Andi, djali i Besnik Mustafajt i cili jeton në Francë ka emocionuar të atin përmes një shkrimi të publikuar në facebook.
Andi Mustafaj sqaron se nuk ka qenë kurrë në planet e tij të kandidojë për deputet, ashtu siç kanë shkruar mediat në Shqipëri, ndërsa thotë se me baltosjen që po u bëjnë nuk do të fitojnë kurrë urrejtjen e tyre.
Ai ka treguar 4 histori me të atin dhe mësimet që ka nxjerrë prej tyre duke lartësuar e vlerësuar figurën e Besnik Mustafajt.
E këtë dedikim që ka pushutuar mediat, Besnik Mustafaj duket se e ka marrë vesh përmes këtyre të fundit.
I prekur dhe krenar ai ka falenderuar dy djemtë e tij për mbëshetjen që i kanë dhënë në karrierë.
“Ky është një postim i djalit tim, Andit, të cilin edhe unë po e zbuloj këtu. Arsyen pse ai e ka shkruar do e mësoni gjatë leximit. Si baba më preku shumë. Jam krenar me djemtë e mi, Dardanin dhe Andin, të cilët, me sjelljen e tyre nuk ma ulën kokën kurrë. Përkundrazi. Kështu ata më kanë dhënë një mbështetje të paçmim në përfshirjen time në jetën publike dhe politike të vendit. Faleminderit shumë djemtë e mi! Edhe unë do të bëj gjithë jetën ç’është në dorën time që ju të jeni krenar me mua.”, ka shkruar Besnik Mustafaj.
Postimi i Andi Mustafajt
Jam menduar gjatë nëse duhet të shkruaj diçka në lidhje me ngjarjet e fundit, gjatë të cilave, për të baltosur angazhimin e babait tim është përdorur emri dhe imazhi im, ku disa “media” elektronike kanë pohuar se ky angazhim jo vetëm që nuk është i sinqertë, por është reagimi ndaj një refuzimi të Kryetarit të Partisë Demokratike për të me futur mua në listat për kandidat për deputet të Republikës së Shqipërisë.
Jam menduar gjatë sepse në thelb, edhe pse ndoshta mund të duket e çuditshme, nuk po arrija të gjeja një qëllim të vërtetë, të fortë, për të pasur një reagim. Të arsyetoj me të njerëz të pa arsyeshëm? Të bind njerëz që manipulohen? Të mposht njerëz dashakeq?
Pertej faktit se nga Parisi ku ndodhem këto gjëra janë akoma më të veështira për t’u arritur, ajo që më shqetëson është fakti se të gjitha këto qellime nisen nga një ndjenjë negative, revanshi të një fëmije, të cilit tentojnë t’i godasin babain.
Sado legjitime të jenë keto ndjenja, nuk janë me mjaftueshëm të forta perballe situates në të cilën ndodhet vendi, përballë situates në të cilen gjendet Partia Demokratike. Mbi të gjitha, këto ndjenja nuk e nderojnë aspak angazhimin e babait tim dhe dëshirën e tij të thellë për ta parë idealin që ka mbartur kaq gjatë përmes Partisë Demokratike të mbijetojë.
Aty e gjeta qëllimin për të reaguar, nevoja për të mbajtur gjallë këtë ideal, nevoja për ta transmetuar atë të brezat e tjerë, nevoja për të dhënë shembullin e duhur në një shoqëri, e cila po humb çdo referencë, çdo vlerë.
Dua nëpermjet këtij shkrimi t’ju tregoj katër histori rreth babait tim, katër mësime ndër të shumtat që më ka dhënë dhe, të cilat, kanë sot një vlerë thelbësore në betejën që ai po bën.
1- Kur isha i vogel, ndoshta 12-13 vjeç, luaja basketboll tek ekipi i moshave të Astrit Grevës.
Si femijë i një politikani në një kohë fort të trazuar isha shumë i zellshëm dhe i paarsyeshëm në kuptimin e botës politike. Për mua dhe në menyrë shumë të gabuar, tjetri, PS-isti ishte armiku.
Një dite u zhvillua një turne i shkurtër basketbolli i moshave në sheshin “Nënë Tereza” që ne e fituam. Kryetari i atehershëm i Bashkisë së Tiranës, Edi Rama, erdhi të na pershendesë por, une u largova duke treguar, aq sa mund të tregojë një fëmijë brenda një turme, një përbuzje për të.
