Nga Lutfi Dervishi
Libri “Zjarr dhe Furi” ka ngjallur shumë debate dhe është bërë më i shituri brenda ditës, falë edhe reagimit rrufe të Shtëpisë Bardhë dhe vetë Presidentit Trump. I nisur për 100 ditët e para të presidencës, por i “vënë” para nga stuhia e ngjarjeve, libri bazohet në intervistat e autorit me Presidentin dhe stafin e tij ngushtë, gjatë 18 muajve.
Askush nuk ishte përgatitur për fitoren. 10 javë para zgjedhjeve, distanca në sondazhe mes Hillary Clinton dhe Donald Trump ishte e paimagjinueshme për t’u përmbysur. Fitorja i gjeti të papërgatitur fituesit.
Lëvizjet e shpeshta e të befta të zyrtarëve të lartë të Shtëpisë së Bardhë, “çështja ruse” dhe vendimet e diskutueshme të javëve të para të Presidentit, shihen në kontekstin e mungesës së përgatitjes për të qeverisur.
Pas marrjes së pushtetit nga Trump, thelbi i librit mbetet beteja për pushtet mes dy grupeve rivale: familja përballë Steve Banon (ish-shefi i strategjisë dhe truri i finishit të suksesshëm zgjedhor).
Banon kërkon që Trump të mbetet Trump. I paparashikueshëm, armik me median tradicionale, figurë polarizuese dhe bën çmos që agjenda fushatës: emigracioni, tregtia, ngrohja globale… të jetë në qendër të vëmendjes. Banon kërkon që Presidenti të mbetet lojtari jashtë sistemit që ka ardhur në Uashington për të tharë moçalin dhe për të shkundur elitën. Banon nënvizon se Uashingtoni është një qytet institucionesh dhe autori i librit thekson se ky qytet është ndërtuar për të bezdisur dhe jo për të rehatuar Presidentin.
Përballë Banon është “Familja”. E bija dhe dhëndëri. (E munguara e madhe në libër është Melani Trump. Përjashto një paragraf në kapitullin e parë, zonja e parë pothuaj nuk shfaqet). E bija dhe dhëndëri, të dy me pozicione zyrtare në Shtëpinë e Bardhë kërkojnë që Trump të bëhet “President”, të jetë figurë unifikuese, dhe të dalë nga politika izolimit. Këtu është me interes, roli i 94-vjeçarit Henry Kissinger, ish-sekretari i shtetit i Richard Nixon-it, në përgatitjen e takimeve të nivelit të lartë me Kinën dhe Rusinë. Po ashtu, edhe afrimi i Tony Blair, për çështjet e Lindjes së Mesme.
Dallimi mes dy filozofive shfaqet qartë në dy fjalimet e Presidentit. Fjalimi inagurues (nën ndikimin Banon) më 20 janar 2017 dhe fjalimi para seancës së përbashkët të Kongresit, më 28 shkurt 2017.
Beteja për të fituar Trump-in (familja) dhe Trampizmin (Banon) sot ka një fitues të qartë: familjen!
Por, “lufta” nuk ka mbaruar.
Mospërgatitja për të ardhur në pushtet mund të shpjegojë edhe gafën me rusët të stafit të Trump-it, gjatë fushatës dhe përplasjen e beftë me gjykatat dhe sistemin, në lidhje me vendimin për të bllokuar me vendim ekzekutiv ardhjen e emigrantëve në SHBA.
Ndikimi rus në zgjedhje është “ariu i (pa)dukshëm” që shqetëson Presidentin Trump. I ardhur nga bota e biznesit dhe spektaklit, i mësuar për të kryer punë në stilin “u tha, u bë”, Presidenti e ka të vështirë të pranojë faktin që, anëtarë të familjes së tij mund të vihet nën hetim.
Sapo hetimi artikulohet më 20 mars të 2017 nga drejtori FBI-së Comey, në një seancën në Kongres, përkundër këshillës së drejtorit të kabinetit dhe Steven Banon, me këmbënguljen e familjes Presidenti shkarkon drejtorin e FBI! Ky është momenti shekspirian, kur Banon thotë: vajza do të marrë me vete të atin!
“Ndikimi rus në zgjedhje është lajm i dorës tretë, por nëse shkarkon drejtorin e FBI, do të bëhet lajm i parë në gjithë botën”, e këshilloi Banon, Presidentin. “Nuk mund të shkarkosh FBI-në.”
