Ka than' i moçmi: 

“Shqiptari e ka zakon që kundështon para se të marrë vesh".

                          -Faik Konica

A është legjitim Kuvendi i Shqipërisë?

Nga 27.al 0

Nga Neritan Alibali*

Kuvendi i Shqipërisë, prej më shumë se dy muajsh, numëron në përbërje të tij 122 deputetë, 18 më pak se numrii detyrueshëm prej 140 deputetësh, përcaktuar nga neni 64/1 i Kushtetutës së Shqipërisë. Shkak u bë pamundësia e KQZ për plotësimin e vakancave të krijuara nga djegia e mandateve të deputetëve të opozitës, për shkak të përfundimit të listave shumë emërore të kandidatëve të saj. Pyetja që shtrohet është, nëse mungesa përfundimtare e 18 deputetëve e ka vënë në pikëpyetje legjitimitetin e Kuvendit dhe nëse po, a çon kjo në shpërndarjen e parlamentit dhe thirrjen e zgjedhjeve të parakohëshme?!

Kushtetuta e Shqipërisë ka përcaktuar shprehimisht vetëm tre raste kur mund të shpërndahet Kuvendi dhe të shkohet në zgjedhje të parakohëshme: Kur Kuvendi dështon të zgjedhë Presidentin e Republikës (neni 87/5); kur Kuvendi dështon të zgjedhë kryeministrin (neni 96); dhe kur Kryeministri i kërkon Presidentit të Republikës shpërndarjen e Kuvendit, pasi mocioni  i  besimit i paraqitur prej tij, votohet  nga  më  pak  se  gjysma  e  të  gjithë anëtarëve të Kuvendit (neni 104). Në të gjitha këto raste, Kushtetuta kërkon shpërndarjen e parlamentit për shkak të krizës së mazhorancës, pra, kur qeveria humb shumicën në parlament. Madje, edhe rasti i dështimit të zgjedhjes së Presidentit (parashikuar në nenin 87/5), pas ndryshimeve kushtetuese të vitit 2008, nuk mund të konsiderohet më si krizë e paralmentit, por si krizë ekskluzive e mazhorancës, për faktin se tashmë në votimin e katërt dhe të pestë, presidenti mund të zgjidhet me votat e shumicës së të gjithë deputetëve, çka do të thotë, me votat e mazhorancës parlamentare.

Nga ana tjetër, Kushtetuta nuk parashikon tekstualisht, në asnjë rast, krizë të vet institucionit legjislativ, sikurse është edhe mos plotësimi i numrit 140 të deputetëve por e ka përcaktuar atë si të palëvizshëm, një herë e mirë.

Pra, aktualisht, nuk kemi një krizë klasike të mazhorancës qeverisëse, pasi ajo vazhdon të ruajë shumicën prej 74 deputetësh, të çertifikuar në zgjedhjet e vitit 2017, por kemi një krizë të parlamentit, i cili është i gjymtuar në përbërjen e tij. Porcilat janë pasojat që rrjedhin nga mungesa përfundimtare e 18 deputetëve në përbërjen e parlamentit? Pasoja e parë është rënia në krizë e vet parlamentit. Sepse neni 64/1 i Kushtetutës përcakton se “Kuvendi përbëhet nga 140 deputetë, të zgjedhur me sistem proporcional me zona zgjedhore shumëemërore”. Pasoja e dytë është humbja e legjitimitetit të tij. Sepse megjithëse vet Kushtetuta nuk jep një zgjidhje për raste të tilla të mos plotësimit të numrit të përcaktuar të deputetëve të parlamentit, Gjykata Kushtetuese ka dhënë një interpretim shterues për këtë çështje. Kjo gjykatë ,në Vendimin nr.44, dt. 7.10.2011, “Lidhur me momentin e fillimit dhe të mbarimit të mandatit të deputetit sipas nenit 71/1 të Kushtetutës”, (të cilin unë e kam paraqitur në një shkrim të botuarpara do kohësh në një gazetë të përditëshme), në paragrafin 19 të tij, ka vlerësuar se:“koncepti i mandatit parlamentar përmban detyrimin e përfaqësimit real të zgjedhësve. Populli merr pjesë në vendimmarrjen parlamentare nëpërmjet tërësisë së anëtarëve të tij dhe për këtë qëllim duhet të garantohet pjesëmarrja e të gjithë deputetëve në vendimmarrje sipas kuadrit kushtetues të parashikuar për sistemin demokratik-parlamentar”. Mbi bazën e këtij vlerësimi, Gjykata Kushtetuese konkludon se: “Vetëm duke qenë plotësisht efektiv, pra i përfaqësuar tërësisht me të gjithë anëtarët e tij, parlamenti mund të realizojë funksionin e tij demokratik”. Më tej, në parag. 21 të Vendimit ,theksohet se: “çdo deputet është i rëndësishëm individualisht dhe si i tillë përbën një element të pandashëm nga tërësia e parlamentit”. Pra, bazuar në nenin 64/1 të Kushtetutës së Shqipërisë dhe Vendimin nr.44/2011 të Gjykatës Kushtetuese, mungesa përfundimtaree 18 deputetëve, e bën Kuvendin e Shqipërisë, në mënyrë automatike, jolegjitim. Mungesa e legjitimitetit të parlamentit sjell dy pasoja të rëndësishme: së pari, nevojën e shpërndarjes së Kuvendit dhe shpallje ne zgjedhjeve të parakohëshme parlamentare; dhe së dyti, delegjitimon të gjitha aktete nxjera nga Kuvendi që prej shpalljes zyrtare nga KQZ i pamundësisë  së plotësimit të vakancave. Shpresa apo besimi i përgjithshëm i opinionit publik se me krijimin e Gjykatës Kushtetuese do të zgjidhen të gjitha moskuptimet në lidhje me një numër situatash të krijuara për shkakt të interpretimeve të ndryshme që u bëhen dispozitave kushtetuese, nuk mund të përfshijë edhe çështjen e numrit të deputetëve në parlament, pasi Gjykata Kushtetuese, e ka zgjidhur në mënyrë përfundimtare këtë çështje. KQZ, sapo konstatoi pamundësinë e plotësimit të vakancave për shkak të përfundimit të listave të kandidatëve të opozitës, duhej të njoftonte zyrtarisht kryetarin e parlamentit. Kryetari i parlamentit, nga ana e tij, duhej të vinte në dijeni Presidentin se Kuvendi, për shkak të pamundësisë së “plotësimit të detyrimit kushtetues të përfaqësimit real të zgjedhësve, nuk mund të realizonte funksionin e tij demokratik” dhe për këtë arsye, t’i kërkonte kreut të shtetit shpërndarjen e parlamentit. Pas kësaj, Presidenti, duke u mbështeturnë nenin 65/3të Kushtetutës,duhej të shpërndante menjëherë parlamentin dhe të caktonte datën e zgjedhjeve “jo më vonë se 45 ditë pas shpërndarjes së tij”.

