Nga Ilir Babaramo
Shqiptarët fituan, Ahmeti humbi gjysmën e manekinëve në vitrinën e dyqanit të tij.
Dhjetë vjet më parë stafi i hotelit “Aleksandër Palace” i Shkupit u përfshi në një alarm që nuk ishte ndjerë as në kohën e konfliktit të armatosur ndëretnik që u mbyll me Marrëveshjen e Ohrit. Në hollin e hotelit ndodheshin Ali Ahmeti dhe Menduh Thaçi, të cilët ishin thirrur në takime të veçanta nga kryeministri shqiptar që ndodhej për një vizitë zyrtare në Maqedoni.
Alarmi ishte në ekstrem. Situata ishte identike sikur dy banda rivale të ndodhen në të njëjtën kohë në të njëjtin mjedis. Secili shoqërohej nga të paktën 20 veta të armatosur dhe secili nga truprojet kishte nxjerrë armën duke e drejtuar nga kundërshtarët në pritje për t’ju përgjigjur zjarrit me zjarr.
Nuk është fiction. Është thjesht një detaj i parë në vetë të parë që ndihmon për të kuptuar si ka qenë jeta politike mes subjekteve tradicionale shqiptare në Maqedoninë dhe pas Arbër Xhaferrit.
Zgjedhjet e kësaj të djele tronditën në ekstrem pushtetin e dy bejlerëve shqiptarë të Maqedonisë. BDI e Ali Ahmetit doli me gjysmën e numrit të deputetëve që kishte parlamentin e kaluar, ndërkohë që PDSH e Menduh Thaçit u katandis me dy deputetë.
Dy bajraktarët humbën, por shqiptarët e Maqedonisë dolën më të fituar se kurrë. As kryeministri Gruevski dhe as shefi i opozitës Zajev nuk kanë asnjë shans aritmetik të krijojnë qeverinë pa shqiptarët.
Ali Ahmeti u ngut ta konsiderojë rezultatin si më të keqin e mundshëm për shqiptarët, por gabohet. E vetmja humbje është se ai dhe Menduh Thaçi do kenë më pak deputetë. Në fakt, është thjesht statistikë.
Shqiptarët do kenë në Parlamentin e Maqedonisë më pak qënie që ngjasojnë me ata manekinët e dyqaneve të fshatit, me kollare të varura deri tek kërthiza, kostume turke, imitime të shëmtuara dhe etiketa kallpe në mëngët e xhaketës që duken ende më qesharake tek ata që akoma kanë krehje si Zdravkos.
Problemi nuk është estetik. Dy bejlerët kanë promovuar për të përfaqësuar shqiptarët në postet më të larta të Shkupit njerëz pa integritet. Ishin aty pa bërë hije, pa mundur të imponojnë interesat e shqiptarëve. Jo se nuk donin por se nuk dinin.
E vetmja aftësi e tyre të qenit manekinë të kryetarëve të partive. Jo vetëm për shkak të nacionalizmit të Gruevskit, apo të numrave të mjaftueshëm që ai kishte në parlamentin e kaluar, por dhe për shkak të paaftësisë dhe provincializmit të tyre ulëritës Marrëveshja e Ohrit ende nuk është zbatuar plotësisht ndonëse kanë kaluar mbi 15 vjet.
E pra, përgjysmimin e manekinëve në vitrinën e dyqanit të tij Ali Ahmeti e konsideron dramë kombëtare. I pakënaqur është dhe Menduh Thaçi, i cili me rezultatin e të djelës i emëron a jo tre doganierë nga ata të kontenierëve me cigare. E djela ishte drama e tyre, jo e shqiptarëve.