Isha shumë krenar për këtë gjest, aq sa kur u ktheva në shtëpi nxitova t’i tregoj babit. Në vend të krenarisë që prisja ai u nxeh fort dhe më bërtiti. Unë nuk e kuptova, ai më tha, fitove një kupë dhe Kryetari i Bashkisë erdhi t’ju përshendesë, duhet t’i tregosh respekt, t’i japësh dorën, ta falenderosh për organizimin e aktivitetit.
Ky është respekti për institucionet.
2- Vite më vonë, kur isha student në Francë dhe babai im, Ministër i Punëve të Jashtme, më merr një ditë dikush në telefon dhe më thotë shihi lajmet e Shqipërisë. Paniku i shkurtër që më zuri i la vend çudisë së madhe të së zbuluarit se ai kishte dhënë dorëheqjen nga posti i Ministrit, më keq, e justifikonte këtë gjë me faktin se ishte “i lodhur” duke mbartur mbi vete të gjithë shakatë që një shprehje e tillë sillte dhe pa shitur arsyen e vërtetë që e solli në atë vendim.
E mora menjeherë në telefon, por nuk më tha më shumë se çfare iu kishte thënë mediave. Mbasi u sigurova se nuk kishte probleme shëndetësore më zuri një kuriozitet i paparë që shpresoja ta shuaja kur ta takoja përsedrejti.
Por, as mbasi e takova dhe deri me sot biles, unë nuk jam i sigurtë nëse e di si qëndronte puna e dorëheqjes, se çfarë mund të kishte ndodhur midis tij dhe Sali Berishës apo edhe ndonjë demokrati tjetër.
Për më teper, babai im kurrë nuk ka thënë një fjalë ofenduese përpara meje për Sali Berishën dhe ka kërkuar të njëjtën gjë nga vëllai im dhe unë. Shumë shpesh kemi diskutuar për qëndrimet dhe vendimet e tij politike, shpesh i ka kritikuar këto të fundit edhe publikisht, por kurrë nuk ka munguar respekti për njeriun, për shokun, me të cilin përjetuan 1991, kohën mbas vitit 1997, disfatat dhe fitoret politike, idealet dhe zhgënjimet.
Ky është respekti për bashkëudhëtarët, për njerëzit.
3- Disa vite përseri përpara, në 2009, babai im iku përfundimisht nga politika. Nga ai moment e deri më sot, ne kemi pasur debate të panumërta mbi një kërkesë timen të përseritur, që ai të kthehet në politikë dhe një përgjigjje të tij po aq të përsëritur, jo.
Por, gjatë ketyre bisedave të panumerta, një element filloi të dilte qartësisht në pah dhe i cili është ndoshta sot krimbi më i madh në mollën e politikës shqiptare. Cili është roli i brezit që solli shembjen e diktaturës komuniste në vendin tonë ?
Bisedë më bisedë fillova të kuptoj më mirë arsyet e pathëna. Shpresoj të mos i shtrembëroj ato duke i paraqitur në këtë shkrim. Brezi i babait tim (kuptuar gjerësisht), e kreu pjesën e parë të detyrës historike që kishte ndaj kombit, rrëzoi komunizmin, na hapi ne të tjerëve një dritare me oportunitete të panumerta, të pafundme që ato as nuk i ëndërronin në rininë e tyre.
Por ky brez, dështoi dhe, dështoi shumë thellë në krijimin e një sistemi të fortë vlerash mbi të cilin brezat e mëpasshëm të mbështeteshin. Ky brez dështoi në formimin e brezave të rinj, dështoi në krijimin e simboleve dhe heronjve që do të ndërtonin Shqipërinë post tranzicioni demokratik.
Edhe pse unë vazhdoj të ëndërroj që ai të kthehet në politikë, une e kuptoj sot shumë mirë angazhimin e tij, unë e kuptoj shumë mirë mbështetjen që ai ka, jo ndaj njerëzve por, ndaj vlerave dhe parimeve mbi të cilat ne të gjithë së bashku duhet të mbështetemi. Vetëm një shtyllë kurrizore e fortë të bën të qëndrosh drejt përballë sfidave.
Ky është respekti për brezat.
4- Përpara disa viteve, gjatë një bisede në familje, fort i mërzitur thashë : “Në shqiptarët nuk bëhemi kurrë “. Kjo fjali mjaftoi për të nxehur babain tim dhe për të nisur një debat tjetër ku shembull mbas shembulli ai më tregoi se si popuj në situata më të vështira se ne janë “bërë”, kane ecur përpara, shpesh edhe kur nuk e priste askush.
