Lajmi për vrasjen e Lavdrim Muhaxherit, i cili konsiderohej si udhëheqës i grupit shqptar të ISIS, është dhënë tri herë.
Por këtë herë lajmin për vdekjen e tij e ka dhënë dhe Policia e Kosovës, e cila ka njoftuar se është vrarë një shtetas kosovar, por nuk ka dhënë ndonjë të dhënë për identitetin e tij.
Muhaxheri është qëlluar nga dronët e Shteteve të Bashkuara të Amerikës.
Familjarët e kanë konfirmuar rastin.
Në Prishtinë, reagimet kanë qenë të shumta në rrjetet sociale dhe në media, por të rezervuar duken të gjithë për të folur publikisht lidhur me këtë çështje. Shumë kanë shkruar se Muhaxheri konsiderohet hero dhe kanë kërkuar përgjegjësi nga Bashkësia Islame e Kosovës.
Vehbi Kajtazi, kryeredaktor i agjencisë investigative “Insajderi”, ka shkruar se historia e tij ka ndikuar në imazhin e Kosovës.
“Ai është një djalë që ka dalë nga kjo shoqëri. E kemi krijuar ne, shoqëria e ka krijuar Lavdrim Muhaxherin dhe monstra të tjera si ai. Është absurde të thuash se dikush i gëzohet vdekjes së dikujt, por unë mendoj se sot të gjithë duhet të jemi të gëzuar për vdekjen e Lavdrim Muhaxherit. Arsyeja se përse duhet të jemi të gëzuar është se ai nuk do të mundet të kryejë më krime, apo akte terrori siç ka bërë deri më tani”, thotë Vehbi Kajtazi, “Insajderi”.
Kosova është konsideruar shpesh si vendi prej nga ka shkuar numri më i madh i luftëtarëve të huaj për banorë. Autoritetet e Kosovës kanë arrestuar qindra të dyshuar për lidhje me terrorizmin, si dhe organizimin e pjesëmarrjes në luftën e Sirisë.