Nga dr. Mirela Oktrova
Temperaturat e larta të të nxehtit afrikan dhe rrethimi i gjithëgjendur i zjarreve, që kërcënon mjedisin po aq sa qytetërimin tonë, s’mungojnë të lënë vulën e tyre në të gjitha diskutimet publike të kësaj vere, përfshirë edhe ato për të vetëndjerin kombëtar apo marrëdhëniet me atdheun. Shpejtësia e përhapjes së “atdhetarizmës moraliste” të ditëve të fundit në rrjetet sociale dhe morali i dyfishtë i lidhur me të, jo vetëm që krijoi përshtypjen sikur protagonistët i takonin një komuniteti tjetër, që nuk e njeh as emigracionin dhe as mohimin e prejardhjes, por evidentoi edhe një përfytyrim krejtësisht arkaik për atdheun dhe marrëdhëniet e individit me të.
Me gjithë zhvillimet globaliste dhe shkëmbimet intensive të kohëve moderne, koncepti ynë për atdheun mbetet sa folklorik, i tipit “guri i rëndë në vend të vet” aq edhe romantik, i modelit “mëmëdhe quhetë toka/ku më ka rënurë koka”. Në perceptimin tonë “atdheu është territori i të parëve”. Këtej rrjedhin dhe detyrimet ndaj tij: së pari, për prani në këtë territor dhe së dyti, për solidaritet me konstitucionin shpirtëror të komunitetit, që jeton në të.
Po ç’është në të vërtetë atdheu? Dhe ç’e përcakton marrëdhënien e individit me të?
Në një qasje shkencore moderne, atdheu është “hapësira, ku individi zbulon botën dhe mëson të hyjë në marrëdhënie me të”. Parë nga ky këndvështrim, atdheu konkretizohet:
Së pari, në aspektin biologjik ose në prirjen tonë për të imituar sjelljen e të tjerëve, që na injektohet me qumështin e nënës. Në këtë kuptim atdheu s’është as më shumë dhe as më pak, se sa mënyra si sillemi kur jemi të pavëzhguar, harta e dëshirave dhe rruga që projektojmë drejt tyre, legjenda e kontaktit tonë me botën, mënyra se si e kuptojmë sjelljen e të tjerëve dhe si reagojmë ndaj tyre. Ky kod sjelljeje na orienton edhe jashtë kufijve: kur lufta për mbijetesë heq tokën nën këmbë dhe syri nuk e sheh qiellin e atdheut, janë kujtimet ato, që ofrojnë identitet dhe rimbushin bateritë me energji për të qëndruar. Atdheu apo kodi i sjelljes së trashëguar prej tij, është busulla e identitetit të qenies – ai kuron ose thellon krizat ekzistenciale që prodhojnë diferencat kulturore me shoqëritë pritëse, shtyn drejt integrimit ose degradon në kriminalitet.
Së dyti, në aspektin psikologjik dhe gjuhësor ose në sistemin e komunikimit, që njeriu përvetëson që në fillim të jetës. Në këtë kuptim atdheu është gjuha, në të cilën belbëzojmë rrokjet e para, me të cilën shajmë, përmendemi pas humbjes së ndjenjave, flasim përçart apo ndahemi nga kjo botë… Standardi i përdorimit të gjuhës amtare paraqet nivelin e identifikimit tonë me atdheun. Ne s’mund të kritikojmë të tjerët për mungesë patriotizmi, nëse s’flasim e s’shkruajmë dot drejt gjuhën tonë. Gjuha e shndërron atdheun në një varësi, që tërheq drejt vetes. Si busulla standarde, që shënjon gjithnjë Veriun, busulla jonë emocionale orientohet nga gjuha e atdheut.
