Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha prezantoi kandidatin për zgjedhjet e 6 marsit, Ferdinand Saraçi. Në fjalën e tij kreu i PD, u ndal edhe tek dy komisionet e rëndësishëm për Reformën Territoriale, por edhe atë Zgjedhore. Sipas tij, këto dy komisione u bënë realitet pasi u kombinuan dy faktorë: dëshira e shqiptarëve për ndryshim dhe faktori tjetër bashkëpunimi ndërkombëtar me BE dhe SHBA, që së bashku u shpreh kryedemokrati do ta hedhim prapa këtë kohë të mbrapsht dhe do të kemi një horizont të ri.
“Faktori i parë dhe më i rëndësishëm, është vetë shpresa e çdo shqiptari për një jetë më të mirë. Nga më i riu tek më i moshuari, është dëshira e pandalshme për ndryshim, ndonëse ndryshimin e ndalën dhunshëm edhe me blerjen e votës, duke përdorur paratë e inceneratorëve me 25 prill. Po po! Blenë vota! Këta që janë prapa hekurave dhe këta që do të shkojnë prapa hekurave, blenë vota edhe me paratë e inceneratorëve, por aspiratën për ndryshim nuk e ndalin dot. Dhe aspiratën e shqiptarëve për demokraci nuk e ndalin dot. Ndaj të dy komisionet, komisioni i reformës zgjedhore dhe komisioni i reformës territoriale janë sot realitet. Jo sepse në atë parlament ne kemi numra, se ju e dini që nuk i kemi, jo se nuk na i dhanë shqiptarët, por na i mori masakra zgjedhore. Por se kemi kombinuar këto faktorë pra, opinionin publik shqiptar, vullnetin e shumicës dërrmuese të shqiptarëve, përfshi edhe ata që i kemi pasur kundërshtarë politik, dhe faktorin tjetër, pa të cilin ky vend nuk bën përpara, që është aleanca strategjike me SHBA dhe me Bashkimin Evropian. Me ta në krah, kemi shënuar fitoret më të mëdha politike, me ta në krah kemi shënuar arritjet më të mëdha për shqiptarët, me ta do ta hedhim prapa këtë kohë të mbrapshtë dhe do të kemi së bashku, një horizont të ri. Një horizont të ri shprese për këdo , edhe për fermerin më të pashpresë, që në këtë muzg, në tokat më të largëta të Rrogozhinës, edhe për qytetarët në qendër të kryeqytetit, edhe për ata që mendojnë të largohen apo po bëhen gati të largohen, edhe për ata që janë larguar dhe mendjen e kanë këtu, ne do ta rikthejmë shpresën. Ditë pas dite, hap pas hapi, sepse jemi të qartë, jemi të vendosur, me qartësi dhe me qëndresë dhe me njerëz të papërkulshëm, si Ferdinand Saraçi për Rrogozhinën. Ditë pas dite do të shkojmë përpara, deri në ditën e largimit të këtij regjimi që nuk ka asgjë të përbashkët me shqiptarët. Deri në ditën kur jo vetëm ti largojmë , por ti çojmë para ligjit, duke i dhënë fund 30 viteve pandëshkueshmëri, politikanëve të korruptuar. Dhe ajo do të jetë dita, kur Shqipëria ti takojë shqiptarëve dhe Rrogozhina qytetarëve të saj” – tha Basha.