Në mëngjesin e një dimri, dikur në mesin e viteve ’70, mes morisë së shkresave që ju vendosën para Enver Hoxhës, në dosje ishte dhe një letër e ardhur nga Rrësheni. Autoritetet lokale te regjimit raportonin për fshesaren e rrugëve të qytetit të humbur të quajtur… Musine Kokalari. Me një shkrim nervoz diktatori bëri shënimin: Akoma gjallë është rrospia?
Kishin kaluar mbi 30 vjet që nga koha kur një nga gratë më të ditura dhe të bukura të Shqipërisë kishte nisur kalvarin e vuajtjeve. Dy vëllezër të pushkatuar që në ditët e para kur krerët komunistë zaptuan hotel “Dajtin”. Më pas do vazhdonte burgu, librat e saj do të ndaloheshin. Dekadat e jetës që kaloi deri sa e çuan për në banesën e fundit, hipur në karrocën e plehrave, ishin vetëm tortura fizike, përbuzje, vuajtje nga të cilat dhe vdekja ishte e pafuqishme ta shpëtonte.
Dhe më naivët nuk prisnin që në intervistën e fundit e veja e diktatorit të fliste për Musine Kokalarin, për krimet e të shoqit, për urinë në kuptimin e mirëfilltë biologjik në të cilën e la vendin kur iku nga kjo botë, për shumë e shumë gjëra serioze për të cilët njeriu në atë moshë mund të ketë një breje ndërgjegje, sigurisht nëse ka një të tillë. Kaq shumë ka shkruar këto 30 vitet e fundit për të mbrojtur çmendurisht, pacipësisht krimet e burrit të saj sa nuk besohej se do ndryshonte kurs. Në atë rrëfim totalisht mediokër, ku i vetmi kuriozitet ishte si ia lypi Enveri tek shtëpia e Bije Vokshit, nuk kishte asnjë surprizë nga Nexhmija që njohim. E vetmja ndjesi që pata duke lexuar intervistën, ndonëse u përpoqa të fshihja thellë në subkosheincë, ishte ai shënim që burri i saj kishte bërë për një grua tjetër: Akoma gjallë është rospia?
Logoreja e Nexhmijes është një grimcë në malin e fatalitetit tonë. Jemi të fundit që u bëmë shtet i pavarur, kishim regjimin më kriminal nga gjithë vendet komuniste, të fundit që po integrohemi në Evropë, të fundit që rrëzuam komunizmin. Në fakt e kemi merituar Nexhmijen. E kemi merituar ose më saktë burri i saj la pas një shkretëtirë ku nuk mbin gjë tjetër veçse gjëmbaçe urrejtjeje dhe mjerimi. Zhduku gjithë elitat . Disidenca e Klubit “Petëf” në Budapest, apo Grupi 77 në Pragë as mund të imagjinoheshin në Shqipërinë që la pas Enverr Hoxha. Kjo është dhe arsyeja e antikomunizmit surrogato që emëroi pasuesi i Enverit. Kjo është arsyeja përse u bë gjyqi i kafeve dhe jo i regjimit. Kjo është arsyeja përse Nexhmija Hoxha nuk pati fatin e Elena Causheskut. Kjo është arsyeja përse ajo guxon të kërkojë rehabilitimin e burrit të saj kur askush nga ata që ajo pranon te pularia ta pyesë qoftë dhe në mënyrë evazive: Ç’ishte kjo që na ndodhi 50 vjet ?
Enver Hoxha la pas një shkretëtirë të tillë që dhe gjashtë vjet pas vdekjes alternativë e vetme politike të ishte një mjek ambicioz që për të çarë në jetë i duhej ti servilosej djalit të diktatorit. Imagjinoni pak Valesën të bënte gjithçka të tillë. Por dhe në të majtë situata nuk është më e mirë. Ngrefosjet dhe intonacionet e zërit të Koços janë gjithashtu një surogato e “komandantit”. Dhe për këtë arsye nuk duhet të çuditemi aq shumë nga ato që molloisi Nexhmija.
Ende nuk e kam kuptuar plotësisht si drejtuesit e regjimit komunist mund të ndahen dy grupe. Ata si Nexhmija apo si udhëheqësi tjetër i lavdishëm Muho Asllani në rrëfimet e tyre thonë vetëm se vuanin kaq shumë sa nuk e mbyllnin dot 15-ditëshin dhe pjesa tjetër, ata që u bënë viktima të paranojës së diktatorit përfunduan në burgun e Spaçit apo Burrelit. Njëri prej tyre, Bedri Spahiu nxitoi të rrëfejë kujtimet e tij që në çastin e parë kur ju krijua mundësia. Bedri Spahiu dëshmoi krimet e tij dhe të Enverit, kërkoi ndjesë publike duke ikur nga kjo botë me shpirtin e lehtësuar. Në burgun e Burrelit kishte qenë në një qeli me Pjetër Arbnorin. Shumë vite më parë, Mandela shqiptar do më fliste me respekt për karakterin e fortë të ish- anëtarit të byrosë politike. Një tjetër karakter njerëzor është padyshim Liri Belishova.
Nuk kam njohur grua më të fortë dhe të mëncur . Në vitin 1961 ishte anëtare e byrosë politike kur kundërshtoi diktatorin në vendimin e tij për ta bërë Shqipërinë vendin më të izoluar të botës. 30 vjet i kaloi në burgje e internim, ku i vdiq dhe e bija, e bukur si Drita. I shkruajti Nexhmijes si shoqe e dikurshme e Institutit “Nëna Mbretësha”, i lutej që ta lejonte të sillte nga internimi për tu kuruar në Tiranë të bijën që vuante nga kanceri.Liri Belishova ende nuk ka marrë përgjigje.
Pavarësisht se është nga gratë më të vuajtura të diktaturës, Belishova sa herë shfaqet në publik kërkon ndjesë për krimet e diktaturës. Kurrë nuk do ta harroj intervistën që pata dhjetë vjet më parë. Tërësisht falë meritës së saj intervista ishte një autopsi e diktaturës. Pasi dolëm nga studio e ftova në kafe. Nuk mundem, më duhet të shkoj te vëllai që është në prag të vdekjes, tha me syrin e vetëm që ju mbush me lot. Shtanga. Përse nuk më thatë, intervistën mund ta bënim një kohë tjetër, i thashë i zënë në faj. Absolutisht jo, duhet të vija patjetër sepse sa të kem frymë do flas për çfarë kemi kaluar, mu përgjigj.
Tre ditë më pas, në Sanatoriumin e Tiranës, Bardhyli dha shpirt.
Shqiptarja.com