Me ngritjen e organeve të reja të drejtësisë dhe veprimin e ligjit të Vetingut, në shtator të këtij viti, gjyqtarët dhe prokurorët duhet të heqin dorë nga bizneset e tyre dhe veprimtaritë e tjera fitimprurëse, në të kundërt përjashtohen nga sistemi i drejtësisë.
Gjyqtarët dhe prokurorët, të cilët do t’i mbijetojnë skenarit të trefishtë të Vetingut për ligjshmërinë e pasurive, lidhjet me krimin dhe aftësitë profesionale, duhet të shesin aksionet në shoqëritë fitimprurëse si dhe të mos ushtrojnë asnjë lloji ndikimi mbi kompanitë private.
Bizneset janë identifikuar nga ekspertët dhe ILDKPKI si një nga format më të përhapura dhe të aplikuara nga prokurorët dhe gjyqtarët për të pastruar, kamufluar dhe justifikuar paratë e korrupsionit.
Për rrjedhojë, misionet ndërkombëtare që asistojnë autoritetet shqiptare për hartimin, miratimin dhe zbatimin e Reformës në Drejtësi, propozuan kufizimin e aktiviteteve fitimprurëse të njerëzve të drejtësisë.
Kufizimet u parashikuan në ligjin për statusin e magjistratëve (prokurorëve dhe gjyqtarëve), i cili hyri në fuqi në nëntor të vitit 2016. Ashtu siç edhe pritej, gjyqtarët nisën një rezistencë kundër këtyre parashikimeve dhe kushtëzimeve të tjera, në lidhje me përfitimet e padrejta nga palët e treta, por Gjykata Kushtetuese nuk e atakoi nenin 7 të ligjit për statusin e gjyqtarëve dhe prokurorëve. Vendimi Nr. 35 datë 18.04.2017, Gjykata Kushtetuese, rrëzoi rreth 40 shkelje të mundshme që mund të kryheshin nga gjyqtarët dhe prokurorët, por nuk preku nenin që i detyron ata që të heqin dorë nga karburantet, pallatet, lokalet, zyrat e noterive, komplekset sportive, agjencitë e udhëtimeve, fermat, vreshtat, pemtoret, parukeritë etj.
Distancimi nga bizneset
Gjyqtarëve dhe prokurorëve që do të jenë pjesë e drejtësisë së re u ndalohet me ligj të administrojnë, të drejtojnë ose të ushtrojë ndikim në shoqëritë fitimprurëse, personalisht ose nëpërmjet përfaqësimit.
Atyre u ndalohet që të zotërojë në mënyrë aktive apo pasive aksione ose pjesë të kapitalit të një shoqërie tregtare, në përputhje me legjislacionin në fuqi për parandalimin e konfliktit të interesit.
Gjithashtu, magjistratëve u ndalohet të jenë ekspertë në gjykatat vendase ose arbitër në arbitrazhin tregtar.
/Shqiptarja.com/