Nga Mero Baze
Vendimi i Behxhet Pacollit për t’iu bashkuar “komandantëve” dhe për të tradhëtuar koalicionin me Vetëvendosjen dhe LDK, do t’i japë Kosovës një qeveri të re dhe një panoramë të vjetër të qeverisjes.
Qeveria e re, e cila dominohet nga 5 ministra të Pacollit, prej 4 deputetëve që ka gjithsej, është
një zgjidhje joentuziaste për Kosovën, pasi nëvend të prodhojë një politikë të re, po riciklon gjithë problemet e vjetra të Kosovës, që nga ato që kanë shoqëruar ish- komandantët, e deri tek
ato që kanë shoqëruar tipa si Behxhet Pacolli, të cilët kanë marrë avionin nga Moska në Beograd, e pastaj në Prishtinë, për të ndalur bombardimin e Serbisë nga NATO dhe për të bërë paqe me Milosheviçin.
Shkak për këtë u bë me sa duket vëllai i Milosheviçit, i cili ishte ndërkohë ambasador i Serbisë në Moskë, ku Pacolli ishte përfshirë në një tender korruptiv për rindërtimin e parlamentit rus, të hetuar
ndërkombëtarisht për ryshfete ndaj vajzës së Jelcinit.
Pacolli nuk ka dëshirë të jetë shqiptar i keq, por ka dëshirë të jetë i pasur, dhe si i tillë është bërë në Lindjen e korruptuar. Korrupsioni të mban peng dhe të mban peng dhe kur ke të bësh me çështje më të
mëdha se paraja, siç është fjala vjen, qëndrimi ndaj kombit tënd.
Ai nuk do kishte ardhur me qejf me avion nga Moska në Kosovë, sikur të mos ishin në mes paratë e Kremlinit dhe tenderi i tij problematik me vajzën e Jelcinit. Ai po ashtu nuk do ishte kaq pro oriental dhe pro liderëve të korruptuar të ish- republikave të Kaukazit, sidomos asaj të Kazakistanit, sikur dhe aty të mos ishte përdorur si biznesmen oborri.
Dhe në këtë rast, ai ka vepruar si tregtar. Kur e pa që dy blloqet politike, nuk po mundnin të formonin dot qeverinë, ai bëri pazar, shiti aleatët e tij dhe shkoi “dhëndër” tek pala tjetër, duke marrë
paraprakisht një pajë të majme.
Qeveria e re është tashmë në dorë të Behxhet Pacollit dhe pakicës serbe, ndërsa tre çështjet e mëdha të saj, të cilat duhet të çlirojnë Kosovën në Bruksel, janë çështja e kufirit me Malin e Zi, bisedimet me
Serbinë, dhe beteja kundër korrupsionit.
E vetmja parti legjitime brenda këtij koalicioni është PDK, pasi ajo i ka pasur në projekt këto pika. Ajo ka qenë pro ratikimit të kufirit me Malin e Zi, por Haradinaj u betua se do derdhej gjak po të prekeshin
livadhet, që në mënyrë të diskutueshme humbasin prej territorit të Kosovës. PDK po ashtu ishte pro bisedimeve që nisi Hashim Thaçi me Vuçiçin, por Haradinaj dhe “Nisma” i kanë kundërshtuar ato si shitje të Kosovës.
Beteja e tretë, ajo kundër korrupsionit, besoj se do vërë në siklet çdo njeri që do ta zërë në gojë me këtë qeveri. Pyetja themelore që ka ky koalicion tani, është se çfarë e bashkon atë? Programi jo, se për objektivat kryesore të Kosovës kanë qëndrime të ndryshme. Qëndrimet politike jo, pasi kanë qenë në koalicione të ndryshme parazgjedhore.
“Atdhedashuria” ngjan si fjalë cinike nëse varesh nga “LISTA” serbe dhe Pacolli. Korrupsioni duket i vetmi motiv që mund ta shtyjë para këtë shumicë të re, por mund të kthejë mbrapa Kosovën.
Opozita e re e Kosovës do të jetë për herë të parë një parti nacionaliste antieshtablishment si “Vetëvendosja” dhe një parti tradicionale proeuropiane si LDK. Dhe ky është i vetmi lajm i mirë, pasi shpresat do të jenë më shumë tek opozita se sa tek qeveria. Qeveria do të humbasë shumë kohë dhe energji për gjetur gjuhën me serbët dhe Pacollin.
“Shtegu i lig, të merr dyfekun”, thotë një fjalë e urtë popullore shqiptare. Komandantët nuk kanë më “dyfekë” praktikisht. Por dhe ndoshta nuk u duhet, që kur kanë mësuar çfarë janë paratë