Nga Bledian Koka
Nuk na ke bërë asgjë…
Plumbat ndaj mikes sime të ngushtë Klod Lalës, më kanë tronditur shumë në aspektin njerëzor, por s’më kanë tronditur aspak në aspektin profesional. 10 plumbat e natës mbi shtëpinë e Klodit, janë sot pa dorac, por e kanë një mandatar. Ata që qëlluan mbi Klodin, janë po miq të tavolinës së Edi Ramës. Jo ata janë më shumë, janë partnerët e tij dhe produkt i logoresë së pambarimtë të një kryeministri kundër medias të pagëzuar kazan prej tij.
Ai që hungërin prej 5 vitesh kundër nesh, kundër sojit tonë se sulmon sojin e tij, e bëri pis frikën e Klodit dhe familjes së saj të qëlluar me cicërimën e tij të kobshme në Twitter. Orët e para të mëngjesit të sotëm, ishin finalizimi i një krimi të paralajmëruar shtetëror që është gatuar që prej ditës së parë që Edi Rama vuri këmbë në pushtet e deri më sot.
Edi Rama e ka vrarë median e lirë në 5 vitet e fundit, ndërsa sot asqeret e tij të natës me alltije në brez dhanë sinjalin e radhës se terezia e shefit të deputetëve të lidhur kokë e këmbë me krimin e ka sosur durimin.
10 plumbat e kallashit mbi shtëpinë e Klodit, janë nota maksimale që nxënësja e shkëlqyer e gazetarisë investigative mori për punën e saj, vlerësim më të madh se kaq ajo s’mund të merrte.
Burrneshën e Dibrës e njoh mirë, dhe e di që edhe pas kësaj ajo do vazhdojë ta paguajë kredinë e shtëpisë me të njëjtën rrogë të vockël të një pune të stërmundimshme me guxim të madh. Sepse kjo është Klodi.
Prita shumë t’ia shkruaj dy fjalë motrës sime të gazetarisë, prej merakut të vëllait se mos nuk isha në lartësinë e duhur ku ajo është prej vitesh në këtë profesion, e prapë s’mundem ta shuaj mllefin që na e prishi ditën e zymtë të një gushti të qelbur. Sot u zhvillua një protestë para kryeministrisë për Klodin por nuk shkova. Nuk e ndjej të udhës të protesoj përpara derës së mandatarit real të plumbave ndaj Klodit, para shtëpisë së gjaksit nuk protestohet, i dërgohet fjalë…
p.s…nuk na ke bërë asgjë, tani është radha jonë!…