Kryetari i PS-së së Tiranës, Saimir Tahiri, e vlerësoi zgjedhjet në PS, si një një ditë shumë të rëndësishme për Partinë Socialiste të Tiranës e Durrësit. Si koordinator i Tiranës e Durrësit, Tahiri u shpreh se “mazhoranca dhe PS veçanërisht ka dhënë shembuj që jo vetëm qeveris dhe ndërmerr reforma shtet-ndërtuese, por se edhe brenda Partisë Socialiste, jetëson parime demokratike si asnjë Parti tjetër në Shqipëri”.
“Besoj deri në fund të ditës shumica dërrmuese e anëtarëve të Partisë Socialiste do të kenë ushtruar të drejtën e tyre për të votuar për “një anëtar, një votë”, duke zgjedhur forumet e Partisë Socialiste dhe duke i dhënë jetë dhe frymëmarrje më të madhe kapacitetit tonë për të komunikuar me njëri-tjetrin dhe mbi të gjitha kapacitetin tonë për të komunikuar me qytetarët, për hir të reformave që ka ndërmarrë qeveria në kuadër të integrimit të Shqipërisë në Bashkimin Europian”, tha Tahiri, që mban dhe postin e Ministrit të Brendshëm në kabinetin “Rama”.