“Po të dëgjoj” është fushata më e re e ndërmarrë nga kreu i PD, Lulzim Basha. Këtë pasdite nga zyra e tij, Basha i është përgjigjur pyetjeve të qytetetarëve live në Facebook-un e tij.
I pyetur nëse do të ketë zgjedhje të parakohshme, Basha tha: “Uroj shumë, këto janë tre kërkesat kryesore që kemi. Së pari vendit t’i jepet mundësia për zgjedhje të parakohshme, së dyti që ky proces të garantohet dhe rregullat e lojës të jenë të barabarta për të gjithë dhe së treti këto rregulla të zbatohen. Për këtë arsye ne i qëndrojmë pikë për pikë kërkesave që kemi paraqitur në 16 shkurtin e vitit të kaluar, zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore”.
Kryedemokrati është pyetur po ashtu edhe për votimin elektronik si dhe reformën e re territoriale. Ndërkaq, teksa një prej komentueseve i tha se ishte i turpshëm veprimi i punonjëses në ‘Qytet Studenti”, Basha tha se ishte me urdhër nga lart.
Pjesë nga komunikimi pyetje-përgjigje, Basha me qytetarët në Facebook:
A do të ketë votim elektronik?
Ne do të bëjmë gjithçka që të realizohet votimi dhe numërimi elektronik
Votimi elektronik dhe numërimi elektronik janë prioritetet e Partisë Demokratike dhe opozitës së bashkuar në tryezën e Reformës Zgjedhore. Janë një nga pikat e programit të punës. Ne kemi parë në dhjetor se si mund të ndërtohet një sistem për votimin elektronik relativisht brenda një kohe të shkurtër, një sistem i thjeshtë, i cili mund të mos e eleminojë, por do ta bëjë shumë më të vështirë procesin e shitblerjes së votës apo të identifikimit të mënyrës se si kanë votuar zgjedhësit. Pra do ta bëjë shumë më të lehtë për qytetarët që ta shprehin vullnetin e tyre pa u ndikuar nga paratë e pista apo nga krimi. Po, votimi elektronik, numërimi elektronik por edhe identifikimi biometrik, janë dhe mbeten prioritete për në në Reformën Zgjedhore. Ne duam dhe do të bëjmë gjithçka që në zgjedhjet e ardhshme të përdoret teknologjia dhe shqiptarët të votojnë në mënyrë sa më të sigurtë. Natyrisht nuk varet vetëm nga ne. Pala tjetër duhet të bjerë dakord po kështu dhe e dyta, pala tjetër duhet të kishte nisur prej kohësh hapat për ta blerë këtë sistem, për ta testuar këtë sistem. Megjithatë më mirë vonë se kurrë. Ne do të bëjmë gjithçka që shqiptarët të votojnë me pasisje elektronike në zgjedhjet e ardhshme parlamentare dhe ato vendore në një ditë
A do të ketë zgjedhje të parakohshme me një qeveri teknike? Uroj shumë!
Lulzim Basha: Edhe unë uroj shumë. 3 janë dhe kërkesat kryesore që kemi.
Së pari, vendit t’i jepet mundësia, përmes zgjedhjeve të parakohshme, të zgjedhë një parlament legjitim, që të jetë produkt i votës së qytetarëve. Të jenë qytetarët ata që do të vendosin për cilën parti, për cilin program, për cilët deputetë do të votojnë.
Së dyti, që ky proces të garantohet, rregullat e lojës të jenë të barabarta për të gjithë.
Së treti, që këto rregulla loje të zbatohen, të kemi një arbitër të panashëm dhe jo një qeveri, e cila, për hir të pushtetit apo aferave, në të cilat është zhytur, është gati të shkatërrojë procesin zgjedhor, vetëm e vetëm të mbajë pushtetin. Për këtë arsye, ne i qendrojmë pikë për pikë kërkesave që kemi parashtruar prej datës 16 shkurt të vitit të kaluar, zgjedhje të parakohshme me një qeveri tranzitore pa këtë kryeministër, sepse, në fund të fundit, është ky kryeministër dhe kjo qeveri që kanë vjedhur zgjedhjet.
Kërkesat tona janë fare të thjeshta. Kërkesa jonë kryesore është – mos vidh! Po dëgjoni shpesh, që njerëzit më problematikë, që janë kapur duke vjedhur zgjedhjet, duke blerë vota me krimin e organizuar, na japin leksione mençurie çfarë do të bëjmë me zgjedhjet. Çfarë do të bëjmë me zgjedhjet? Mos vidh! Ju jeni hajdutët e zgjedhjeve, mos i vidhni zgjedhjet! Nuk është çështje dëshire për t’i besuar dikujt që ka vjedhur jo një, jo dy, por tre palë zgjedhje, edhe një palë zgjedhje pa kunërshtarë, siç ishte 30 qershori. Prandaj, qeveria tranzitore është një garanci. Siç funksionon në Maqedoni, le të funksionojë edhe në Shqipëri.
A do ta hapni PD-në duke zhvilluar primaret brenda partisë?
