Sistemi politik, juridik dhe shoqëror që u aplikua në Shqipëri pas rrëzimit të diktaturës, ishte një sistem i importuar nga vendet perëndimore me demokraci të konsoliduar. Metamorfoza e shndërrimit nga një diktaturë e egër në një shoqëri demokratike sigurisht që kërkonte kohë, jo vetëm për përshtatjen e modelit politik shumëpartiak dhe legjislacionit, por edhe për mënyrën e të menduarit dhe ndërveprimin shoqëror. Pas viteve të para, kur dukej se gradualisht disa prej shndërrimeve po ecnin, edhe pse më ngadalë se në vendet e tjera, politika shqiptare kishte mbetur ende në vitin 1990 për mënyrën e funksionimit të partive politike dhe qëllimeve për të shtënë në dorë sa më tepër institucione që duhet të funksiononin të pavarura.
Kjo mënyrë e menaxhimit të partive politike, solli pasoja shkatërruese për funksionimin e gjithë shoqërisë, me anë të politizimit të skajshëm të administratës publike dhe centralizimit të vendimmarrjes vetëm në duart e kryetarit të partisë në pushtet, duke arritur në shkatërrimin e gjithë sistemit të vlerësimit. Edhe drejtorët e teatrove, kopshtit zoologjik, shkollave, terreneve sportive caktoheshin vetëm nga vlerësimi i kryetarit të partisë në pushtet, pa marrë parasysh asnjë formim profesional, karrierën apo cilësi të tjera. Kjo solli shkatërrimin e konkurrencës, që është baza e funksionimit të një shoqërie demokratike dhe funksionimit të tregut të lirë.
Në mungesën e konkurrencës, anëtarë të zellshëm të partive u bënë biznesmenë dhe drejtorë. Në shumë raste mënyra e jetesës së individëve, madje dhe e komuniteteve të tëra varej nga firma e këtyre mëkëmbësve të kryetarit, të cilët më pas e shtrinë influencën e tyre në formë piramide deri tek nëndrejtorë, mësues, sekretarë, nëpunës civilë, kontrollorë etj. Në këto kushte qytetarët e kishin pothuajse të pamundur të merrnin edhe një çertifikatë apo vërtetim mjekësor për leje drejtimi, pa kaluar nëpër sportelet këtyre mëkëmbësve, që çuditërisht kishin zëvendësuar ekzaktësisht burokratët e para viteve ’90. Dhe të gjithë jemi dëshmimtarë të korrupsionit të tyre aktiv, që duke e bërë të pamundur çdo shërbim sado të thjeshtë ndaj qytetarëve, këta mëkëmbës fitonin shuma të vogla parash, por të konsiderueshme për të gjithë piramidën e ndërtuar.
Ky sistem korruptiv që sa vinte e forcohej, arriti të mbante peng jo vetëm veprimtaritë e përditshme të qytetarëve, por filloi të shkatërronte konkurrencën në ekonomi, arsim, mjekësi, kulturë, sport dhe pothuajse në të gjitha fushat e tjera. Revanshi nuk ngadalësohej dhe arriti deri aty sa të kërcënonte me largim nga puna, kufizim të shërbimeve apo ndihmës sociale, madje u bë aq i fuqishëm sa të cënonte edhe lirinë e procesit të votimit si institucion, qoftë në votimet e zgjedhjes së kryetarëve brenda partive apo forumeve të tyre, ashtu edhe në zgjedhjet e përgjithshme apo lokale.
Në çdo shoqëri korrupsioni ekziston dhe çdo vend ka specifikat e veta në lidhje me dukurinë e korrupsionit. Në Kinë për shembull korrupsioni më së shumti ekziston nga mosefiçenca e administratës për t’ju afruar qytetarëve shërbime në kohë. Ndërsa në vendet e zhvilluara aktet korruptive lidhen me tendencën për të anashkaluar më shpejt barrierat burokratike. Në çdo vend gjenden individë apo grupe që kërkojnë të ngjiten më shpejt, të gjejnë hapësira ligjore, apo të ndryshojnë situatën në favor të tyre me çdo lloj mjeti, por në shoqërinë shqiptare, korrupsioni ka pasoja të pariparueshme, siç është shkatërrimi i sistemit të vlerësimit dhe konkurencës. Përcjellja e frymës korruptive që nga politikanët deri tek nëpunësit më të rëndomtë të administratës, kanë bërë që edhe në rutinën e përditshme të çdo qytetari të vlerësohet më pak ndërgjegjia dhe më tepër manipulimi në favor personal.
Është fakt, që shumë prej nesh nuk po shohin prej shumë kohësh një garë të ndershme. Gjithmonë dihet kush do ta fitojë festivalin, kush do ta fitojë kampionatin, kush do ta fitojë tenderin… . Për fat të keq mungesa e konkurencës së ndershme ekziston edhe në kopshte e shkolla. Ka prindër që paguajnë ose shfrytëzojnë pozitën e tyre për të ushtruar presion, që fëmija i tyre të fitojë edhe pse nuk luan më mirë, nuk vizaton më mirë, nuk këndon më mirë se të tjerët. Nga ana tjetër ka prindër të dëshpëruar që e kanë të vështirë të gjejnë fjalët inkurajuese për t’i thënë fëmijës së tyre, kur ata humbin e humbin përsëri. Është vështirë t’i thuash fëmijës tënd ushtrohu më tepër, se një ditë do të fitosh, puno më shumë, se një ditë do të shpërblehesh. Edhe fëmijët e kuptojnë se sistemi i vlerësimit është deformuar. Është më e vështirë për ta, nëse nuk kanë prindër që janë pjesë e kësaj piramide të mirëorganizuar, pjesë e këtij sistemi korruptiv.