Nga Besnik Mustafaj
Këshilltari demokrat në Bashkinë e Tiranës, Fabian Topollari, ka paraqitur në Gjykatën Administrative të Tiranës një padi, me anë të së cilës kërkon rrëzimin e disa vendimeve të Këshillit Bashkiak, ku ai është anëtar, marrë në datën 27 korrik 2017. Fjala është për rrëzimin e vendimit për deklarimin e përfundimit të mandatit për tetë këshilltarë të zgjedhur tashmë deputetë më 25 qershor dhe zëvendësimin e tyre.
Sipas këshilltarit demokrat, rrëzimi i këtij vendimi sjell automatikisht edhe anulimin e vendimeve të tjera që u morën në po atë mbledhje, njëri nga të cilët ishte edhe ai për ngritjen e çmimit të ujit të pijshëm për banorët e Tiranës. Qëllimi im në këtë rast nuk është të merrem me përmbajtjen e padisë. Asaj do t’i dalë për zot, me siguri, në ditët e në javët në vazhdim, autori i saj, i cili është një profesor i ri në Fakultetin e Drejtësisë në Universitetin e Tiranës, domethënë jurist i zoti, por edhe politikan i gojës, siç kemi pasur rastin ta shohim shpesh përpara kamerave, veçanërisht gjatë muajve të fundit.
Qëllimi im në këtë rast është krejt tjetër. Veprimi i Fabian Topollarit dëshmon vetëdijen e tij të lartë politike si përfaqësues i një pjese të qytetarëve të Tiranës, por që ndihet i përgjegjshëm për t’i dalë në mbrojtje edhe ligjit, i cili sipas tij është shkelur në themel gjatë zëvendësimit të këshilltarëve, por që duhet t’u dalë në mbrojtje edhe qytetarëve, të gjithë qytetarëve të Tiranës, mirëqenia familjare e të cilëve cenohet me rritjen e çmimit të ujit të pijshëm.
Me këto dy pamje, veprimi i këshilltarit Fabian Topollari është qartazi në mbrojtje të interesit publik. Me rrugën që ka ndjekur për ta shprehur opozitarizmin e vet, ai tregon besimin që ka tek institucionet e shtetit të së drejtës, duke nxjerrë kështu veten si politikan i ri në një dritë edhe më të mirë. Por mua, si njeri i Partisë Demokratike qysh ditën e parë, një shqetësim m’u ngjall fillimisht. Pse ky protagonizëm individual, ndërkohë që ai është anëtari i një grupi jo dhe aq të vogël këshilltarësh?
Ky grup këshilltarësh përbën një nga strukturat politike me peshë të veçantë në atë që do të duhej të ishte “aksioni opozitar” i Partisë Demokratike. Në një kontekst të tillë, ky veprim i Fabian Topollarit, sado që në interes të publikut, do të kishte qenë më së paku një protagonizëm i papërligjur. Një protagonizëm, i cili ka shanse t’ia arrijë qëllimit aq sa ç’ka përpjekja e një individi të vetmuar. Por e vërteta është krejt ndryshe. Fakt është se Fabian Topollari e ka marrë vetë nismën për padinë në fjalë.
Pasi i ka denoncuar publikisht shkeljet ligjore të kryera në mbledhjen e Këshillit Bashkiak të datës 26 korrik, ai ka vendosur ta çojë çështjen në gjykatë. Është ulur dhe ka hartuar dosjen e nevojshme dhe e ka çuar në zyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, zotni Lulzim Bashës. Të gjitha këto janë hapa prej njeriu politik, me shqisën e opozitarit të zhvilluar, i cili e di mirë vendin e vet në ekip dhe zbaton me seriozitet disiplinën e ekipit. Duke ecur në këtë logjikë, ai i ka tërhequr disa herë vëmendjen shefit të ekipit lidhur me afatin ligjor që po skadonte dhe padia nuk do të pranohej.
Më kot. Nga shtatmadhoria nuk ka lëvizur asgjë. Ai është detyruar t’ia thotë hapur kryetarit Basha se kjo heshtje nga ana e tij ndaj një çështjeje që nuk ishte personale, shpjegohej me inatin e tij. Sa për kujtesë të lexuesit: Fabian Topollari është ndër ata anëtarë të Këshillit Kombëtar të PDsë që ka kundërshtuar publikisht mbajtjen e zgjedhjeve për kryetarin e partisë më 22 korrik, duke kërkuar shtyrjen e tyre për t’i dhënë kohë një analize të thelluar mbi humbjen e 25 qershorit, gjë që do ta bënte edhe garën më të shëndetshme.
Në vazhdim, Fabian Topollari i sugjeron kryetarit Basha që padinë në Gjykatë ta paraqesë kryetari i grupit të këshilltarëve demokratë. Edhe kjo sjellje e Fabian Topollarit është e denjë për një politikan, i cili vendos interesat e ekipit mbi ato personale. Emri i ideatorit të padisë nuk do të figuronte asgjëkundi. Por as kjo nuk e kënaqi sedrën e lënduar të kryetarit tonë të madh, i cili vendos emocionet e veta të vogla përmbi interesin politik të partisë që drejton, por edhe interesin e gjerë publik. Kur afati ligjor po skadonte, ky këshilltar i sinqertë i shqetësuar demokrat u paraqit vetë në Gjykatë me padinë, dhe mirë bëri.