Lulzim Basha: Ka dy vjet që e kemi garantuar me letra siç i thonë, e kemi në statut, por po përgatitemi me ndihmën e disa prej partive tona simotra që kanë përvojë në procese të tilla, siç është Partia Konservatore e kryeministrit Boris Johnson dhe Partia Republikane Amerikane dhe natyrisht CDU gjermane. Janë tre parti që po na ndihmojnë. Brenda PD-së kemi një proces të hapur për kandidimin, pra kush ka dëshirë të kandidojë ka mundësinë të kandidojë për të përfaqësuar PD-në në nivel qendror dhe në nivel lokal. Kemi një proces filtri të mirëfilltë për të garantuar që cilësia e kandidatëve tanë të jetë më e lartë e mundshme. Si sa i përket integritetit, pra të jenë njerëz të ndershëm, natyrisht pa rekorde kriminale. Por edhe njerëz të pa korruptuar dhe të jenë njerëz që të besojnë në vlerat e Partisë Demokratike, vlerat konservatore europiane: besimi në Zot, në familje, në atdhe, dhe të ndajnë bashkë me këto vlera edhe programin tonë politik. Pas këtij hapi të dytë, hapi tretë është ai i konsultimi me të gjithë anëtarësinë e PD përmes një procesi votimi i cili do të sjellë në tryezën e forumeve më të larta vendimmarrëse, Këshillit Kombëtar dhe Kuvendit të PD, ato zonja e zonjusha dhe ata zotërinj që kanë kaluar këto tre hapa.
Hapi i parë i parë aplikimi për kandidim.
Hapi i dytë testimi në tre fusha: integriteti, vlerat be Partisë Demokratike, përgatitja për të kryer detyra të larta
E treta që është e një rëndësie themelore, të jenë kandidatë që përfaqësojnë me dinjitet qytetarët shqiptarë.
Hajde ne QSUT. Shikoni se çfarë bëhet tek Pediatria, nuk ka mjekë të na vizitojnë fëmijët.
Lulzim Basha: E di, kam qenë para disa kohësh, ndonëse pa kamera. Do të vij përsëri. E kam dëgjuar edhe javën e kaluar nga mjekët e QSUT se në çfarë gjendje katastrofike ndodhet jo vetëm Pediatria, por e gjithë QSUT-ja. Nuk ka gjë që e përmbledh më mirë konceptin e fasadës sesa ajo që u bë në QSUT. Sapo u inaugurua Kirurgjia e re, nga 12 kemi 6 salla, nga 120 kemi 60 shtretër. Po ta shikosh nga kronikat televizive, po, fasada është e bukur, është e lyer bukur. Po të futesh brenda kemi gjysmën e kapacitetit që kishte e vjetra për t’u shërbyer pacientëve, për të mos u futur në detaje të tjera të tmerrshme që kam dëgjuar nga profesionistët sesi mënyra dhe koha e komunikimit nga një repart i urgjencës tek një repart tjetër është zgjatur në krahasim me çfarë ishte. Pra, në qoftë se të duheshin një minutë apo dy minuta për të kaluar nga emergjenca në sallë operacioni, tani duhet të kalosh dy- tre ashensor. Pse?! Për hir të fasadës. Dhe kanë filluar vdekjet e atyre pacientëve, të cilëve mund t’u shpëtohet jeta, në qoftë se thelbi do të kishte prevaluar mbi fasadën. Jo, fasada në këtë rast, kontekstualisht, po vdes njerëz në QSUT. Do të vij shumë shpejt, edhe tek Pediatria, për të cilën për fat të keq kam marrë raportime, kam parë edhe raportime në media, kemi patur edhe njerëzit tanë në terren së fundmi për të parë sesa e tmerrshme është gjendja dhe për ta denoncuar atë. Dhe ju siguroj që do të jetë një nga prioritetet kryesore dhënia fund e kolapsit në shëndetësi.
Më jep një motiv të vij nga Italia dhe të votoj për ty?
Me PD ne do të rikthjejmë në Shqipëri trajektoren e rritjes ekonomike. Të ringjallim ekonominë është objektivi ynë.
Çfarë qendrimi keni sot pas katër vitesh për reformën territoriale, e bërë në mënyrë të njëanshme nga Rilindja? A është në axhendën tuaj rindarja territoriale?
Do ta shpegoj se ke kërkuar edhe takim në zyrë. Ajo që kemi thënë prej fillmit do ti qendrojmë. Reforma territoriale është dështim, nuk ka më demokraci, fondet nuk po shkojnë për më shumë investime, por po shkojnë për qoka. Kjo situatë duhet të ndryshojë, prioritet për ne është një reformë e re territoriale. Jo thjeshtë një hartë të re.
Më erdhi turp si u foli ajo punonjësja. A do të jepni mësim të universitet? Do kisha shumë dëshirë
Së pari unë do e vazhdoj turin tim dhe nuk ka askush dhe asgjë. Mua më vjen keq për atë zonjës se ishte e terrorizuar, e bëri me urdhër nga lart. 30 vjet pasi aty ra komunizmi pamë një gjendje të turpshme. Erdhi me urdhër nga lart, por kot e kanë mua s’më ndalin dot. Shpresoj që së shpejti të takohemi unë do e vazhdoj turin tim edhe në universitet. Sa i përket mësimdhënies shpresoj që në fillimtë bëj dicka, pastaj pse jo.
/abcnnews.al