Një projektrezolutë e hartuar nga deputetët Ben Blushi e Mimoza Hafizi, i kërkon sot Asamblesë Kombëtare të PS-së, një kopje të listës së zgjedhësve në referendum, kopje të procesverbaleve, kopje të listës së pjesëmarrësve dhe të tabelës së rezultateve. Blushi e Hafizi akuzojnë drejtuesit e PS-së për manipulim të procesit të votimit dhe të numërimit të votave në referendumine 9 prillit ku u rikonfirmua Edi rama në krye të PS-së.
Pikat e projektrezolutës janë: Të ketë në dispozicion një kopje e listës së zgjedhësve të përgatitur nga KZP, mbi bazën e të cilës u zhvillua referendumi i datës 09.04.2016; T’i jepen në dispozicion kopjet e listave të pjesëmarrësve në procesin e votimit për çdo vendvotimi të ngritur, me nënshkrimin e secilit përbri, në referendumin e datës 09.04.2016; T’i vihet në dispozicion kopja e procesverbaleve të hartuara nga çdo Komision i Vendvotimit dhe i Numërimit të Votave për nxjerrjen e rezulatit për çdo vendvotimi të ngritur në referendumin e datës 09.04.2016; T’i garantohet një kopje e tabelës së rezultateve të hartuara nga KZP dhe e procesverbalit të KZP për shpalljen e rezultatit të referendumit mbajtur më datë 09.04.2016