Kjo histori përmban shumë nga simptomat e lëngatës së thellë, nga e cila vuan në këtë periudhë Partia Demokratike. Në radhë të parë, kryetari i demokratëve, i cili po tregon një paaftësi të plotë për të analizuar situatën fort problematike ku ka hyrë vendi pas triumfit të Edi Ramës në zgjedhjet e fundit. Ai po tregon një imagjinatë mediokre në përcaktimin e taktikave dhe strategjisë politike të opozitës përballë kësaj problematike, po tregon një pandjeshmëri dramatike ndaj kritikave në përgjithësi e posaçërisht ndaj kritikave që vijnë nga brenda partisë lidhur me përgjegjësinë e tij në humbjen katastrofike të 25 qershorit.
Në këto kritika u përfshi më në fund edhe patriarku i demokratëve, Sali Berisha, i cili, pa e kafshuar shumë gjuhën, vuri gishtin në plagë. Ndaj tij Basha nuk e bëri veshin krejt të shurdhër. Po çfarë tha? “Kjo tregon se kryetari i Partisë Demokratike jam unë dhe unë vendos”. Kaq tha Basha, duke rrëshqitur përsëri drejt sedrës së vet. Asnjë fjalë më shumë. Asgjë lidhur me thelbin e kritikave, duke treguar përfundimisht se është një sedërli i pashërueshëm. Të gjitha këto mangësi dhe plot të tjera vetëm sa nxjerrin në pah qartë e më qartë se Lulzim Basha nuk është i lindur për të na drejtuar, nuk ka brumin për të na udhëhequr, pavarësisht mandatit “plebishitar” që ia dhuroi tani së fundmi Jemin Gjana.
Dhe ne, kritikët e tij zemërplasur, po lodhemi kot duke i kërkuar atij të luaj një rol që është jashtë mundësive të tij mendore, ashtu si mbështetësit e tij po këndellen kot nëpër ëndrra me sy hapur duke përfytyruar Lulin Kryeministër. Nuk ka shpresë që Basha të na e ngjallë shpresën. Fatkeqësisht për alternativën e djathtë, e cila është e vetmja alternativë e vërtetë zhvillimi për Shqipërinë, kjo nuk do të ndodhë për sa kohë në krye të saj do të jetë “djali i mirë” Lulzim Basha, siç e quan atë me përkëdheli Edi Rama.
Qofsha unë i gabuar! Ama, unë nuk jam i dorëzuar. Shpresë ka te ca të rinj, njëri nga të cilët është Fabiani. Çështja jonë do të jetë si ta ushqejmë këtë shpresë. Nisur nga kjo histori e vogël, është rasti të thuhet se kritikët e Bashës janë në të vërtetë edhe opozitarët më cilësorë ndaj Edi Ramës dhe qeverisjes së tij. Ata paraqiten publikisht, në koherencë me idetë e tyre politike, nuk humbasin nëpër vogëlsira dhe improvizime të panevojshme, kanë reagim të shpejtë dhe janë, krahas frymës kriticiste, edhe propozues.
Ata vënë përditë në shërbim të opozitarizmit të gjitha mjetet e veta politike dhe publike, që kanë individualisht, duke i qëndruar përballë kësaj shumice zullumqare. Por i shohim të veprojnë të veçuar, një këtu, një atje, si pushkatarë të çorganizuar, që vazhdojnë rezistencën, ndërkohë që gjenerali ka braktisur fushën e betejës. Ata po shndërrohen kështu gati–gati në opinionistë, vërtet antikonformistë dhe opinioni publik ka dobi nga qëndrimet e tyre, por që nuk përbëjnë dot opozitë në kuptimin politik të fjalës.
Sepse opozita është strukturë politike e organizuar, e shtrirë në mënyrë kapilare në shoqëri dhe në institucionet përfaqësuese vendore dhe qendrore, e cila vepron me taktika dhe strategji të unifikuara. Lulzim Basha ka, me sa duket, kuptimin e vet për opozitën. Pavarësisht çfarë presin në radhë të parë demokratët, por edhe mbarë shoqëria prej tij, ai ndjek axhendën e vet të momentit, ku prioritare është asgjësimi i kritikëve brenda partisë.
Pasi të ketë qetësuar sedrën e vet të sëmurë, do t’i kthehet, pse jo shpresës për të marrë pushtetin. Por kali i betejës, Partia Demokratike, do të jetë ligur aq shumë atëherë, sa nuk do ta mbajnë dot këmbët. “Djali i mirë” Lulzim Basha ka me siguri në prapamendim ndonjë marrëveshje tjetër nokturne kokë më kokë me Ramën, i cili, i tejngopur tashmë me ushtrimet kryeministrore, do t’i lerë zyrën e qëndisur me vizatimet e tij këmbëpule. Po a ka njeri në Shqipëri të besojë se Edi Rama do të ngopet një ditë me pushtet?
Basha nuk dëshiron ta kuptojë se gojën e kritikëve e mbyll vetëm duke bërë mirë detyrën e kryetarit të Partisë Demokratike, e cila nuk është vatha e tij personale, por shtëpia e të gjithë demokratëve. Duke i hequr kësaj shtëpie gurin e themelit, siç bën, i ndihmuar edhe nga një grup jeminësh, nga budallallëku apo nga shejtanllëku, – njësoj është rezultati -, ai po e shtyn të djathtën politike shqiptare drejt një humnere, nga ku asaj do t’i duket një mundim i madh për të dalë. Unë nuk po flas pra thjesht për të shpëtuar shpirtin tim. Nuk do të doja të isha dëshmitar i kësaj katastrofe.