Deputetët e rinj të Kuvendit të Shqipërisë do të duhej të kishin kaluar në sitën e Autoritetit për Hapjen e Dosjeve të Komunizmit, por në fakt kjo nuk ka ndodhur.
Janë vetëm dy subjekte politike, PDIU dhe APD, që kanë paraqitur kërkesën e tyre gjatë fushatës elektorale për verifikimin e të shkuarës së kandidatëve për deputetë gjatë regjimit komunist.
Nga PDIU arritën të fitojnë garën vetëm tre deputetë, ndërsa APD nuk ia doli të përfaqësohet në Kuvendin e ri me një deputet.
Për pasojë rezulton se vetëm tre deputetë të Kuvendit të Shqipërisë, dalë nga zgjedhjet e 25 qershorit, janë verifikuar për të shkuarën e tyre në kohën e komunizmit. Për 137 të tjerë, ne nuk dimë asgjë për të shkuarën e tyre në komunizëm.
Shumë prej deputetëve të Kuvendit të ri i përkasin një brezi të ri, mosha e të cilëve nuk ka lidhje me të shkuarën komuniste, por ka gjithashtu një numër të konsiderueshëm deputetësh që kanë nisur karrierën e tyre në fusha të ndryshme para vitit 1990, pra gjatë regjimit komunist.
Për ta do të duhej të kishte një verifikim përmes Autoritetit, bazuar në ligjin për hapjen e dosjeve të Sigurimit të Shtetit.
PD, PS, LSI e të tjera parti e kanë refuzuar këtë hallkë, duke lënë kështu të qetë atë kontigjent politikanësh që kanë hyrë në politikë duke e nisur karrierën e tyre si bashkëpunëtorë të Sigurimit të Shtetit apo edhe si hetues, gjyqtarë apo anëtarë të strukturave të rëndësishme drejtuese të PPSH-së.
Skënder Vrioni, Përgjegjës i Sektorit të Kërkesave për Informim nga Institucionet, pranë Autoritetit të Hapjes së Dosjeve, flet për detaje të punës së këtij isntitucioni.
Vetëm 75 kandidatë për poste të larta drejtuese në administratës shtetërore kanë kaluar përmes verifikimit të këtij institucioni. Në një intervistë për Mapo.al, Vrioni jep shifra të personave që kanë kaluar sitën e këtij institucioni si dhe detaje rreth verifikimit të anëtarëve të komisioneve të vettingut.
A ka raste kur janë verifikuar emra që sot janë pjesë e sistemit të drejtësisë dhe që do të duhet të dorëzojnë detyrën për shkak të këtij neni që i ndalon të vazhdojnë të jenë pjesë e sistemit të drejtësisë?
Neni 179/b i Kushtetutës, Ligji nr.84/2016, “Për vlerësimin kalimtar të gjyqtarëve dhe prokurorve në Republikën e Shqipërisë”, Ligji 115/2016 “Për organet e qeverisjes së sistemit të drejtësisë” është kuadri ligjor për të verifikuar anëtarët e sistemit të drejtësisë
Po kemi 3 (tre) kërkesa të paraqitura nga Institucioni i Avokatit të Popullit dhe 1 (një) kërkesë nga Shoqëria Civile, lidhur me vlerësimin e cilësive etiko morale të kandidatëve që kanë aplikuar për anëtarë në institucionet e vetingut si, anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor, anëtarë Këshillit të Lartë të Prokurorisë.
Autoriteti ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyrë, në institucione të rëndësishme, përfshirë këtu edhe anëtarë të nstitucioneve të vetingut, referuar dispozitave të ligjit nr.45/2015.
Sa më sipër, referuar objektit të kërkesës së paraqitur nga Institucioni i Avokatit të Popullit apo Shoqëria Civile, mbi bazën e verifikimit të dokumentacionit të administruar dhe vendimmarrjes së Autoritetit, sipas Nenit 29 të Ligjit 45/2015, “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, kemi përfunduar në kohë reale dhe sipas standarteve të kërkuara, procedurën e vlerësimit të cilësive etiko morale:
- të 197 (njëqind e nëntëdhjet e shtatë) kandidatëve që aplikuan për t’u zgjedhur si anëtarë të Komisionit të Pavarur të Kualifikimit, si dhe gjyqtarë të Kolegjit të Posaçëm të Apelimit, brenda afateve kohore të parashikuara nga legjslacioni në fuqi.
- të 25 (njëzet e pesë) kandidatëve që aplikuan për t’u zgjedhur si anëtarë të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ) dhe Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP),
- të 3 (tre) kandidatëve që aplikuan për t’u zgjedhur si anëtarë Këshillit të Lartë të Prokurorisë (KLP), nga rradhët e Avokatit të Popullit.
- të 8 (tetë) kandidatëve, që kanë aplikuar nga Shoqëria Civile, për pozicionin e anëtarit të Këshillit të Lartë Gjyqësor (KLGJ).
A pati kërkesa gjithashtu lidhur me pastërtinë e figurës së kandidatëve për deputetë në zgjedhjet që sapo kaluan dhe në se institucionet partiake kërkuan verifikim kandidatësh, a ka një listë emrash që janë skualifikuar nga institucioni juaj si pasojë e ligjit?
Autoriteti për Informimin mbi Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit të Republikës së Shqipërisë (Autoriteti), në përmbushje të parashikimeve ligjore të nenit 30, të Ligjit Nr. 45/2015 “Për të Drejtën e Informimit për Dokumentet e Ish-sigurimit të Shtetit të Republikës Popullore Socialiste të Shqipërisë”, ka detyrimin t’i përgjigjet çdo kërkese të paraqitur jo vetëm nga kandidatët për deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, por dhe kërkesave të paraqitura nga subjektet zgjedhore, të cilët paraqesin lista shumemërore kandidatësh për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, apo kandidatë për të zgjedhur vendor, në lidhje me ekzistencën e informacioneve për ta, në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, për periudhën 29 nëntor 1944 deri më 2 korrik 1991, për të cilët është kërkuar verifikimi i figurës, për qëllime të transparencës, gjatë fushatës elektorale.
Kur kërkesa është paraqitur nga subjektet, Autoriteti i informon ato, nëse figurojnë si:
- a) anëtar ose kandidat i Byrosë Politike, anëtar i Komitetit Qendror të Partisë së Punës të Shqipërisë, anëtar i Presidiumit të Kuvendit Popullor, Kryetar i Gjykatës së Lartë, Prokuror i Përgjithshëm, Kryetar i Hetuesisë së Përgjithshme, anëtar i Këshillit të Ministrave, kryetar i degëve të punëve të brendshme, anëtar i Komisionit Qendror të Dëbim Internimeve, hetues, prokuror, gjyqtar në procese posaçme politike, apo punonjës i nivelit të lartë i ish-Sigurimit të Shtetit;
- b) bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji, apo denoncues ose dëshmitar i akuzës në proceset të posaçme, pas mbushjes së moshës 18 vjeç;
- c) persona me të dhëna nga ish-Sigurimi i Shtetit për spiunazh dhe terrorizëm.
Në kuadër të bashkëpunimit me subjektet zgjedhore politike, Autoriteti miratoi modelin tip “Formular- Kërkesë”, të cilin me shkresë përcjellëse ja dërgoi partive politike zgjedhore. Plotësimi i këtij formulari nga ana e subjektit, jo vetëm krijonte lehtësi në zhvillimin e procedurës, por dhe i shërbente verifikimit të saktë të figurës së kandidatit, dhe dhënien e informacionit nga ana e Autoritetit në kohën e duhur.
Pranë Autoritetit, për qëllime të transparencës, gjatë fushatës elektorale, paraqitën kërkesë për të verifikuar figurën e kandidatëve për deputet në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, vetëm (2) dy subjekte politike zgjedhore të regjistruara në KQZ për këto zgjedhje, respektivisht subjekti politik zgjedhor Partia, Drejtësi, Integrim dhe Unitet (PDIU) dhe subjekti politik zgjedhor Aleanca Popullore për Drejtësi (APD).
Sa më sipër, kemi përfunduar në kohë reale, procedurën e vlerësimit të cilësive etiko morale, mbi bazën e objektit të kërkesës, verifikimit të dokumentacionit të administruar dhe vendimarrjes së Autoritetit, sipas nenit 30 të ligjit 45/2015:
-të 144 (njëqind e dyzet e katër) kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, të propozuar nga PDIU (rezultati nese duhet te vihet apo jo).
-të 141 (njëqind e dyzet e një) kandidatëve për t’u zgjedhur deputetë në Kuvendin e Shqipërisë, datë 25 qershor 2017, të propozuar nga APD (rezultati nese duhet te vihet apo jo).
