Dy vendime të një pas njëshme të Gjykatës Administrative të Apelit, të cilat nuk ndryshojnë aspak thelbin, pritet të vonojnë akoma edhe më shumë emërimin e një anëtari të Gjykatës Kushtetuese, ndërkohë që Shqipëria është në objektivin e partnerëve ndërkombëtarë për rikthimin në funksion të institucionit më të lartë të drejtësisë.
E gjitha duket si një “puç” i gjykatave kundër Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i cili nuk po arrin t’i japë fund plotësimit të vakancës së dytë në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të disa vendimeve gjyqësore tërësisht kontraverse dhe pa asnjë ndikim në vijimin e procesit.
Në lojën politiko gjyqësore kanë hyrë dy kandidatë të eleminuar, Eugen Papandile dhe Zhaklina Peto, të cilët nuk arritën të kalonin filtrat e Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, i pari për shkak të problemeve me integritetin dhe mos-plotësim të vjetërsisë në punë, ndërsa e dyta për shkak të problemeve me pasurinë.
Faktet e zbuluara nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi për dy kandidatët janë të konfirmuara nga një dyzine institucionesh shqiptare.
Megjithatë, Gjykata Administrative e Apelit, ka shfrytëzuar disa elementë procedurialë, për t’ia rikthyer Këshillit të Emërimeve në Drejtësi sërish dosjen e Papandiles dhe Petos.
Afërmendsh, procesi i përzgjedhjes së anëtarëve të Gjykatës Kushtetuese, përmbledh në vetëvete shumë interesa, duke filluar nga ato personale të kandidatëve, por sidomos politike dhe të faktorëve të ndryshëm, të ligjshëm apo të paligjshëm.
Në procesin e plotësimit të vakancës së parë për në Kushtetuese, ai që u finalizua me emërimin e Marsida Xhaferllarit, institucionet e larta shtetërore u përfshinë në një betejë të ashpër politike, e cila përfshiu edhe Komisionin e Venecias.
Në vakancën e dytë që po shqyrtohet së fundmi, duket se ndikimi politik është fshehur pas Gjykatës Administrative të Apelit.
Një seri fijesh të dukshme e të padukshme janë vënë në lëvizje, për të rikthyer në garë kandidatë, të cilat rezultojnë zyrtarisht se kanë probleme të theksuara me kriteret ligjore.
Diçka e tillë është realizuar nëpërmjet Gjykatës Administrative të Apelit.
KED, megjithëse i kritikuar për vonesat në procedura, ka kualifikuar dy prej kandidatëve, prokurorin Altin Binaj dhe juristen Sonila Bejtja duke i përzgjedhur për shkollimin në universitetet më të njohura, kualifikimin profsional dhe integritet moral.
Kulisa e “përzgjedhjes”
Gjatë muajit Tetor 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi (KED) shqyrtoi aplikimet e 10 juristëve, të cilët kandidojnë për vakancën e krijuar në Gjykatën Kushtetuese nga largimi i anëtarit Besnik Muçi.
Në përfundim të procesit të verifikimit, KED skualifikoi 8 aplikantë dhe kualifikoi dy prej tyre, prokurorin Altin Binaj dhe juristen Sonila Bejtja.
Një pjesë e kandidatëve të skualifikuar ankimuan vendimin e skualifikimit në Gjykatën Administrative të Apelit.
Vetëm dy prej tyre, Eugen Papandile dhe Zhaklina Peto arritën të merrnin një vendim pozitiv nga Gjykata, e cila ngarkon Këshillin e Emërimeve në Drejtësi që të ndërmarrë edhe disa hapa procedurialë, para se të dalë sërish në një vendim përfundimtar për dy aplikantët.
“Lapsi” ka parë vendimet e Apelit Administrativ për Papandilen dhe Peton.
Papandile, me kontakte të papërshtatshme
Eugen Papandile, i cili mban prej pak vitesh pozicionin e Sekretarit të Përgjithshëm të Gjykatës Kushtetuese, kandidoi për një vend si gjyqtar në këtë institucion, pas shpalljes së vakancës nga Presidenti i Republikës në fillim të vitit 2020.
