Merkato e Milanit nuk po njeh ndalesa, sidomos për sa u përket goditjeve me efekt. Këtë herë nuk bëhet fjalë për Aubamejangun apo Kaliniçin, pasi drejtuesit kuqezi kanë shënjestruar një gjah edhe më “të majmë”.
Bëhet fjalë për Leonardo Bonuçin, mbrojtësi gjashtë herë kampion Italie radhazi me fanellën e Juventusit.
Sipas italianëve të “Sportmediaset”, kuqezinjtë u kanë ofruar bardhezinjve kartonët e Alesio Romanjolit, Matia De Shiljos, plus edhe disa milionë euro shtesë për 30- vjeçarin.
Sipas të njëjtit burim, lojtari thuhet se ka pranuar një transferim në Milano, që në rast konkretizimi do të shoqërohej me një pagesë për 7 milionë eurosh në sezon për të.
Nuk dihet ende pozicioni që do të marrin Marota dhe Nedved në lidhje me këtë transferim, pasi Bonuçi është një nga liderët e mbrojtjes së skuadrës së Alegrit dhe më i riu në repartin e tërhequr juventin, në prag revolucioni.
Duhet theksuar se Juvja nuk e ka shitur lojtarin për oferta edhe më joshëse, të cilat vitin e kaluar vinin nga Anglia.
Drejtuesit tek ai shohin liderin për të integruar më së miri në skuadër, talentet si Kaldara dhe Rugani, të cilët pritet të marrin trashëgiminë e Barzaljit dhe Kielinit kur këta të mos kenë më në këmbë 50-60 ndeshje në sezon.
Nga ana tjetër, me një repart të përbërë nga Kaldara, Rugani dhe Romanjoli, “Zonja” do të kishte të garantuar mbrojtjen për dhjetë vitet e ardhshme.
Në faqen e specializuar të transferimeve “Transfermarkt”, Bonuçi aktualisht vlen 45 milionë, ndërsa Romanjoli e De Shiljo respektivisht 25 dhe 85 milionë euro, pavarësisht se Milani këtë të fundit e vlerëson të paktën 12 milionë.
Sidoqoftë, nëse akordi do të materializohej në rend shifrash, Milani do të ishte i fituar, ndërsa për sa i përket shkëmbimit, atë do ta vendosnin lojtarët me paraqitjet e tyre në fushë.
Nuk dihet se sa Alegri do të gëzohej nga ky transferim, pavarësisht se ish-trajneri kuqezi ka një dobësi të veçantë për De Shiljon, të cilin e ka stërvitur gjatë përvojës së tij në krye të kuqezinjve.
Me ofertën e mbërritur nga “Djalli” në Torino, krerët e klubit kanë marrë 72 orë kohë për ta shqyrtuar. Të shtunën mund të jetë dita e së vërtetës.
/Panorama Sport/