale të krijimit të platformës së tregtimit të energjisë.

Bursa ishte mundësia më e mirë për liberalizimin e tregut të energjisë në vend. Një treg i liberalizuar sjell likuiditet për sektorin, por edhe çmime më të ulëta për konsumatorët. Por, bursa dështoi, ndërsa sektori energjetik vazhdon rrënimin e pandalshëm financiar. E gjitha kjo vetëm që qeveria më e mirë që nga koha e Ismail Qemalit të mos privohej nga tenderët e energjisë.

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej