Kryetari i Komisionit Qëndror të Zgjedhjeve, Klement Zguri ka shprehur shqetësimin për problemet me trajnimin e komisionerëve zgjedhorë dhe vonesat në dhënien e lejeve për ta.
Në një letër drejtuar Kryeministrisë, ministrive, si dhe kryetarëve dhe prefektëve të qarqeve, kreu i KQZ-së thekson se komisionerët nuk po paraqiten në detyrë, ndërkohë që afatet janë të limituara dhe respektimi i tyre kërkon përkushtim. Institucioni zgjedhor konstaton se nëse kjo situatë problematike e krijuar vijon, atëherë rrezikohet organizimi i procesit zgjedhor.
“KQZ ngre shqetësimin për pengesat që po i shkaktohen komisionerëve zgjedhorë, të cilët janë në marrëdhënie pune. Pranë KQZ-së janë depozituar shqetësime lidhur me vonesat e lejeve për nëpunësit e emëruar si komisionerë zgjedhorë, me vendim të KQZ-së.
Nëse kjo situatë problematike e krijuar vetëm për 720 komisionerët e KZAZ-ve, vijon edhe për rreth 37 mijë komisionerët e KQV-ve dhe GNV-ve rrezikohet organizimi dhe administrimi i procesit zgjedhor të datës 25 qershor 2017”, citohet në letër.