Zoti Kola, donim të dinim diçka për Lidhjen e Arvanitasve të Greqisë?
-Një burrë i zgjuar dhe i zoti, me emrin Jorgo Maruga, formoi “Lidhjen e Arvanitasve të Greqi” në vitin 1981. Në vitin 1983 ky burrë i fuqishëm vdes duke lënë shumë materiale me vlera të rralla historike për arvanitasit.
Në krye të Lidhjes u caktova unë. Po atë vit botova në gjuhën greke librin me titull “Arvanitasit dhe prejardhja e grekëve”, gjë që bëri që të më sulmonin arvanitasit, të cilët nuk e dinin as historinë, as kulturën e arvanitasve, as prejardhjen e vet nga Arbëria. Duhet që ata të lexonin dhe pastaj të bënim diçka, pra më parë teoria dhe pastaj praktika.
Me disa miq të mirë filluam botimin e një reviste që e quajtëm “Besa”. Revistën “Besa” e nxirrnim një herë në tre muaj dhe arritëm të nxirrnim 35 numra. Pra, revista pati 9 vjet jetë.
Kishim probleme ekonomike, por ndoshta më mirë mos të flasim për këto, megjithëse e patëm të vështirë, vërtetë shumë vështirë. Menduam me miqtë që të botonim për vit nga një kalendar me tema arvanitase. Kalendari i parë kishte në faqet e veta fotografitë e 12 kryeministrave të Greqisë, që ishin arvanitas. Pastaj nxorëm kalendarin me 12 heronjtë të mëdhenj të Greqisë që ishin arvanitas (arbëreshë), më vonë doli kalendari “200 vjet Marko Boçari”. Nxorëm dhe kalendarit “Gruaja arvanitase”. Nxorëm edhe kalendarin e viti 2000, me bukuritë dhe kulturën mbarëshqiptare.
Mbas aktiviteteve të para, siç ishin: botimi i revistës “Besa”, dalja e kalendarit të parë dhe mbledhjet një herë në javë, vendosëm të shkonim fshat më fshat, ku banonin arvanitasit
(arbëreshët). Në fshatin e parë që shkuam, na pritën me lot në sy arvanitasit. Bëmë një takim të bukur, ku merrnin pjesë mbi 2000 veta, por u zgjuan sigurimsat e shtetit grek (ASFALIA) dhe SFEVA (organizatë për çlirimin e Vorioepirit). U futën brenda në godinë, duke bërë rrëmujë, na bllokuan dhe përzunë popullin arvanitas të fshatit. Të nesërmen, të gjitha gazetat e majta dhe të djathta shkruanin për ne, duke na sharë dhe thënë “njerëzit e Papadhopulit u zgjuan” (Papadhopuli, ish-diktator i Greqisë, që sundoi nga viti 1967-1974, ishte nga Peloponezi, ku shumica dërrmuese e popullsisë është arvanitase.
Kështu, arvanitasit u trembën dhe u larguan nga ne dhe nga Lidhja. Na luftuan ashpër, e kuptoni se çfarë u bë?!
Pse arvanitasit nuk e flasin gjuhën e tyre, pra gjuhën mëmës, tremben, kanë turp, apo…?
-Ne atë punë filluam të bënim, që arvanitasit të mësonin gjuhën e tyre. Gjuhën e mëmës, gjyshes, gjuhën e heronjve të Kryengritjes të 1821-it në Greqi. Thuaj ç’të duash, po gjuha arvanitase është gjuha e mëmës dhe e tatës sonë. Është krim ta luftosh për ta zhdukur fare atë gjuhë.
Nga ana tjetër, grekët na akuzonin se donim të zgjonim popullin arvanitas, për tu lidhur me Shqipërinë dhe shqiptarët.
A e kupton se çfarë luhej?!
Revista “Besa” është mbyllur. Tani si qëndron puna?
Revista “Besa” u mbyll, se ne nuk kishim të holla, por në vitin 1991 erdhën mërgimtarët e parë nga Shqipëria, dhe menduam që zyrën tonë, ku mblidheshim dhe bënim revistën “BESA”, ta kthejmë në qendër për mbledhjen e rrobave për mërgimtarët shqiptar. Këtë gjë e bëmë, që populli grek të kuptojë se me arvanitasit dhe me shqiptarët ata janë vëllezër, duan apo s’duan grekët, apo shqiptarët. Këtë gjë e ka thënë dhe një njeri i madh grek dhe shprehimisht kështu: “Grekët dhe shqiptarët janë vëllezër, gjërat e tjera janë përralla”.
Kur erdhën arvanitasit e parë në Greqi?
– Arvanitasit erdhën në shekullin 14, kur u shpërbë principata e Gjin Bue Shpatës, por ka pasur shumë valë të arvanitasve nga Arbëria, disa dyndje të mëdha në Greqi. Me vdekjen e Gjergj Kastriotit-Skënderbeut, erdhën në Greqi shumë, shumë arvanitas.
Pse mbas viti 1991 dhe në fillim të vitit 1992, shohim një urrejtje të grekëve ndaj shqiptarëve dhe ftohje të marrëdhënieve greko-shqiptare?
-Kur filloi lufta në Jugosllavi dhe në Bosnjë në veçanti, filloi një propagandë e keqe kundra emigrantëve shqiptarë që punonin dhe jetonin në Greqi, ishte marrëveshja ndërmjet Millosheviçit dhe politikanëve grekë. Pra Serbia, Maqedonia dhe Greqia kishin probleme me shqiptarët dhe filluan një propagandë të përbashkët kundër shqiptarëve në Ballkan.
