Nga Flamur Kuçi
Po Lul, ia dole që familjen më të rëndësishme politike të 25 viteve të fundit ta shndërrosh në një barceletë. Ia dole, që ta shndërrosh në një brigatë brigantësh pa fytyrë, pa emër, pa ide e parime, pa moral e pa dije. Pasi, si hileqar i vogël, ndjeve të nevojshme të vjedhësh edhe një gjë të falur, ia dole ta përçash, ta thërrmosh e ta shesësh për pjesë. Në fakt e trajtove ashtu siç shumë nga ne prisnim; siç trajton fëmija i llastuar pronën e falur, për të cilën nuk ka derdhur asnjë pikë djerse.
Po Lul, pasi e përdore familjen politike për të pasuruar në vjedhje familjen biologjike, ia dole që ta rudhësh duke e “udhëhequr” nga humbja në disfatë. Asnjë ditë të vetme nuk të hëngri meraku për ta rritur e forcuar këtë familje politike. Përkundrazi, dobësimi i saj të pasuroi. Pasi e përçave për ta sunduar, pasi ndërtove oborrin tënd të eunukëve, ia dole ta kthesh në një plaçkë për ta hedhur në pazarin e radhës.
Pa ide, pa mendim politik e pa as më të voglin aksion politik e atrofizove atë parti që forcën e kishte tek fryma që krijonte ndër njerëz më shumë se tek organizimi i vet. Forcën e parë antikomuniste e pro-perëndimore, ti Lul perëndimori, ia dole ta kthesh në një parti në konflikt me perëndimin.
Forcën politike që gjithmonë mbushte sheshet me lëvizjet popullore, ti Lul arrite ta fusje në një çadër qesharake, e cila në fakt ishte një bunker për pushtetin tënd personal. Ia dole Lul që në vend të betejës politike t’i këputësh (tamam në stilin tënd) një pazar ordiner, okult, jopolitik dhe me gjasa kriminal.
Lul, ia dole që partinë e besimit e shpresës së fillim ‘90, ta shndërrosh në një mjedis pa shpirt, pa pikë besimi, ndërsa mbështetësit e saj t’i çosh në një dëshpërim ulëritës. Madje, së fundmi ia dole që partisë së parë antikomuniste t’i bjerrësh edhe atë kauzë që duhet të ishte në themel të saj.
Por ç’është më e frikshmja; Lul ti ia dole që të jesh garanti i Ramës dhe 17 Majit në PD. Në fakt, pas asaj nate Rama ka filluar të të thërrasë “kryetar”, ndërkohë që edhe themelues të PD-së nuk po të njohin më si të tillë….
Nuk jam naiv të besoj se ti ia dole i vetëm Lul. Jo jo. Ti ia dole me bekimin dhe mbështetjen e atyre që me të vërtetë kanë në dorë të ndryshojnë gjërat në PD. Rrënimi i PD-së nuk filloi me ty, ndonëse ti ia dole të thyesh edhe rekorde historike në disfata. Kjo nuk i bën ata më të mirë e më të ndershëm në raport me PD. Por, kjo nuk të bën as ty më të pafajshëm.
Ti mund të bësh kompromis me korridoret e PD-së, por si do ia bësh me mbështetësit e PD-së, me zemërimin e dëshpërimin e tyre. Një ditë, kur edhe atyre t’u soset durimi, do i hedhin zaret e tyre dhe do e kalojnë Rubikonin. Atëherë si do ia bësh?