Nëse shqiptarët arrijnë të ruajnë kohezionin mes tyre, nëse kryetarët e partive mbajnë më pak banditë e truproja, fusin në dietë larot që mbajnë pas dhe mendojnë që një tender më pak është një fitore më shumë për shqiptarët është e sigurtë që do t’ia dalin. Do t’ia dalin të marrin çfarë ju takon me të drejtën e Zotit dhe të kushtetutës: gjithë klauzolat e Marrëveshjes së Ohrit dhe pse jo postin e kryetarit të Parlamentit. Sigurisht, nëse janë bashkë, sigurisht nëse heqin dorë nga skenat si ato të “Aleksandër Palace”. Po pse të shkojmë tek “Aleksandër Palace”? Gjithë banorët e Tiranës e shikojnë Ahmetin e Thaçin, kur vijnë në Tiranë dhe pushtojnë bulevardin me eskortë më të madhe se të Vehbi Alimuçës vaktit. Dhe të mendosh që Thaçi ka trashëguar partinë e Arbër Xhaferit, mendjes politike më brilante shqiptare qysh nga koha e rënies së Murit në Berlinit, një burrë që vjen një herë në 100 vjet, i qartë si drita, i fortë si diamante.
Shqiptarët e Maqedonisë kanë tashmë konjukturën ideale për t’u imponuar. Mjafton të tregojnë unitet. Për të krijuar kohezion mes tyre, me të drejtë kryeministri Rama thirri katër drejtuesit e partive shqiptare për këshillime në Tiranë. Dy prej tyre , bejlerët tradicionalë, Thaçi e Ahmeti refuzuan të vijnë në kryeqytetin e shtetit amë. Në fakt, e kanë një arsye personale. Tre vjet më parë Rama u përpoq ta prishë status quo-në. Kishte pranuar të takonte në Pogradec dhe rivalët e tyre që po hynin rishtas në politikë.
Mëria e tyre paska zgjatur sa në Eposin e kreshnikëve. Vështirë të besohet se sa ka ndikuar në situatën e krijuar këshilltari i përfolur i Ramës për çështjet rajonale, i cili shqipen e flet me sintaksë serbokroate dhe ora i ka ngelur në kohën Jugosllavisë së Ante Markoviçit, apo ndonjë gazetar mashtrues nga Prishtina që lobon për të shitur për miell krundet e magazinave ushtarake të Serbisë duke u shitur si këshilltar i Ramës në Prishtinë dhe duke gënjyer në Tiranë se është këshilltar i Thaçit.
Gjithçka e tillë nuk ka asnjë vlerë. Gjithçka mund të mbyllet me një përbuzje ndaj këtyre lajmësve të rremë. Sepse, kurrë nuk ka ndodhur në Ballkan që kryetarët e një partie etnike të refuzojnë të konsultohen me kryeministrin e shtetit amë , i cili kërkon të krijojë kohezion në një moment vendimtar. Shikoni si telekomandohet Lista Serbe në Kosovë apo Dodik në Bosnjë nga Beogradi, për të kuptuar se çfarë duhet të ndodhë.
Pavarësisht gjithçka, shqiptarët kanë shansin e madh historik për t’u imponuar, sepse në Maqedoni, në çdo skenar të mundshëm, nuk mund të krijohet asnjë qeveri afatgjatë pa shqiptarët. Në fakt, Ali Ahmeti i ka numrat që të shkëputet nga pjesa tjetër shqiptare dhe të kthehet tek tagjia e vjetër e Gruevskit. Të dy bashkë i kanë numrat për një qeveri të re. Por, a janë Gruevski dhe Jankullovska zgjidhja më e mirë për shqiptarët? Për këtë gjë dhe një karrocier i dehur në Çair është i qartë.
Ali Ahmeti është në drejtën e vet që të refuzojë takimin me Ramën, që të mos i thotë kryeministri shqiptar se çfarë ka ndërmend të bëjë. Por, shqiptarëve ju detyrohet një shpegim: të zbardhë negociatat. Shqiptarët e Maqedonisë duhet ta dinë se çfarë i ofron Gruevski dhe çfarë i jep Zaev. Dhe nëse nuk bën transparence, por vazhdon të mbajë në këmbë një antishqiptar si Gruevski atëherë “Abazi” (siç e njohin miqtë me pseudonimin e luftës) nuk është sovran në vendimin e tij. Do ishte vërtet mëkat që njeriun, të cilin nuk e kapi peng Serbia në 30 vjet luftë, ta ketë kapur një shtet me flamur të vjedhur. Megjithatë të mos paragjykojmë. Ahmeti ka kaluar shumë dallgë. Të presim…
/shqiptarja.com/