Në 9 Tetor 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi vendosi ndalimin e tij për të vijuar konkurrimin, pasi u konstatuan se ai nuk plotësonte dy nga tre kriteret thelbësore për të qenë anëtar i Gjykatës Kushtetuese.
Sipas Këshillit të Emërimeve në Drejtësi, Papandile nuk plotësonte kriterin e përvojës prej 15 vjet si jurist i nivelit të lartë.
Ndër të tjera, KED konstatoi se Papandile, për disa vite kur deklaron se ka ushtruar funksionin e avokatit, nuk ka paguar taksat dhe rrjedhimisht ajo kohë nuk i përllogaritet si përvojë pune.
Po ashtu, sipas informacioneve të agjencive ligjzbatuese, ai rezultonte si kishte kontakte të papërshtatshme, ndërkohë që rezultonte se ishte arrestuar në vitin 2016 nga Policia e Tiranës dhe ndaj tij ishte vendosur masë sigurimi “detyrim për paraqitje” për drejtim mjeti në mënyrë të parregullt.
Papandile ankimon vendimin në Gjykatën Administrative, duke deklaruar se KED nuk i ka përllogaritur si duhet vjetërsinë në punë.
Gjykata Administrative e Apelit, duke i dhënë të drejtë kandidatit Papandile, kërkon nga Këshilli i Emërimeve në Drejtësi që të kryej edhe një verifikim tjetër për punësimin e tij si Avokat, megjithëse ai nuk rezulton të ketë paguar taksat.
Ndërkohë, në vendimin e Gjykatës nuk jepet asnjë konkluzion për faktin se kandidati Eugen Papandile rezulton me kontakte të papërshtatshme.
Vetëm ky fakt mjafton që ai të mos vijojë garën. Ndaj, vendimi i Gjykatës që detyron KED-in për të rishqyrtuan kandidaturën e Papandiles, duket se do të sjellë thjesht vonesa kohore, pasi rezultati pritet të jetë i njëjtë, skualifikim i tij nga gara.
Peto, probleme me pasurinë
Në 5 Tetor 2020, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi skualifikoi nga gara kandidaten Zhaklina Peto, për probleme me pasurinë.
Ky ishte vendimi i dytë negativ për Peton, pasi në vitin 2019, Këshilli i Emërimeve në Drejtësi, i drejtuar në atë kohë nga Ardian Dvorani, e kishte skualifikuar juristen për të njëjtat arsye nga një garë për një vakancë e mëparshme.
Juristja Peto ankohet në Gjykatën Administrative të Apelit. Kjo e fundit, vendosi pjesërisht në favor të saj, duke i kërkuar Këshillit të Emërimeve në Drejtësi që, në ri-hapjen e procesit, të njoftojë si duhet gjetjet e tij për Peton dhe t’i japë kohën për të dhënë argumentat e saj.
Në seancë gjyqësore, KED ka mbajtur të njëjtin qëndrim, sipas të cilit Zhaklina Peto nuk mund të kandidojë për në Gjykatën Kushtetuese, për shkak të problemeve me pasurinë, ndërkohë që ajo është vënë në dijeni për rezultatet.
Pra, edhe në zbatim të vendimit të Gjykatës, nuk duket se do të ndryshojë asgjë për kandidimin e Petos. Problemi i vetëm që shkakton ky vendim është shtyrja në “kalenda greke” e procedurës për emërimin e anëtarit të ri të Kushtetueses.
Dilema e integritetetit të KED?
Këshilli i Emërimeve në Drejtësi gjendet mes dy presioneve, njëri pozitiv dhe konstruktiv, tjetri negativ.
Nga njëra anë është presioni i ndërkombëtarëve për përzgjedhjen sa më shpejtë të kandidatëve të kualifikuar.
Nga ana tjetër është presioni negativ i lidhur me interesat e drejtëpërdrejta të pushtetit që rrezikon jo vetëm ta vonojë por edhe ta bëjë më pis Reformën në Drejtësi e cila vazhon te etiketohet si produket i nderkombetareve dhe per te cinen ende ata presin te shohin rezultate te prekshme.