Kryeministrat e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të takohen në Bruksel më 24 maj, me diplomaten më të lartë të Bashkimit Evropian, për të diskutuar për mënyrat e kapërcimit të tensioneve në rritje dhe përparimin e synimeve të tyre për pranim në BE.
Përfaqësuesja e lartë e Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Federica Mogherini, ka ftuar liderët e Shqipërisë, Kosovës, Bosnjë-Hercegovinës, Maqedonisë, Malit të Zi dhe Serbisë, për të diskutuar për zhvillimin më të shpejtë politik, gjatë një darke pune në Bruksel.
Zyra e saj për shtyp njoftoi mbrëmë,18 maj 2017, se do të diskutohet situata në rajon dhe do të shikohet së bashku rruga përpara.