Intervistoi Andrea Danglli
Historiani Pëllumb Xhufi në një rrëfim ekskluziv për gazetën “TemA” rrëfen disa prej të fshehtave që ka zbuluar rreth historisë së Çamërisë në arkivat e Venedikut.
Xhufi hedh dritë mbi ngjarjet kyçe që kanë shënjuar historinë e mesjetës në të ashtëquajturën “Shqipëri e poshtme”.
Duke komentuar librin e tij më të fundit “Arbërit e Jonit”, ai thotë se duke shfrytëzuar një sërë burimesh ka mundur të sjellë për lexuesit të dhëna specifike që nuk diheshin më parë.
Ndërkohë Xhufi ndalet edhe tek zhvillimet e fundit politike ku shpreh rezerva mbi gjendjen e tensionuar.
Ai argumenton se tek protestat e iniciuara nga opozita, sheh skenarë me frymëzim antishqiptar dhe të hartuara mbi modelet e përgjakjes ndërshqiptare gjatë viteve ’90.
Si ish-diplomat, Pëllumb Xhufi ka një koment edhe për deklaratat e artikuluara së fundmi nga Tirana dhe Prishtina zyrtare lidhur me një bashkim të mundshëm kombëtar nëse BE nuk plotëson disa kushte për dy vendet.
Historiani i konsideron këto prononcime si shantazh ndaj Europës, duke shtuar se bashkimi është i pashmangshëm.
Më tej Xhufi rendit edhe një numër faktesh historike që mbështesin tezën e tij se si duhet të hidhen hapat për të patur unitet mes vendeve.
Z.Xhufi juve vini së fundmi me librin “Arbërit e Jonit”. Cili është motivi që u shtyu të ndërmerrni këtë studim?
Thjesht e shkurt, më shtyu dëshira për të mbushur, me aq sa të mundja, një boshllëk që konstatohet në historinë e shekujve të Mesjetës së atyre trevave, që në atë kohë quheshin Shqipëri e Poshtme dhe ku përfshiheshin: Vlora, Himara, Labëria, Delvina dhe Çamëria. Siç dihet tashmë, në kohët moderne duke shfrytëzuar heshtjen e historiografisë shqiptare dhe duke u mbështetur në shtrëmbërimet e një lloj historiografie të huaj, mjedise akademike dhe politike të vendeve fqinje kanë ngritur teza shoviniste dhe pretendime të vazhdueshme territoriale ndaj Shqipërisë.
Juve folët mbi një boshllëk që ka historia jonë për ato treva gjatë kohës së Mesjetës. Çfarë informacionesh që nuk diheshin më përpara përciell libri juaj të cilat do ta mbushin disi këtë zbrazëti historike?
Libri mbështetet kryesisht në një dokumentacion të pasur dhe të pashfrytëzuar më parë që u zbuluan nga ne në Arkivat e Venedikut, Bibliotekat veneciane Marciana, Correr apo Querini. Bëhet fjalë për një numër të madh dosjesh voluminoze të shkruara në latinisht dhe shumë herë në “lingua franca”, pra me një italishte mesjetare. Të dhëna të rëndësishme kemi nxjerrë gjithashtu edhe nga dokumenta të Arkivit të Simankës në Spanjë, të cilat janë botuar në vazhdimësi, por nuk më rezulton të jenë shfrytëzuar më parë nga historiografia jonë. Kam parë gjithashtu burime të shumta latine, italiane, greke apo osmane, të cilat kanë të bëjnë me këtë temë dhe janë botuar nga albanologë të njohur.
Me sa shoh juve keni bërë një hulumtim të thellë. Cila është rëndësia që kanë këto zbulime që keni bërë?
Shpresoj që studimi im të kontribuojë për të vendosur një gur në ngrehinën e historiografisë mbi Shqipërinë mesjetare, e cila përmban ende shumë boshllëqe. Analiza e një materiali shumë të pasur dokumentar, me prejardhje nga më të ndryshmet, na ka nxjerrë në konkluzionin se i gjithë territori nga Vlora, në veri, dhe deri në Prevezë, në jug, ishte pjesë e habitatit shqiptar, ku vendet dhe njerëzit përcaktohen thjesht e qartë si shqiptarë.
