Vetëm pak ditë më parë ministrja e Infrastrukturës, Belinda Balluku, deklaroi se “çdo ndërtim pa leje do të prishet ose pronarët duhet ta dhurojnë”, duke e prezantuar këtë si një nismë të qeverisë. Më pas, Balluku shkoi pranë pallatit 9-katësh në Liqenin e Thatë të biznesmenit të njohur Lul Morina dhe filloi zbatimin e vendimit nga aty.
A rrezikohet Veliaj nga ky aksion?
Ky pallat pa leje u sekuestrua dhe ka sjellë shumë reagime në rrjetet sociale. Qytetarët të habitur kanë ngritur pyetjen se, ku ishte shteti në kohën që Morina ndërtonte në zonën që duhet mbrojtur. Rama duke “kërcënuar” se ky aksion do të vazhdojë, e pasoi përgjegjësinë te inspektorët e mjedisit dhe Policia e Shtetit. Madje, u duk sikur donte t’u ulte hundën kryetarit të Bashkisë Tiranë, Erion Veliaj.
“Më falni, por është e papranueshme që të lulëzojnë katet dhe shtesat pa leje në pallatet që të kamurit ndërtojnë sa në det, sa në rërë, sa dhe në mes të Tiranës, sa dhe këtu ngjitur me sheshin Skënderbej që vetëm nuk bërtet pallati, “shihni sa u zgjata o njerëz me mendje të shkurtër”, po i hyrë gjembi në këmbë”, deklaroi kryeministri.
Kullat dhe oligarkët janë fjalët kyçe që mund të dëmtojnë fushatën e ardhshme elektorale të PS-së. Ky merak u duk edhe gjatë një interviste, vetëm një javë më parë, të kryebashkiakut Veliaj. Ai nuk e anashkaloi pyetjen aspak të rastësishme mbi kullat e ndërtuara në Tiranë dhe dyshimet se ndërtuesit po pastrojnë paratë e mafias italiane.
“Kur thua na mbytën kullat, nuk e ke për Tiranën, 10 kulla ka. Asnjë nuk jeton aty, nuk na mori ajrin.” e nisi justifikimin Veliaj duke debatuar me deputetin Agron Gjekmarkaj. Ndërsa Rama, në vijim e ul Veliajn në rolin e zyrtarit që i kanë shpëtuar katet pa leje të kullave. Pra, faji nuk është që u dhanë lejet për këto kulla, por pse u lanë oligarkët të ndërtojnë ca kate më tepër. Nuk na duhen katër kate mbi 25 të tilla që është dhënë leja. Me këto fjalë kryeministri kërkon të verbojë qytetarët dhe të vazhdojë “aksionin-spektakël” tek oligarkët, me të cilët do të rregullohet prapë pas zgjedhjeve. Se si arritëm në këtë konkluzion mund ta shpjegojmë më poshtë:
Pallati me lekët e indianit
Pyetja se, “çfarë bënte shteti kur Lul Morina po shkatërronte Parkun te Liqeni i Thatë”, vazhdon të qëndrojë. Show i Ramës nuk e mbyll dot. Morina nuk është një ndërtues i thjeshtë që nuk arriti të merrte dot lejen dhe vazhdoi ndërtimin e një vile pa aprovim. Julian Morina, i njohur ndryshe si Lul Morina, është një nga ato oligarkë, i cili prej kohësh duhej të ishte marrë nën hetim, por sërish ka lëvizur i lirë dhe ka shkelur ligjet (përfshirë atë penal) nën hundën e qeverisë.
Në maj të vitit 2021, Komisariati i Policisë nr. 1 i Tiranës, me në krye në atë kohë Oliger Torba, ka konstatuar ndërtimin pa leje, duke referuar një kallëzim penal në Prokurorinë e Tiranës. Prokuroria ka regjistruar procedimin penale Nr. 4144, duke marrë nën hetim Lul Morinën me akuzën e ndërtimit pa leje për qëllime përfitimi.