Sot jemi më shumë se dy muaj me vonesë, dhe kjo situatë ka sjellë një pasojë shumë të rëndë: delegjitimimin e të gjitha akteve të nxjerra nga parlamenti gjatë gjithë kësaj periudhe. Sepse ekziston një parim, sipas të cilit, një akt, nuk mund të jetë i ligjshëm nëse nxirret nga një institucion i paligjshëm. Nisur nga kjo, krahasuar me të tjerët, proçedura e shkarkimit të Presidentit nga mazhoranca socialiste, është akti më i pavlerë në këtë periudhë delegjitimiteti të parlamentit. Problemi i vërtetë janë ligjet që mbështesin reformën në drejtësi dhe aktet e tjera ligjore të miratuara ndërkohë. Sado cilësorë e të nevojshëm të jenë këto akte, ato do të jenë të cënueshëm në të ardhmen nga çdo subjekt që preket prej tyre, të cilët do të kenëtë drejtën dhe mundësinë t’i godasin ato në Gjykatën Kushtetuese si akte antikushtetuese. Dhe jo vetëm atje, por edhe në Gjykatën e Strasburgut. Ky do të ishte një dëm i jashtëzakonshëm për vendin.

Nga ana tjetër, në situatën e krijuar, duan apo nuk duan mazhoranca dhe opozita, vëndi ka detyrim kushtetues për të shkuar në zgjedhje të parakohëshme. Duke i qëndruar afatit të përcaktuar në nenin 65/3 të Kushtetutës, Presidenti, nëse do t’i qëndrojë idesë për të bërë më 13 tetor edhe zgjedhje parlamentare, ka të drejtë ta shpërndajë parlamentin duke filluar nga dt. 30 gusht. Por duke qënë se parlamenti është i shpërndarë për pushimet e vitit, shpërndarja e parlamentit mund të dektretohet menjëherë pas mbledhjes së tij në sesion të zakonshëm, të hënën e parë të shtatorit. A do të ndodhi vërtet kështu? A do të mundet të zgjidhet kjo krizë e papreçedent mbi bazën e kuadrit kushtetues? Askush nuk mund ta parashikojë!

Sot po përjetojmë ngjarje dhe zhvillime të tilla,  të cilat do të hyjnë në historinë e Shqipërisë si epoka e stanjacionit të përgjithshëm institucional të shtetit. Mish mashi institucional dhe amullia juridike ka arritur deri në absurditete të tilla sa që nën shembullin e KQZ-së që e shpall veten “live” gjykatë, edhe Akademia e Shkencave i lejon vetes luksin që “rrëzojë” dekretin e Presidentit si absolutisht të pavlefshëm. Një preçedent ky,  që i jep të drejtënçdo subjekti të njohur me ligj si institucion publik, ta shpalli veten gjykatë sa herë e sheh të nevojshme. Kjo amulli e përgjithshme, ka çuar në disintegrimin e pushteteve,të përcaktuara në sistemin konstitucional të shtetit shqiptar. Parimi i kontrollit dhe ballancimit të pushteteve nuk funksionon më. Sot, pushteti legjislativ, pushteti gjyqësor dhe pushteti lokal janë në amulli të plotë. Vetëm pushteti ekzekutiv, pra qeveria, shfaqet mëe fortë se kurrë. Kjo fuqi e saj, tashmë ka kapërcyer përtej frymëssë Kushtetutës, e cila ka si synim kufizimin e pushtetit të qeverisë, pushtet të cilin, nëse kapërcen limitet e caktuara, e konsideron kërcënim real për liritë dhe të drejtat e qytetarëve.

*Autori është lektor i të drejtës kushtetuese

Loading...

Lini një koment

Adresa juaj e Email-it nuk do të bëhet publike

Mund të përdorni HTML tags dhe atributet: <a href="" title=""> <abbr title=""> <acronym title=""> <b> <blockquote cite=""> <cite> <code> <del datetime=""> <em> <i> <q cite=""> <s> <strike> <strong>

Ky sajt përdor Akismet-in për të pakësuar numrin e mesazheve të padëshiruara. Mësoni se si përpunohen të dhënat e komentit tuaj.

gjithësej