Dokumentacioni dhe burimet e përdorura në këtë studim, na kanë dhënë mundësinë të dalim në disa konkluzione të reja për çështje të tilla si ajo e qëndresës antiosmane në këtë kënd të viseve shqiptare, çështja e procesit të islamizimit, e dukurive të emigracionit, të gjendjes ekonomike e sociale, të organizimit shoqëror dhe të institucioneve social-juridike. Ndërkohë ka dhe çështje të tilla, si ajo e zisë së bukës apo e epidemive të murtajës, të cilat ishin një faktor i rëndësishëm i historisë mesjetare. Ndonjëherë këto kanë qenë me pasoja edhe më të rënda se vetë luftrat, dhe këtu trajtohen për herë të parë si temë më vete.
Duke patur parasysh edhe ndonjë polemikë të zhvilluar kohët e fundit, do të doja të veçoja konkluzionin tonë, të bazuar fort në një dokumentacion të dorës së parë, se pushtimi osman në Shqipëri e posaçërisht në trevat në shqyrtim, nuk shënoi një “fund të historisë”. Lidhjet ekonomiko-kulturore me Perëndimin vazhduan të jenë edhe paskëtaj të të forta. Shkëmbimet tregtare me Venedikun, Napolin, Raguzën apo Ankonën, përfshiheshin si shqiptarë të krishterë, ashtu edhe shqiptarë myslimanë, që shpesh herë vepronin në kompani të përbashkëta tregtare me të parët. Njëlloj si ata paraqiten si lundërtarë e tregtarë të sprovuar, njerëz të mësuar e njohës të mirë të gjuhëve perëndimore.
Gjatë kohës që ju flisni më rreh veshin “minierat e Venedikut” ku ju i referoheni dokumentave të vlefshme që ruhen në arkivat e tyre, veçanarisht për Shqipërinë. Çfarë sekretesh te tjera kanë ngelur të pazbuluara nga historia jonë?
Po mundohem t’i jap një përgjigje sa më konkrete pyetjes suaj. Për temën për të cilën po punojmë aktualisht, “Shqipëria e Epërme në shek. XV-XVI”, ne identifikuam, veç të tjerash një fond dokumentash me më shumë se një 1400 dosje. Të kemi parasysh se po flasim vetëm për një fond të caktuar, për fondin “Senato Mar” të Arkivit të Venedikut. Por materiale për shqiptarët e për Shqipërinë e shekujve XI-XVIII ka edhe në të paktën 10 a 12 fonde të tjera të këtij arkivi, si dhe dorëshkrime të shumta që ruhen në Bibliotekën Marciana, në atë të muzeut Correr e në të tjera biblioteka e fonde publike e private të Venecies. Pra bëhet fjalë për një minierë me degëzime të pafundme dokumentash, për vjeljen e të cilave duhet organizuar dërgimi i ekipeve të posaçme studjuesish me përgatitjen e duhur.
Si lëvrues i këtyre arkivave, a ka brenda tyre pjesë të historisë sonë që deri më sot i kemi mësuar në mënyrë të zhdrejtë?
Për periudhën e historisë së mesjetës nuk është fjala aq shumë për shtrëmbërime të fakteve historike, siç ka ndodhur me periudha që janë më afër nesh, se sa për një “heshtje” që shoqëron vite, dhjetvjeçarë e ndonjëherë edhe shekuj të tërë të historisë sonë. Dhe është vërtet një mëkat, sepse potencialisht historia mesjetare e shqiptarëve është ndër më të pasurat e ndër më të dokumentuarat e krejt gadishullit ballkanik. Por që ajo të studjohet dhe të shkruhet duhen disa premisa të domosdoshme, siç është ajo e gjuhëve të rralla, e latinishtes, italishtes mesjetare, greqishtes së vjetër e mesjetare, sllavishtes dhe osmanishtes.
Për të zbërthyer dokumentet mesjetare që kanë të bëjnë me Shqipërinë duhet gjithashtu një familjaritet me paleografinë e diplomatikën e gjuhëve të mësipërme. Për fat të mirë ne kemi tani edhe studjues të rinj që i zotërojnë këto mjete të domosdoshme pune. Ajo që mungon është moskuptimi i rëndësisë që ka ndërmarrja e ekspeditave të tilla hulumtuese nga ana e organeve shtetërore dhe ndonjëherë nga drejtues dritëshkurtër të institucioneve tona shkencore. Deri tani ata kanë treguar një padituri e indiferencë irrituese ndaj shkencave albanologjike në tërësi. Në kushte të tilla, fushës aq së vështirë por fisnike të studimeve albanologjike, janë të destinuar t’i qasen gjithnjë e më pak studentë e studjues.
Në librin tuaj të fundit juve trajtoni pjesë të veçanta të historisë së Çamërisë. Si e mendoni zgjidhjen e “Çështjes çame” ?