Ç’ ndodhi? Të ishte një njeri i zaknshëm, do kishte përfunduar në burg. Ndërsa Morina ka aplikuar më vonë në Agjencinë Shtetërore të Kadastrës për legalizimin e objektit pa leje në 15 dhjetor të vitit 2021, ndonëse e kishte ndërtuar pa leje. Kërkesa është refuzuar.
Morina është një prej biznesmenëve të rrallë shqiptarë që e vë në dukje pasurinë e tij në rrjetet sociale, duke postuar foto nga udhëtimet e tij, makinat e shtrenjta, një prej tyre ‘Rolls Royce’ dhe jahtin që e ka të emëruar me mbiemrin e tij ‘Morina’. Ndërsa nuk mungojnë as fotot nga hotelet luksoze në jug të Shqipërisë. Ku i gjente paratë Lul Morina? Ai ka pasur lidhje me dy biznesmenët indianë Nitin Sandesara dhe Chetan Sandesara, të shpallur në kërkim nga India për ‘zhdukjen’ me anët të mashtrimit të 725 milionë dollarëve. Nitin Sandesaras me biznesmenin Lul Morrina kanë qenë partnerë sëbashku, madje edhe kanë investuar në ndërtimin e bizneseve të ndryshme. Më herët në media është shkruar se Lul Morina dhe Nitin Sandesaras mendohet se kanë shpenzuar mbi 33 mln USD në projekte ndërtimi në Shqipëri, duke përfshirë edhe një resort turistik në zonën më të vizituar të rivierës shqiptare. Në media është shkruar se Julian Morina e përfundoi ndërtimin e resortit ‘Morina Palace’ menjëherë pasi nënshkroi një marrëveshje bashkëpunimi me Sandesaras.
Nuk e dimë se si të gjitha këto i kanë shpëtuar kryeministrit, kryebashkiakut, policisë dhe drejtësisë. Prandaj aksioni-spektakël i ditës së djeshme ka ngjallur çudi tek ata që i kanë dëgjuar këto bëma të Lul Morinës.
Pas puthjes në kokë, i merr katet shtesë
IKMT ka sekuestruar edhe disa kate ndërtimi pa leje të Pëllumb Salillarit (biznesmeni i privilegjuar me një puthje në kokë nga vetë kryeministri para ca kohësh). Veliaj dhe Rama e kanë përfshirë këtë oligark në aferat më të mëdha korruptive të ndërtimit në vend. Dje në mëngjes është raportuar se, një shtesë pa leje në një pallat në ndërtim në zonën e Farkës në Tiranë, me një sipërfaqe 1200 me 2 është sekuestruar në kuadër të vendimit të qeverisë për konfiskimit e ndërtimeve pa leje.
Pse nuk vazhdon “aksioni” në qendër të Tiranës?
Show me oligarkë, si Morina e Salillari, i duhet Ramës për të ushqyer përrallën se po godet pasanikët për të ndërtuar shtetin dhe strehuar nevojtarët. Kryeministri, po ashtu ka nevojë për të larguar vëmendjen nga skandalet e tjera si inceneratorët, energjia dhe vjedhja me çmimet e naftës, apo për të fshehur aferat që ka thurur vetë me këta oligarkë. Nga ana tjetër, në mënyrë diabolike, Rama e dërgon “aksionin” në periferi. Pra, atje ku edhe i “shpëtojnë” syrit të qeverisë dhe Bashkisë pallatet pa leje. A do të ndodhë e njëjta gjë edhe në qendër të Tiranës, të paktën tek pallati që po “bërtet”, ngjitur me Sheshin Skënderbej? Është fjala për përbindëshin e betonit “Eyes of Tirana”.
