“Para se të ngrihet nga nëntoka Krishti zbret në të. Në vdekjen e tij Ai vepron dhe i jep dorën prindërve të parë. Duke zbritur në ferrin e njerëzve Zoti Ynë shndërron krejt historinë tonë, të kaluarën tone e cila sherohet me gjithe plaget dhe dhimbjet qe ka. Pikerisht ne kete nate Krishti zbriti e mori per dore Adamin dhe Even te cilet me lot ne sy priten Shelbuesin e tyre… E shtuna e madhe nuk është ditë varri, por ditë jete. Diçka aty poshtë, një si kërcitje po degjohet. Kokrra e grurit po shpërthen e po mbin, po jep një jetë të re. Verjani veshin …”- kështu uron Dom Gjergj Meta besimtarët katolikë për Pashkët, të cilat kremtohen sonte me meshat në kishat katolike në gjithë vendin .
Mesnatën e së shtunës duke u gdhirë e diela dhjetëra besimtarë shkojnë në meshën e shenjtë, që mbahet në katedralen e Shën Palit në Tiranë, e cila zgjat deri në orët e para të mëngjesit të së dielës.
Presidenti i Konferencës Ipeshkvore Shqiptare njëherësh edhe Arqipeshkëv Metropolit i Dioqezit Shkodër Pult imzot Angelo Massafra në mesazhin e tij tradicional të Pashkëve, i bëri një apel të veçantë klasës politike që të punojë më shumë për të zbutur varfërinë që sipas tij po rritet çdo ditë e më shumë.
“Të dashur miq të zgjedhur prej popullit për tu kujdesur për të mirën e përbashkët prej zemrës po ju drejtoj thirrjen të bëni gjithçka është e mundur për të garantuar të drejtën për punë, krijimin e shanseve të reja për punësimin, tu lejojnë të gjithëve të kenë një vend dinjitoz në shoqëri. Për kishën katolike shqiptare, dy momente të veçanta këtë vit janë ai i shenjtërimit të Nënë Terezës dhe kanonizimi i martirëve të fesë, gëzimin e të cilave imzot Massafra ja bashkoi urimit të kësaj dite. Na garantohet falja, na jepet mundësia për të rifilluar veprimin jo vetëm por si bashkësi. Së fundi duke na lejuar të shohim të lartësuar në nderet e altareve nënën tonë të dashur Tereza dhe shpalljes të lum martirëve tanë.”
Ndërkohë besimtarët në katedralen e qytetit bënë edhe bekimin e ushqimeve, të cilat konsumohen mëngjesin e së dielës së Pashkëve.
Po çfarë është kjo festë fetare dhe scila është historia e saj?
Pashka (Pashkët) cilësohet si kremtimi më i madh i kalendarit liturgjik të Kishës Katolike dhe kishave të tjera, të cilat kremtojnë ringjalljen e Jezuit. Festa e Pashkëve të krishtera është e lëvizshme, për shkak se zhvendoset çdo vit të dielën pasuese, të parën hënë të plotë pas ekuinoksit të pranverës, më 21 mars. Sa u përket ndjekjes së datës, në lashtësi ka pasur përdorime të ndryshme vendore që pavarësisht të gjithave, ishin të lidhura me njehsimin e pashkëve hebraike. Pashkët e krishtera janë të lidhura ngushtë me ato hebraike, në të cilat festohet çlirimi i hebrenjve egjiptianë nga Moisiu. Në të vërtetë fjala “Pashkë” do të thotë “kalim”. Për hebrenjtë është kalimi nga robëria në liri, ndërsa për të krishterët, nga vdekja trupore dhe frymore në Jetën e Re të Amshuar. Pashkët paraprihen nga koha përgatitore e agjërimit dhe përkorimit, e cila zgjat 40 ditë. Nisin nga e “Mërkura e Përhimtë” dhe mbarojnë “Të Dielën e Palmave” që përkujton 40 ditët e Jezuit të kaluara në shkretëtirë, në lutje dhe agjërim. Periudha e Pashkëve ndahet në 4 periudha kryesore: Triodi, Kreshma e Madhe, Java e Madhe, Pashka.
Triodi është një periudhë tre javore që ka për qëllim që besimtarët të pendohen dhe të përgatiten për hyrjen në Kreshmën e Madhe. Kreshma e Madhe është një periudhë gjashtë ose shtatë javore, në të cilën besimtarët nuk hanë mish, peshk, produkte shtazore dhe nuk pijnë verë. Java e Madhe është java e shtatë e Kreshmës dhe java e fundit para Pashkëve. Ajo i korrespondon javës së fundit të Jezuit në tokë para kryqëzimit të Tij. Qëllimi i kësaj javë nuk është vetëm një përkujtim mendor i ngjarjeve të fundit të Jezuit në tokë, por një pjesëmarrje reale në këto ngjarje.
Këtë vitin me 27 mars festohen Pashkët Katolike dhe në 1 maj Pashkët Ortodokse.
Dhuratë tradicionale e Pashkëve janë vezët e kuqe. Ngjyra e kuqe simbolizon gjakun e Krishtit dhe përplasja mes vezëve çarjen e pushtetit të Ferrit dhe ngjalljen e Krishtit.