Pas 2 vitesh azilantë në Gjermani, dy shkodranët e kthyer rrëfejnë ndryshimin rrenjësor. Të zhgënjyer dhe sërish të papunë, presin me padurim të largohen përsëri.
Kujtim Varfi, 50 vjeç
Jeni i martuar?
Po, jam i martuar dhe baba i 4 femijëve.
Sa kohe keni jetuar në Gjermani, si azilant?
20 muaj, kam jetuar në Duisburg.
Cila ishte arsyeja që vendosët të largoheshit nga Shqipëria?
Arsyeja? Jemi gjashtë pjestarë në familje, të papunë dhe ekonomia e dobët. Pastaj fëmijet po rriteshin dhe donin të ndiqnin shkollën, por me çfarë? Ketu se pashë të arsyeshme se femijët do ecnin përpara, pasi edhe për shkollim duhet të paguash. Kur kam shkuar, kam qenë vetëm me ndihme ekonomike, pra 6 persona me 60 mijë lekë të vjetra. Kur kam shkuar në 2015-ën, kam jetuar 1 muaj në kamp, më pas kam kaluar në shtëpi.
Pse u kthyet?
Nuk vendosa të kthehem, por më kthyen pasi kaq thanë ishte azili. Nëse se bëni do t’ju depërtojme me forcë.
Çfare ndodhi kur u kthyet?
Kur jam kthyer në Shqipëri kam futur femijët në shkollë. Për këtë falenderoj DAR që më ndihmoi dhe shkollën që i priti fëmijët.
Gjetet punë?
Jam serish i papunë. Kërkova ndihme ekonomike, prej 8 muajsh pa përgjigjje. Më thanë ke një vajzë për punë. Thashë po hyjnë vajza dhe gruaja në rrobaqepësi, por paga ishte qesharake 300 leke në ditë.
Do ishe larguar sërish?
Nuk diskutohet, natën do kisha ikur. Besoj se fëmijet e mi do te kishin nje jetë shumë të mirë atje, prandaj e them këtë. Shqipëria është vend i bukur, por nuk ka lekë as për të jetuar.
2. Nest Gjini, 46 vjeç
Sa vite keni qëndruar në Gjermani, në azil?
2 vjet kam jetuar në Gjermani, në Gizel, një qytet afër Frankfurt.
Pse vendoset të linit Shqipërinë?
Shkuam me shprese për jetë me të mirë, kam 4 femijë, 3 në shkolle dhe një femijë 2 vjeç. Pa të ardhura, por vetëm me ndonjë punë që kam siguruar unë, ose gruaja. Ndërsa atje ishte shumë mirë.
Ku keni jetuar?
Kam jetuar në kamp. Kemi punuar me bashkeshorten në kampe dhe pas 2 vitesh na kthyen. Na kthyen se po të ishte për ne asnjëhere nuk vinim më këtu. Edhe sikur të jesh 70 vjeç nuk të bie ndërmend të vish më në Shqipëri.
Pas rikthimit në atdhe, gjetët punë?
Mundohemi të jetojmë, gjej ndonjë punë, por nuk ka shpresë për të nesërmen, për fëmijët. Me 200 mijë lekë të vjetra çfarë mund të besh? Nëse më jepet rasti, di të them që do largohesha menjëherë pa u menduar së bashku me familjen.
Votuat në 25 qershor dhe a prisni ditë më të mira. Ose a keni shpresë se gjërat do ndryshojnë?
Kam votuar, por nuk kam asnjë shpresë. Janë të njëjtit e 27 vjetëve, që sillen herë njëri e herë tjetri duke gëzuar pushtetin. Për ne nuk i bie ndërmend askujt.
/Shkodra News/