Së treti, në aspektin mjedisor ose hapësirën, ku njeriu mbledh përvojat e tij të para. Në këtë kuptim atdheu është vendlindja, toka e njohur nën këmbë, shtëpia dhe natyra, ku orientohemi symbyllur… Atdheu është më shumë se vendi i të parëve dhe më shumë se marrëdhëniet shoqërore të komunitetit, të cilit i përkasim. Atdheu është sistemi i referimit në njohjen e botës, orientimi ynë i parë në mjedisin përreth dhe kodi i deshifrimit të cilitdo mjedisi tjetër. Identifikimi i rrezikut dhe instinkti i vetëmbrojtjes, dallimi i së mirës nga e keqja, marrëdhëniet me punën apo me pronën, solidariteti me të dobëtit apo imuniteti ndaj krimit mësohen në atdhe dhe funksionojnë si liman morali gjatë gjithë jetës.
Së katërti, në aspektin social ose në komunitetin, ku njeriu nis jetën e tij. Kështu atdheu është atje ku të kuptojnë dhe i kupton, ku s’ka nevojë të shtiresh, ku jetojnë ata që do dhe që të duan… Kjo është arsyeja përse njeriu tërhiqet gjithmonë nga atdheu edhe nëse ka shëtitur botën. Prandaj sapo dikush identifikohet si bashkatdhetar, ai perceptohet si mik pavarësisht dallimeve të tjera.
Në këtë qasje atdheu është fati ynë i përjetshëm. Ai mund të jetë një fat i mirë ose i keq – një pedanë kulture, që të favorizon të fitosh botën ose një barrë Sizifi, që s’të lë të hedhësh çap, një nxitje që të fton të kontribuosh apo një motor zhgënjimesh të njëpasnjëshme, që të dërrmon çdo shpresë e motiv… Secili prej nesh sigurisht, që e ka vetë në dorë të vendosë, se si do ta shpenzojë jetën e vet – në shërbim të atdheut apo larg tij, i angazhuar apo indiferent, si patriot apo si kozmopolit. Po sido që të vendosim, atdheu do të vijojë të jetojë brenda nesh dhe ne do të mbetemi pjesë e tij – pavarësisht në jetojmë brenda apo jashtë kufijve të tij, pavarësisht në mbajmë apo jo të njëjtën shtetësi, pavarësisht nëse ai na do apo na refuzon. Atdheun mund ta përçmojmë, ta braktisim apo të tentojmë ta harrojmë, po lidhjen tonë identitare me të nuk do ta presim dot kurrë. Rasti, detyrimi apo mënyra, se si na perceptojnë të huajt, do të na rikthejë në mos njëherë në referencë të njëri-tjetrit. Dhe atëherë, duam apo s’duam, do të jemi të detyruar ta përfaqësojmë, me gjithçka të mirë a të keqe, për të cilën ai nderohet a përçmohet… .
Do të kishte qenë mirë, që secili prej nesh, ta përdorte lidhjen e tij me atdheun, jo për ta zhvatur, po për ta ndërtuar; jo për ta fyer, po për t’i shërbyer; sikurse dhe atdheu do kishte qenë mirë t’i mirëpriste dhe të mos i zhgënjente kontributorët e ndershëm. Po ja, që atdheu ka institucione, që vendosin, sikurse individët kanë fëmijë, që duhen ushqyer… Dhe për sa kohë institucionet s’janë të individëve edhe atdheut s’i duhen kontributet… Ku s’ka moral, çdo tentativë për të bërë moral, i ngjan mëkatarit, që ngre i pari gurin të godasë mëkatin…, m.gj.s. vetë nuk është i larë …
“Ubi bene, ibi patria” – atdheu është aty ku ndihesh mirë.
Atdheu nuk është thjesht vendi, atdheu është ndjesi.
Atdheu është toka e njohur nën këmbët e tua, lidhja me kulturën, gjuhën, miqtë, shtëpinë dhe natyrën, mjedisi ku orientohesh symbyllur, ku të kuptojnë dhe i kupton, ku s’ka nevojë të shtiresh dhe nuk keqkuptohesh, ku mund të lëshohesh pa frikë se mos bie. Atdheu është ku janë njerëzit që do dhe të duan, komuniteti dhe vlerat pa të cilat e ke të pamundur të jetosh.
Atdheu është mundësia për të jetuar vetveten.
Gjithçka tjetër është mashtrim dhe shndërrohet në mallkim!
/mapo.al/