Ambasadori amerikan në Beograd: Serbia duhet të ketë parasysh sanksionet kundra Rusisë

0
92

Christopher Hill, i cili ka kaluar muajin e parë si ambasador amerikan në Serbi, pohon se SHBA-ja dhe Bashkimi Europian presin që Serbia t’i bashkohet vendeve që sanksionuan Rusinë, por megjithatë Serbia vendos vetë për këtë dhe se nuk ka presion ndaj saj.

Megjithatë, ai nuk e tha qartazi nëse do të ketë pasoja në marrëdhëniet serbo-amerikane, nëse Serbia refuzon të sanksionojë Rusinë.

Në një intervistë për Zërin e Amerikës, Hill deklaron se Serbia duhet të “rimendojë nëse beson se Rusia do ta ndihmojë rreth rastit me Kosovën”. Diplomati amerikan ka folur edhe nëse pret një qasje më ndryshe të qeverisë së re të Serbisë.

I pyetur se cili është mesazhi kryesor për Serbinë pas vizitave të zyrtarëve të lartë amerikanë, ai u përgjigj se gjatë këtyre vizitave janë diskutuar tema të shumta.

“Tema e parë ishin marrëdhëniet mes Serbisë dhe SHBA-së dhe do të thoja se marrëdhëniet janë të mira, por besoj se mund të bëjmë edhe më shumë. Sigurisht, një nga temat ishte situata në Ukrainë, një nga tragjeditë më të mëdha të këtij shekulli. Prandaj, nuk është për t’u habitur që përfaqësuesit amerikanë paraqitën aspekte të ndryshme të asaj situate në kombinim me marrëdhëniet ndërmjet Serbisë dhe BE-së dhe faktin se nga perspektiva e BE-së dhe SHBA-së, Serbia duhet të veprojë si anëtare e BE-së dhe të vendos sanksione. Është e qartë se kjo është politika jonë dhe nga ana tjetër Serbia duhet të mendojë për këtë”, ka thënë Hill.

Hill tha se Rusia nuk mund të jetë tani mik apo aleat me të cilin mund të krenohesh.

Ambasadori Hill u pyet nëse Serbia do të ketë pasoja nëse vazhdon të refuzojë t’i vendosë sanksione Rusisë.

“Është një pyetje hipotetike. Ajo që do të donim është thellimi i marrëdhënieve me Serbinë. Ne e dimë se sa e rëndësishme është Serbia në rajon dhe në Europë dhe do të donim të kishim marrëdhënie më të mira. SHBA-të tani kanë marrëdhënie më të mira me BE-në për shkak të kësaj lufte të tmerrshme në Ukrainë. Ne po flasim me Serbinë se çfarë mund të bëjmë së bashku për t’i dhënë fund kësaj lufte… Nuk do të doja të hyja në këtë, nuk po flasim për pasojat. Thelbi është se ne do të donim marrëdhënie më të mira, mundësinë për të gjetur interesa të përbashkëta”, tha ai