Millosheviçi, ai maskarai, i mashtroi politikanët grekë, duke u premtuar se do ta ndanin me Greqinë Rep. e FYROM-it (Maqedoninë) dhe nuk do të kishte më Republikë e Maqedonisë. Në atë kohë kur grekët mësuan se Shkupi do të quhej “Rep e Maqedonisë”, në Greqi kishte filluar një kundërshtim i madh, ishin lëvizur dhe gurët për të mos e lënë Shkupin të quhej “Rep. e Maqedonisë”. Kështu, në skenë doli Millosheviçi, duke u premtuar grekëve se FYROM-i do të ndahet ndërmjet Jugosllavisë dhe Greqisë.
Por Millosheviçi u kërkoi grekëve që, mbasi të fitonte luftën me Bosnjën dhe me Kroacinë, të pastronte Kosovën nga shqiptarët. Atëherë grekët duhej të krijonin ndonjë problem fals, të rremë,në Jug të Shqipërisë me minoritetin grek që jeton aty, me qëllim që vëmendja e politikës dhe ushtrisë të Shqipërisë të përqendrohej në jugun shqiptar. Serbia në atë moment do të zhdukte nga Kosova, me luftë, të gjithë shqiptarët e atjeshëm,sepse politika shqiptare do të përqendrohej në Jug, ku grekët dotë provokonin rrëmujë dhe, kështu, shqiptarët e Kosovës do të braktiseshin nga shteti amë Shqipëri.
(Ky ishte plani i Millosheviçit që mashtroi grekët në politikën e tyre të vitit 1992-1995. Provokimet greke në Jugun shqiptar nuk munguan nga ana e grekëve, p.sh. më 1993 përzihet një prift grek nga Gjirokastra, z.Kristo Stamos, si person ipadëshirueshëm. Më 1994 pesë grekë arrestohen dhe akuzohen për veprimtari në dëm të shtetit shqiptar. Më 10 prill 1994, një komando terroriste e organizatës MAVI sulmon një repart ushtarak shqiptar në fshatin Peshkëpi të Gjirokastrës, duke vrarë kapitenin Fatmir Shehu dhe ushtarin Arben Gjini. Piloti grek Kosta Vrakas hedh fletushka nga avioni I tij në Jugun e Shqipërisë me shkrime kundër kryetarit të shtetit shqiptar prof.dr.Sali Berisha, më 21 gusht 1994. Unë këto i kam shkruar në librin tim me titull “Greqia në kurthin e serbëve të Millosheviçit”, botuar më 1995 në gjuhën greke dhe më 1998, në gjuhën shqipe.
Kundër shqiptarëve u vunë komunistët e deri tek të djathtët në Greqi; partitë, gazetat, televizionet ishin me serbët dhe shpreheshin kundra shqiptarëve.
Unë në atë kohë shkruaja i vetëm dhe u thoja grekëve: “Ku shkoni, mor të paditur, të luftoni kundra vëllezërve?! Ne jemi vëllezër me shqiptarët dhe jo me serbët”.
Pastaj u sëmura rëndë nga mërzia e madhe, se po luftoja i vetëm. Për një çast e pashë se isha i vetëm për të mbrojtur çështjen e shqiptarëve të Kosovën dhe dhashë dorëheqjen si Kryetar i Lidhjes së Arvanitasve të Greqisë. Në krye të Lidhjes në fillim u vu Jorgo Gurizis. Më vonë bëmë votimet dhe u zgjodh Jorgo Mihas në krye të Lidhjes. Në këtë kohë unë, për të ndihmuar propagandën shqiptare dhe në veçanti shqiptarët e Kosovës, me shpenzimet e mia personale botova revistën“ARVANON”, një revistë e bukur, që u pëlqye shumë në Greqi. Përsëri u sëmura rëndë dhe më duheshin të holla për spital dhe mjekët. Kështu, u mbyll edhe revista “ARVANON”.
Nuk kisha më forca, nuk isha më i ri si atëherë, kur çdo javë mbanim seminare për gjuhën arbërore fshat më fshat, ku banojnë arvanitasit (arbëreshët).
Sa arvanitas ka në Greqi?
Asnjë nuk e di, janë në miliona, sepse të pakët janë ata njerëz në Greqi që nuk e kanë gjyshen apo gjyshin arvanitas.
Ka fshatrat të tëra me arvaniats, si p.sh. Thiva, Poleponezi, Korinthia, Arkadia, Spata, Atikia, Eubea, ishujt Idra, Speca,Andro etj. Atje ku arvanitasit janë të përqendruar në numër të madh, gjuha arvanitase vazhdon të flitet edhe deri më sot. Atje ku arvanitasit janë në pakicë, gjuha arvanitase ka humbur. Por gjuha arvanitase nuk është gjuhë e punës së përditshme. Ajo është gjuhë e zemrës, e mëmës dhe e tatës, është gjuha e shtëpisë, e vatrës. Në qoftë se rritesh pranë gjyshit dhe gjyshes, ashtu siç u rrita unë, e mëson gjuhën arvanitase, sepse tata dhe mëma janë në punë të shumtin e kohës.
(Nga libri Aristidh Kola dhe shtypi shqiptar. Arben Llalla)
/konica.al/
Comments 1