Andrea, kjo pyetje del nga kuadri e çështjeve për të cilat po flasim dhe ka të bëjë me politikën e diplomacinë. Por meqë edhe me këto fusha kemi një lloj afiniteti, po mundohemi të japim një përgjigje. Çështja çame nuk është thjesht një “çështje e historisë”, siç mundohet ta paraqesë ndonjëherë politika e Athinës. Ajo është çështje e 200-300 mijë qytetarëve shqiptarë me origjinë çame, të cilët edhe sot pas më shumë se 70 viteve nga koha kur u dëbuan me dhunë nga trojet e tyre, kërkojnë të shkojnë e të njihen me vendin e me vatrat e tyre, të vizitojnë varret e të parëve dhe, pse jo, kërkojnë edhe të drejtën për të marrë mbrapsht pronat e rrëmbyera e të jetojnë aty ku nis filli i historisë së tyre. Qeveria shqiptare këto 3-4 vjetët e fundit ka meritën se për herë të parë guxoi ta imponojë çështjen çame si pjesë të axhendës së marrëdhënieve greko-shqiptare. Sigurisht, pala greke vazhdon të refuzojë të ulet e të bisedojë konkretisht për problemin çam. Por, në një farë mënyre, qeveria aktuale e Athinës e ka njohur ekzistencën e problemit, dhe kjo përbën një hap jo të vogël përpara. Sa i përket zgjidhjes së tij, mendojmë se duhet përpunuar një program i qartë dhe i përshkallëzuar nga Ministria jonë e Jashtme.
Ekzistojnë disa nivele të zgjidhjes së problemit. Në dijeninë tonë, Italia dhe Kroacia ranë dakort ta zgjidhin problemin e ngjashëm të popullsisë italiane të dëbuar nga Istria e qytetet dalmate pas Luftës II Botërore, duke dëmshpërblyer me të holla familjet e interesuara. Mos harrojmë se Kroacia është vend anëtar i BE-së dhe sipas normativave evropiane nuk mund ta ndalë pasardhësin e një familjeje italiane të dëbuar nga Istria në vitet 1944 të blejë shtëpi e prona të patundshme pikërisht në vendin ku jetonin të parët e tij, sot në territorin kroat. Modeli istrian mund të përbënte një precedent për të përballuar një nivel të parë të zgjidhjes së problemit çam. Gjithsesi, vlen të nënvizohet që integrimi sa më i shpejtë i Shqipërisë në BE krijon rrethana lehtësuese edhe për zgjidhjen e çështjes në fjalë.
Keni një gjykim lidhur me deklaratat që janë bërë për bashkimin kombëtar nga kryeministri Edi Rama dhe të pasuara nga presidenti i Kosovës Hashim Thaçi?
Bashkimi kombëtar është një aspiratë e hershme dhe e ligjshme e çdo shqiptari. Por, ai nuk realizohet me deklarata, e sidomos nuk realizohet me deklarata reaktive e rrethanore. Nuk realizohet duke e përdorur si mjet kërcënimi e shantazhi ndaj BE, sipas stilit: “o na fusni në BE, ose ne do fshijmë kufijtë e do bashkohemi”! Është një qëndrim infantil, që e banalizon dhe e dëmton çështjen. Përndryshe, politikanët tanë këtej dhe andej kufirit mund të bëjnë shumë, në terma konkretë e jo thjesht me llogje, për t’i ndihmuar afrimit e integrimit të shqiptarëve. Pa cënuar aspak “diskrecionin” që kërkohet të mbahet për një çështje të tillë, qeveritë e Tiranës e të Prishtinës mund të mendojnë e të punojnë për të krijuar sisteme të unifikuara në fushat e industrisë, bujqësisë, të energjisë, të tregtisë, të arsimit, të kulturës, të shkencës etj. Për të bërë njëshembull nga fusha jonë e albanologjisë: kush e ka ndaluar qeverinë e Tiranës dhe atë të Prishtinës që ta integrojnë kërkimin shkencor në fushën e shkencave albanologjike, pra që të punojnë konkretisht me projekte, me forca e me fonde të integruara në studimin e historisë, gjuhës e kulturës sonë të përbashkët? Jo vetëm kjo nuk po ndodh, por po duket se nga ana e institucioneve ka një dorëzim pa kushte ndaj grupimeve të caktuara që janë vënë në kërkim të identiteteve të paqëna dhe që flasin për histori, gjuhë e kulturë të ndryshme mes shqiptarëve të Shqipërisë dhe atyre të Kosovës.
Sa e realizueshme është kjo nën optikën tuaj nga ana historike por edhe diplomatike?