Padyshim një proces i tillë i verifikimit të kandidatëve për t’u zgjedhor, është mjaft i rëndësishëm dhe i domosdoshëm, jo vetëm për dinjitetin e tyre, por dhe për vetë rëndësinë e figurës që ata përfaqësojnë në poltoren e Parlamentit apo në organet e qeverisjes vendore, si kryetarë bashkie apo këshilltarë qarku.
Në përfundim mund të evidentojmë rolin parësor dhe mjaft të rëndësishëm të Autoritetit në zhvillimin e procedurave të sipërcituara, jo vetëm brenda standarteve të kërkuara dhe në kohë reale, por më e rëndësishmja brenda kornizave që ligji i ngarkon atij.
Ligji funksionon për të gjitha institucionet e rëndësishme të administratës publike, a ka verifikim drejtuesish e zyrtarësh nëpër institucionet të ndryshme …?
Verifikimi i zyrtarëve lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente të ish-Sigurimit të Shtetit, kur kjo kërkohet në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale të kandidatëve për t’u emëruar ose ngritur në detyrë, në institucione të rëndësishme, përfshirë këtu edhe drejtues të përfaqësive diplomatke, referuar dispozitave të sipërcituara është një nga detryrat e Autoritetit.
Institucionet që kanë detyrimin t’iu verifikohet pastërtia e figurës së zyrtarit kandidat për t’u emëruar ose ngritur në detyrë, lidhur me ekzistencën e informacioneve në dokumente e ish-Sigurimit të Shtetit, në kuadër të vlerësimit, sipas legjislacionit përkatës, të cilësive etike, morale dhe profesionale janë:
- a) President i Republikës;
- b) anëtarë të Këshillit të Ministrave, zëvendësministra, funksionarë politikë, anëtarë të trupës së nivelit të lartë drejtues në administratën shtetërore dhe pozicione të barasvlershme me to;
- c) anëtarë të Këshillit të Lartë të Drejtësisë, gjyqtarë e prokurorë në gjykatat e prokuroritë e të gjitha niveleve; ç) anëtarë të Gjykatës Kushtetuese;
- d) funksionarë në Forcat e Armatosura të Republikës së Shqipërisë, Shtabin e Përgjithshëm të Ushtrisë, Gardën e Republikës, oficerë me gradën “Gjeneral” dhe “Kolonel”;
- dh) prefektë;
- e) drejtues dhe punonjës të Shërbimit Informativ Shtetëror, Agjencisë së Inteligjencës së Mbrojtjes dhe çdo njësie tjetër të inteligjencës;
ë) drejtues në Policinë e Shtetit deri në nivel qarku dhe komisariati;
- f) drejtues të përfaqësive diplomatike; g) guvernatorë dhe zëvendësguvernatorë të Bankës së Shqipërisë;
- gj) anëtarë të Akademisë së Shkencave, rektorë, zëvendësrektorë, dekanë, zëvendësdekanë në universitetet publike;
- h) Drejtor i Përgjithshëm dhe zëvendësdrejtorë të Radiotelevizionit Publik Shqiptar;
- i) Drejtor dhe Zëvendësdrejtor i Agjencisë Telegrafike Shqiptare;
- j) çdo person tjetër i dekretuar nga Presidenti apo i zgjedhur nga Kuvendi.
Autoriteti i përgjigjet institucioneve kushtetuese dhe autoriteteve publike për zyrtarin që emërohet ose ngrihet në detyrë, përkatësisht nëse:
- a) ka qenë ose jo person në ndjekje për spiunazh apo terrorizëm;
- b) ka qenë ose jo bashkëpunëtor aktiv i ish-Sigurimit të Shtetit, sipas përcaktimeve të këtij ligji;
- c) figuron ose jo në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit.
Sa më sipër, për të mundësuar një transparencë sa më të mirë të profilit profesional të së shkuarës së figurave object verifikimi,sipas nenit 29 të ligjit 45/2015, kanë kaluar në filtrin e saj informues dhe kemi përfunduar në kohë reale, procedurën e vlerësimit të cilësive etike, morale dhe profesionale, mbi bazën e dokumentacionit të administruar dhe vendimmarrjes së Autoritetit,
-të 75 (shtatëdhjet e pesë) kandidatëve/zyrtarëve që kanë aplikuar për t’u emëruar ose ngritur në detyra, mbi bazën e objektit të kërkesës së paraqitur nga institucione si: Institucioni i Presidentit të Republikës, Kuvendi i Shqipërisë, Avokati i Popullit, Akademia Shkencave, Ministria e Punëve të Brendshme, Ministria e Financave, Ministria e Bujqësisë etj.
/Mapo/