Policia bullgare ka bllokuar sot që prej orës 11.00 një grup tifozësh të Partizanit të cilët ishin nisur drejt Bullgarisë për të ndjekur në Burgas ndeshjen e skuadrës shqiptare ndaj Botev Plovdiv.
Për rreth katër orë, 70 tifozët shqiptarë janë të ndaluar në pikën kufitare mes Bullgarisë dhe Maqedonisë, ndërsa policia nuk lejon që të kalojë autobusin e tyre, duke i detyruar t’i nënshtrohen kontrolleve të njëpasnjëshme fizike dhe të automjetit. Sipas policisë bullgare, tifozët e Partizanit përbëjnë rrezikshmëri të lartë për këtë ndeshje.
Por edhe pse kontrollet nuk kanë nxjerrë asgjë që të mund të ndalojë kalimin e tyre, ata vazhdojnë të qëndrojnë në pikën kufitare. Tifozët kanë kontaktuar si me klubin e Partizanit , ashtu edhe me Ambasadën Shqiptare në Bullgari, por situata vazhdon të jetë e njëjta, ndërsa afron ndeshja mes dy skuadrave.
Meqë prej pikës kufitare e deri në Burgas është një distancë prej rreth 500 kilometrash, vonesat e mëtejshme e bëjnë thuajse të pamundur ndjekjen e ndeshjes nga grupi i tifozëve të Partizanit.
Policia bullgare kishte bërë të ditur një ditë më parë se do të garantonte mbarëvajtjen e ndeshjes dhe do të shoqëronte kudo tifozët e Partizanit. Por me sa duket ajo ka zgjedhur këtë mënyrë skandaloze për të zgjidhur situatën, duke u mohuar tifozëve shqiptarë udhëtimin në Bullgari.
/panorama.com.al/