Masakra e 23 Tetorit 1943 në Lushnje
Organizata e dëshmorëve të Luftës Antifashiste Nacional-Çlirimtare për Lushnjen do t’i kërkojë Presidentit të Republikës, Bujar Nishani t’u heqë dekorimin me medaljen “Martirë të Demokracisë” 67 personave të pushkataur më 23 tetori të vitit 1943 në Lushnje. Lajmin e bën me dije Vangjel Bello kryetari i kësaj organizate i ftuar në emisionin “Debati në Channel One” të gazetarit Roland Qafoku. Bello tha se është duke u përgatitur letra publike që do t’i paraqesë kreut të shtetit me kërkesën duke i bashkangjitur argumentet përkatëse që sipas tij janë fakte dhe kundërfakte të pamohueshme. Sipas Bellos, realisht ka qenë një veprim i ekzagjeruar i Mehmet Shehut për ekzekutimin e tyre, porse nuk ka vend që ata të dekoroheshin siç u bë. Bello tha se partizanët e Brigadës së Parë kryhen luftime ato ditë në Lushnjë kundër forcave balliste të Isa Manastirliut dhe Hamit Matjanit, sepse ata po vepronin si një bandë duke plaçkitur zonën, madje duke përdhunuar gra e vajza. “Ndodhur në këtë situatë Brigada e Parë arriti ta shpartallojë këtë formacion duke kapur robër një pjesë të konsiderueshme, duke e pasuar këtë edhe me pushkatimin masiv”, tha Bello. Ky i fundit jep një detaj interesant, sipas të cilit pushkatimi është bërë në dy ditë të ndryshme. Ditën e parë janë pushkatuar 29 persona dhe ditën e dytë janë pushkatuar pjesa tjetër.
Nga ana tjetër, Artan Murrizi, pasardhës i famijeve të pushkatuarëve, i ftuar në këtë emision, e kundërshtoi ashpër kreun e organziatës së veteranëve duke hedhur poshtë akuzat ndaj tyre. Murrizi ka katër të pushkatuar në familje dhe një i pestë që sipas tij kishte arritur të shpëtonte gjatë momentit të pushkatimit. Një nga kushërinjtë e babait tim që ishte mes atyre që do pushkatohshin ka arritur të largohej me shpejtësi dhe nuk e zuri asnjë plumb. “Ai jetoi edhe pas Luftës së Dytë Botërore dhe ka vdekur në vitet ’70-të”, tregoi Murrizi. I pyetur se cila ka qenë shkaku i këtij pushkatimi, Murrizi tha se e vetmja arsye është që ata nuk pranuan të bashkoheshin me forcat e Mehmet Shehut, sepse kjo do të thoshte të bëheshin komunistë. “Xhaxhai i babait tim është pushkatuar, sepse tha: Edhe dërr bëhem dhe komunist nuk bëhem kurrë. Kjo e inatosi shumë Mehmet Shehun dhe i ekzekutoi me dorën e tij”, shtoi Murrizi.