Nga Artan Fuga
Solidariteti, keqardhja, vlerësimi, shqetësimi im shkon për turistët e huaj dhe ata shqiptarë që në “Betejën bregdetare të Golem – Qerretit” dje u kapën në kurthin e “betejave” dhe “marrëzive” tona shqiptaro-shqiptare, shkon te punonjësit dhe operatorët, mijëra e mijëra, pronarë, shitës, agjentë turistikë, zhvillues të turizmit familjar, etj., aktorë socialë të turizmit shqiptar që janë kapur në kurth nga politikat publike tridhjetvjeçare të gabuara, korruptive, selektive, të turizmit, mediave dhe kulturës shqiptare, shkon te ata nëpunës publikë që kërkojnë hapësira jo për të dëmtuar dhe hakmarrë ndaj këtij apo atij, por të gjejnë rrugën e nderit që të zbatojnë shtetin ligjor, ndërkohë që përdoren si militantë.
Mbi të gjitha, respekti, përkrahja, mendimet më të larta, detyrimet, më shkojnë veçanërisht te gazetarët shqiptarë, te ato vajza dhe djem të shkëlqyer që pasi kanë marrë të gjitha dijet e duhura në nivel të lartë në Universitetin tonë, kanë ambicie, ëndrra, bëjnë çmos të zhvillojnë gazetarinë dhe informacionin masiv për qytetarët dhe opinionin publik nëpërmjet mediave shqiptare si atyre lineare dhe atyre online.
Këta janë heronjtë dhe viktimat e mëdha. Ata janë kapur midis tre “fushave” të bashkëveprimit, midis aleancave dhe armiqësive, midis kompromiseve dhe rivaliteteve, midis ujdive dhe çakërdive, midis të vërtetave dhe manipulimeve, midis sherreve dhe festimeve, midis qejfeve dhe inateve, midis symbylltësisë dhe lëshimeve, midis shkeljeve të syrit dhe shkeljeve të gishtave të këmbës, të tre aktorëve socialë:
- Midis politikanë dhe politikanëve
- Midis politikanëve dhe pronarëve të mediave
- Midis pronarëve të medias që në një çast janë shërbëtorë të qeverisë, asgjë më shumë, dhe pronarëve që në një çast të caktuar pozicionohen kundër saj. Dhe vice-versa!
E kuptoni tani se fajin nuk e kanë gazetarët! Imagjinoni tani një djalë dhe vajzë ta zemë të ardhur nga mjedise qytetare modeste, a nga zonat rurale, që del me ëndërra nga shkolla, se çfarë pengesash ka në ushtrimin e profesionit! Cfarë heroizmi të përditshëm duhet të tregojë pa bërë zë, se e flakin si qen në rrugë, çfarë dinjiteti të brendshëm duhet të ushqejë, çfarë qendrueshmërie morale i duhet, kur me rroga qesharake, pa status, në një mjedis ku njeriu ha njeriun, të zhvillojnë informacionin për ne, për ju!
Ata janë heronj të përditshëm!
Edhe për një raportim të thjeshtë në fakt u duhet të hypin si te legjenda e Kodrës së Kuqe jo ende mbi tanks, por me gjoks mbi fadromë për të thënë të vërtetën!
Pa e zgjatur shumë: Pa një reformë tërësore të mediave, të marrëdhënieve midis politikës dhe mediave, pronësisë dhe mediave, pa një transformim rrënjësor të ligjeve për turizmin, kulturën, arsimin, median, ne jemi të kapiur në kurthin e betejave bregdetare të tipit “Golem – Qerretit”?
Poqese nuk e kuptuat në dreq të vejë gjithçka! Por, mos thoni se nuk dimë! Mjafton një hapje sysh te ato mijëra faqe studime dhe mijëra të dhëna, qindra rekomandime, që përfshijnë dhjetra e dhjetra studimet e Departamentit të Gazetarisë dhe Komunikimit të Universitetit të Tiranës, dhe do të gjeni brenda një jave gjithçka që duhet bërë përtej llafeve opozitare që janë të tipit “Mbreti vdiq, të rrojë mbreti”, përtej hartimeve dhe ngashërimeve hipokrite të disa intelektualëve që tjetër thonë dhe tjetër bëjnë, përtej propozimeve fluturake në takime karrigesh pa qytetarë, përtej frymës fataliste që përhapin shërbëtorët pa dinjitet dhe të ndyrë të çdo pushteti që gjendjen e batakut, të baltës, ose e paraqesin si dëborë të bardhë, ose si një e keqe që na pllakosur pa rrugëdalje si tërmeti, kovidi, kurthi i Ukrahinës, apo murtajat në Mesjetë!
Poqese nuk e punojmë ngastrën thellë, jashtë propagandave, rivaliteve që nuk kanë të bëjnë me kauzat qytetare, ne si qytetarë, si nëpunës, si pronarë në fushën e turizmit, si media, si gazetarë, si intelektualë, si njerëz nuk do të shohim dot që nga kryqet ku na kanë varur veçse beteja navale ose bregdetare si ato të
“Qerret – Golemit”! Pikërisht atje ku në kodër mijëra vjet më parë zhvilloheshin betejat midis Pompeut dhe Cezarit, atje mo, ku sot është lokali “Kodra e Kuajve”!
Viheni vëth në vesh këtë dhe mos bërtisni kot : Ku janë intelektualëëëët!
Ndryshe në media nuk do të keni veçse propagandë dhe shplarje trush, kurse në vend të turizmit do të kemi sulme me fadroma që më dukeshin si beteja me tankse dhe amfibe, zëvendësuar me karrotreca, kombajna dhe fadroma, i aleatëve në bregdetin e Normandisë gjatë Luftës së Dytë botërore!