Ai më qortoi fort dhe nëpërmjet meje po qortonte gjithë brezin tim i cili në mënyren më spektakolare të mundshme duket sikur është dorëzuar, sikur nuk mundohet më, sikur ka pranuar si fatalitet të pakthyeshëm korrupsionin, dhunën, mungesën e respektit për gati çdo gjë që lidhet me shtetin dhe gjënë publike. Më tha se ne e kemi krijuar vetë këtë ide se jemi krejt ndryshe nga të tjerët, si për të justifikuar pa luftuar humbjet e njëpasnjëshme që kemi pësuar në rrugën e konsolidimit të shtetit dhe shoqërisë shqiptare.
Më kërkoi që jo vetëm mos ta them më këtë fjali, por as ta mendoj sepse në mënyrë indirekte më pengon të jap më të mirën e vetes. Nuk e kam thënë më kurrë, nuk e kam menduar më kurrë.
Ky është besimi tek ne.
Unë nuk kam kërkuar të jem kandidat për deputet i Republikës së Shqipërisë, babai im nuk ka kërkuar që unë të jem kandidat per Deputet të Republikes së Shqiperise.
Pavarësisht dashurisë së pafundme që kam për atdheun tim, pavaresisht dhimbjes së madhe që kam së qënurit larg familjes sime, larg miqve të mi, unë jam i divorcuar nga një franceze dhe babai i një djali të vogël, i cili ka nevojë për mua këtu në Paris dhe askurrkund tjetër në botë, pa harruar dhe aktivitetin tim profesional në nivele të larta në Saint-Gobain, një nga 15 kompanitë më të mëdha të Francës me 40 miliardë euro xhiro në vit.
Këtu qëndron absurditeti i akuzave që janë drejtuar për të baltosur sinqeritetin e angazhimit të babait tim dhe ky është fakti, mbi të gjithë që duhet të shërbejë si këmbanë e forte zgjimi për të gjithë demokratët, duhet të sherbejë si tabela më e madhe që tregon rrezikun që na kanos. Çfarë do vijë më mbrapa?
Në përputhje të plotë me parimet e treguara më sipër, Besnik Mustafaj e ka mbështetur Kryetarin e Partisë Demokratike duke dalë përseri në fushata elektorale si në rastin e Bashkisë së Dibrës (respekti për institucionet), ai nuk e ka ofenduar apo sulmuar asnjeherë personalisht Lulzim Bashën (respekti për bashkëudhëtarët, për njerëzit) dhe ai kerkon një gjë shumë të thjeshte, respektin e parimeve demokratike dhe mbajtjen e zgjedhjeve të ndershme brenda partisë (respekti për brezat).
Ketu nuk behet fjalë për njerez, bëhet fjale për të njejtën gjë si gjithmonë, këtu bëhet fjalë për vlera, për beteja politike dhe idealiste, bëhet fjalë për shtyllën kurrizore që duam t’i japim Partisë Demokratike në radhë të parë dhe më pas shoqërisë shqiptare nëpërmjet saj.
Pavarësisht kësaj, tentohet përbaltja, tentohet ofendimi, përdoren mjete të turpshme, të rrezikshme, të pavërteta. Çfarë do vijë me mbrapa?
Këto ngjarje duhet të shërbejnë si këmbana për të gjithë demokratët, për të gjithë dashamirësit e Partisë Demokratike dhe më gjerë për të gjithë bashkëqytetarët tanë, për të cilët vlerat që ne mbartim kanë rëndësi.
Iu them atyre që tentojne të na përbaltin që nuk do e fitojnë urrejtjen tonë. Iu them atyre që tentojnë të na perbaltin se të vetmen gjë që do fitojnë është forcimi i vendosmerisë sonë.
Iu them atyre që e lexuan deri në fund këtë shkrim të shkurtër se ka akoma shembuj për të ndjekur në Shqipëri. I them gjithë të rinjve demokrat se ka akoma njerëz që besojne tek ne, ka akoma njerëz për të cilët ne nuk jemi fytyra, nuk jemi karrige, nuk jemi lekë, nuk jemi mjete për t’u manipuluar.
Ne, jemi fuqia e heshtur e këtij vendi, ne, jemi fuqia e heshtur e Partisë Demokratike.