Bashkimi kombëtar jo vetëm është i realizueshëm, por është i paevitueshëm. Kemi të bëjmë vetëm me çështjen kohë. Siç e thamë më sipër, parametrat evropianë e lejojnë vendosjen e formave të ngushta e shumë të ngushta bashkëpunimi, të cilat ne nuk i kemi shfrytëzuar. Nga ana tjetër, vërtet ne shqiptarët e Shqipërisë kemi një gjak, një histori e një kulturë me shqiptarët e Kosovës e padyshim dhe me shqiptarët në viset e tjera përreth nesh. Por 100 vjet të ndarjes së Kosovës nga Shqipëria kanë krijuar një boshllëk historik mes nesh, i cili do kohën e vet të kapërcehet. Ne jemi si dy masa të njëjta, por me temperatura të ndryshme. Për të realizuar fuzionin e tyre duhen sjellur të dy masat në të njëjtën nivel nxehtësie. Kjo po ndodh e do të ndodhë shumë shpejt. Ndërkaq, le t’i lemë deklaratat kreshpëruese dhe të shfrytëzojmë hapësirat reale për të hedhur hapa konkrete drejt bashkimit kombëtar. E mbi të gjitha, të përpunojmë një projekt vizionar në këtë drejtim. Le të marrim shembull pikërisht nga serbët: në 15 vjet nga çlirimi i Kosovës, Beogradi ka përpunuar një varg projektesh për të ndalur njohjen dhe afirmimin e shtetit të Kosovës: kujtojmë projektet për kantonizimin e Kosovës, për ndarjen e saj apo së fundi projektin tinzar të “zajednicës”. Këto projekte apo segmente të tyre, Beogradi arriti me këmbëngulje t’i servirë e t’i miratojë edhe në instancat evropiane. Përveç deklaratave bombastike e me gjuhë të drunjtë të lëshuara nga politikanët tanë sidomos kur e shohin se po u lëkundet karrigia, çfarë tjetër kanë bërë ata për të hartuar një “road map” apo për të hedhur hapa konkretë për realizimin e kësaj aspirate fisnike?
Së fundmi, opozita ka bërë një thirrje për të protestuar dhe për mosbindje civile. A shihni skenarë trazirash mbrapa këtyre thirrjeve?
Padyshim shoh një projekt e skenar të qartë trazirash dhe destabilizimi. Shoh një skenar me frymëzim të qartë antishqiptar, i cili është hartuar mbi modelet e gatshme të skenarëve të përgjakjes ndërshqiptare të viteve 1991, 1997, 1998 dhe 1999. Tani realizimin e një skenari të tillë e ka marrë përsipër z. Basha, i cili siç po shihet nuk paska ardhur fare rastësisht në skenën e politikës shqiptare dhe jo rastësisht u përzgjodh të merrte stafetën e liderit të PD-së. Ky djalosh që në pamje të parë rrezaton pafajësi, gaz, hare dhe që për këtë arsye shpesh herë është nënvleftësuar, në pak vjet e tregoi veten të aftë të gatuajë disa prej mënxyrave më të mëdha që i janë bërë këtij vendi e këtij populli: plaçkitjen kolosale të Rrugës së Kombit, faljen e territorit shtetëror Greqisë dhe ekzekutimin makabër të katër protestuesve të pafajshëm në mes të bulevardit të Tiranës.
Tani i ka ngritur tonet dhe kërcënon me konflikt e luftë civile. E gjithë kjo, nën mbulesën e misionit “fisnik” të përmbysjes së “Republikës së vjetër të krimit” dhe të ndërtimit të një “Republike të re”. Siç po shohim, ky projekt “gjenial” i Lulzim Bashës, i vjedhur në pazaret e populizmit botëror, po duartrokitet vetëm nga personazhe të dyshimtë brenda e jashtë Shqipërisë. Ai nuk mund të realizohet veçse si një shëmbëlltyrë e atyre principatave famëkeqe serbo-greke të Durrësit, të Mirditës apo të “Vorio-Epirit”, që shqiptarë të shitur e të paskrupullt u përpoqën të ngrinin në fillimet e shek. XX nën mbrojtjen e bajonetave dhe me paratë e padronëve të tyre në Beograd e Athinë. Katandisja në këtë pikë e PD dhe drejtuesve të sotëm të saj është në vetvete një fatkeqësi e madhe. Por dua të shpresoj, se me z. Basha po mbyllet cikli degjenerativ i një force politike, që lindi si shpresë, dhe që është shndërruar në një makth kombëtar.