Presidenti i zemëruar paralajmëron edhe shkarkimin e Prokurorit të Përgjithshëm, Session, që sapo e ka emëruar për shkak se ky, “në konflikt interesi”, heq dorë nga hetimi për ndikimin rus. (Session, dhëndri Kushner, djali i Presidentit, dhe ish-këshilltari për sigurinë kombëtare, Flynn, kanë zhvilluar takimin në Kullën Trump me rusët, gjatë verës së 2016, për marrjen e informacioneve që do të dëmtonin në fushatë Hillary Clinton-in).
Zëvendësprokurori i përgjithshëm, një burokrat karriere, e heq “pataten e nxehtë” duke “tërbuar” akoma më shumë Presidentin. Ai cakton një prokuror të posaçëm për hetimin, ish-drejtorin e FBI-së, Muller. Hetimi që po bëhet për këtë çështje, nga prokurori i posaçëm, kongresi dhe senati për “ndërhyrjen ruse”, është problem, për të cilin flitet më pak, por është edhe momenti i ndarjes së dy miqve, dikur për kokë: Trump- Banon!
“Në do të bësh një armik të vërtetë, zgjidh mikun më të ngushtë që ke. Ai di, ku do të godasë më mirë”. Kjo thënie, i shkon për shtat miqësisë së ish shefit të strategjisë dhe Presidentit.
Beteja e vërtetë e Trump është beteja për vëmendje. Ai kërkon ta duan pa kusht. E njeh median dhe fuqinë e saj. Banon e këshillon që me median (sidomos tradicionalen) nuk duhet të bëjë përpjeke t’i ketë miq. Vetë Trump, ndihet i bezdisur, kur media shkruan për “Presidencën Banon”.
Foto e këshilltarit të tij në kopertinën e “Time” nuk gëlltitet lehtë nga Presidenti. Në fillim të fushatës për President ai shkarkoi Roger Stone, njeriun që i propozoi publikisht që më 1988 të shpallë kandidaturën për President. Stone tha se dha dorëheqjen, por pranoi se mosmarrëveshja kishte të bënte me aksesin dhe daljet e shpeshta të tij në media.
Trump nuk jeton dot pa televizionin. Kërkesa e tij e parë për dhomën e gjumit është t’i sjellin dy televizorë të tjerë me ekran të madh.
Për jetën në Shtëpinë e Bardhë kanë “rrjedhur” shumë lajme. Autori i librit thotë se “rrjedhësi” më i madh është vetë Presidenti. Çdo pasdite, në telefonata të gjata me miqtë e tij flet për stafin, për pakënaqësitë që ka dhe për vendimet që do të marrë.
Libri është pasqyrë e sfidave të një Presidenti me ambicie të mëdha, me ego edhe më të madhe, dëshira e të cilit është të merret (vetëm) me gjëra të mëdha.
Sfida është një njeri përballë një sistemi, përballë gjyqësorit, shërbimeve inteligjente, vetë qeverisë, përballë moçalit të firmave ligjore, konsulentëve e lobistëve. Eshtë njeriu që ngadhnjeu, ngaqë politikën nuk e pa si art të kompromisit, por si art të konfliktit, ku fituesi i merr të gjitha dhe humbësi humb gjithçka.
Me emërimin në korrik të 2017 të gjeneralit në pension Kelly si drejtor kabineti dhe largimin tre javë më pas nga Shtëpia e Bardhë të Steven Banon, duket se në Shtëpinë e Bardhë është rikthyer rregulli.
A do të munden tre gjeneralët (ministri mbrotjes, këshilltari për sigurinë kombëtare, dhe drejtori kabinetit) të mbajnë nën kontroll, egon e njeriut që kërkon të bëjë gjëra të mëdha?
Presidenti dhe mbështetësit mburren për tërheqjen e SHBA-së nga Marrëveshja e Parisit për Klimën, për reformën në sistemin e taksave, dhe sidomos për rritjen ekonomike të SHBA.
Pas Vitit të Ri u duk se një tweet për Korenë e Veriut: “Bën mirë të mos kërcënojë SHBA, se përndryshe do të përballet me një zjarr dhe furi, që bota kurrë nuk i ka parë”, do të ishte lajm për një kohë të gjatë.
Por, lajmi tashmë është libri: “Zjarr dhe furi” deri … në një tweet tjetër të Presidentit, ose ndoshta deri javën tjetër, kur prokurori i posaçëm do të pyesë Presidentin për “aferën ruse”, në zgjedhjet amerikane.