Që nga viti 2018, një pallat gjigant po ngrihet çdo vit dhe të paktën 7 katet e fundit i ka pa leje. Ky është projekti e quajtur “Eyes of Tirana”, që në të vërtet vetëm se po e blindon qytetin dhe verbon qytetarët. “Eyes of Tirana” është projektuar si një ndërtesë e madhe e 26 katëshe, e cila do të operojë si hotel nga një markë ndërkombëtare e hotelerisë, teksa zhvilluesi në Tiranë është Edil Al. Por, sigurisht që në 2018 kur kanë nisur punimet e deri më tani, në projekt janë futur edhe kompani të tjera oligarkësh, të cilët kanë shtuar edhe disa kate të tjera pa leje.
Gjatë këtij viti mbi kullë janë shtuar 7 kate pa leje në lartësi dhe 1 kat shtesë nëntokë, ndërsa IKMT, IMT e Tiranës, Policia e Bashkiake, Veliaj, Balluku, Rama nuk kanë ndërhyrë edhe pse kalojnë aty çdo ditë. Në këto raste Balluku e bën një sy qorr, sepse oligarkët që po vazhdojnë punimet në këtë projekte janë dy miqtë dhe klientët e kryeministrit Edi Rama: oligarku Artan Dulaku dhe trafikanti, kontrabandisti dhe vrasësi Armand Nazmi Lilo, kunat i Fatmir Xhafajt .
Armand Lilo rezulton i përfshirë edhe me ish-Ministrin tjetër të Brendshëm Saimir Tahiri, i cili ndodhet në burg. Në makinën e Lilos, një fuoristradë tip Range Rover, me targa AA 718 OS, të cilin e kishte në përdorim Orest Sota, policia gjeti dy patenta skafi të Saimir Tahirit dhe 863 mijë euro. Aktualisht përflitet se ai është edhe një lidhje e fortë e kryetarit të Bashkisë së Tiranës, Erion Veliaj. Të gjithë institucionet ligjzbatuese e dinë, që Tan Dulaku dhe Armand Lilo i firmës “Arlis Shpk” kanë shtuar 7 kate në lartësi te kulla me emrin “Sytë e Tiranës”, që ndodhet mu në zemër të kryeqytetit.
Edi Rama ka marrë 3 raportime nga IKMT-Qendrore, nga IMT e Tiranës e sidomos nga SHISH, i cili e ka vënë në dijeni, se kjo kullë me vlerë 250 milionë Euro, po ndërtohet me të ardhura nga droga, pastrimi i parave e krime të tjera. Edhe për këtë pikë, kryeministri e dinte qysh para 12 dhjetorit 2017, kur dha lejen e ndërtimit për Tan Dulakun nën maskën e firmës “Concord Investment” e gjoja investitorë firmën “Al Habtoor investimet LLC” nga Dubai. Gjithashtu, bëhet me dije se në këtë ndërtim ka marrë pjesë edhe kompania “MEDITERRANEAN INVESTMENT GROUP”, SH.P.K , e cila në tetor të viti të shkuar ka marrë nga qeveria me vendim të Këshillit të Ministrave titullin investitor strategjik. Në vijim të kësaj logjike, a do të preken nga ky vendim edhe 8 kullat e “Kastratit” te Parku i Liqenit Artificial. Nuk besojmë se aksioni do të shkojë përtej trukut. Pasi, këto ditë Pëllumb Salillari, pas “sekuestros” , vazhdoi i qetë ndërtimin e katit tjetër tek pallati në Farkë.Zhurmat e makinerive që derdhin betonin në katin e ri pa leje, tregojnë se këto aksione janë thjesht një lojë./ Esmeralda Hida./
©️Copyright Gijotina.com
Ky artikull është ekskluziv i Gijotina.com, gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”. Shkrimi mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar Gijotina.com dhe në fund të vendoset linku i burimit, në të kundërt çdo shkelës do të mbajë përgjegjësi sipas Nenit 178 të Ligjit Nr/ 35/2016.