Është dhunuar fizikisht me sende të forta kryeplaku i fshatit Rraboshte në Lezhë, Gjovalin Gjini.
Gjini ka marrë plagë në gjymtyrë dhe në kokë dhe është dërguar menjëherë në spitalin e Lezhës.
I plagosuri u vizitua mbrëmjen e djeshme në spital dhe nga kandidati i LSI-së në Lezhë, Viktor Tushaj si dhe deputeti Petrit Gjoni.
Ai ka dëshmuar se 4 persona të pajisur me mjete të forta e kanë goditur kur po blinte në një prej dyqaneve në qender të fshatit. Më pas ata janë larguar me automjetin e tyre me shpejtësi
Tushaj, i bëri thirrje ministrit të Brendshëm dhe kryeministrit të marrin masa për stabilizimin e gjendjes
“Gjovalin Gjini është një eksponent i rëndësishëm i LSI-së që ka kohë që punon në fushatën elektorale për të përkrahur programin e LSI-së. I bëj thirrje drejtorisë së policisë së Lezhës, ministrit të Brendshëm por dhe kryeministrit të marrin masa për stabilizimin e gjëndjes.
Nuk është rasti i parë që ndodh në Lezhë. Janë veprime që po pasohen njëri pas tjetrit. Kërkojmë me forcë që policia e shtetit ministria të marrë masa që fushata zgjedhore edhe këtë javë që ka mbetur të vazhdojë e qetë”-është shprehur Tushaj.
Nga ana tjetër, Pjerin Ndreu kandidat në listën e socialistëve për qarkun e Lezhës deklaron është lajthitje lidhja e dhunimit me Partinë Socialiste. Ai i bën thirrje policisë të zbardh plotësisht ngjarjen.
“Po lexoj ne media ca deklarata te habitshme te disa eksponenteve te LSI Lezhe ne lidhje me nje dhunim qe i ka ndodhe nje perfaqesuesi te tyre. Lidhja e dhunimit me partine socialiste eshte ose lajthitje ose perpjekje per tu kacavjerre pas nje konflikti per te perfitu politikisht. Nese kane fakte ti denoncojne. Partia Socialiste Lezhe i hedh poshte me neveri keto hamendesime dhe deklaron se ska asnje lidhje me ngjarjen ne fjale. Turp per kedo qe manipulon ngjarje te tilla per te perfituar ndonje vote me shume. Policia te zbardhe ngjarjen duke thirre per te deshmuar dhe keta njohesit e autoreve dhe faktet qe ata kane. Gjovalinit sherim te shpejte!”-ka shkruar Ndreu në një status në Facebook.