Nga Lorenc Vangjeli
E hëna gjermane në Tiranë prodhoi dy ndjesi tërësisht të përkundërta.
Njëra, provë për krenarinë vetjake politike dhe garanci që verifikon nevojën e shkuarjes së vendit në zgjedhje për votën, si të vetmen zgjidhje që jep demokracia për të ndryshuar apo verifikuar pushtetet; e vetmja mënyrë e publikut që të bëjë zgjedhjen e ngjyrës së qeverisjes që jepet me “qira” për çdo katër vjet.
Tjetra, lajmërim se nuk do të ketë asnjë tërheqje nga status quo-ja e deri tanishme ultimative dhe se po afron ora e përballjes popullore me krimin në pushtet. Se durimi po mbaron dhe që nëse deri më tani ka vetëpërmbajtje për të shmangur çdo tension, për të mos lejuar “…këputjen e një luleje të vetme….”, nesër ky durim mund të soset dhe pasojat do të ishin të paparashikueshme.
Nëse Shqipëria kështu siç është, do të ishte një ishull i largët, diku nga Paqësori, me një distancë prej mijëra miljesh larg brigjeve më të afërta, me të gjitha gjasat nuk do të kishte të hënë gjermane në Tiranë. As të martë Brukseli. Dhe as një javë të ethshme negociatash për të shpjeguar një nga të vërtetat elementare të demokracisë, dialogun. Për të ulur palët në tryezë. Meqënëse Shqipëria nuk është ishull paqësor në diku në oqeanin Paqësor, partnerët shtyjnë drejt nevojës për të bërë bisedime dhe për të krijuar mundësinë magjike të zgjidhjes me një eksperiment të thjeshtë: pozita të mendojë si opozita dhe opozita të mendojë si pozita. Domethënë, qeverisja Rama-Meta të mendojnë me kokën e Bashës dhe vetë Basha, të gjykojë si Rama-Meta.
Në fakt, nuk është e vështirë një gjë e tillë, sepse ka ndodhur me pothuaj të njëjtët personazhe. Njëlloj si për të verifikuar faktin kokëfortë që në politikë dhe në demokraci nuk ka fitore përfundimtare, por ka vetëm një cikël të ndryshueshëm qeverisjesh që zgjasin katër, tetë, dymbëdhjetë, por edhe shumë më pak vjet. E drejta për të marrë “me qira” pushtetin nuk është një ruletë ruse që dikë e hedh përpjetë nga gëzimi dhe tjetrit i hedh trutë në erë.
Për një koincidencë të jashtëzakonshme, në vetëm dhjetë vjetët e fundit, Shqipëria politike ka provuar këtë ndryshim rolesh dhe pozicionesh.
Në 2008, Ilir Meta hyri me të tijtë në grevë urie për të luftuar për standartet zgjedhore të një viti më pas, në 2009-ën. Atëherë, edhe Berisha, edhe Rama ishin bashkë për ndryshimet kushtetuese dhe secili për motivet e tij, nuk lëshuan asnjë metër në fillin e balonës së tyre.
Në vitin 2010, Edi Rama ishte i vetëm kundër të gjithëve me grevën e urisë së partisë së tij. Atëherë Berisha dhe Meta ishin bashkë dhe të dy shtrënguan në mënyra të ndryshme dhe për arsye të ndryshme të njëjtin fill balone.
Në vitin 2017 Basha është tërësisht i vetëm. Mbas një sërë fitoresh domethënëse, ai është duke humbur gradualisht të gjitha, për aq sa është “i përkohshëm” termi “të gjitha” në Shqipëri. Basha fitoi në betejën për dekriminalizimin, madje fitoi edhe për llogari të Edi Ramës. Fitoi, kur krijoi tërmet në betejën kundër drogës, madje fitoi për llogari të të gjithë publikut. Ai, madje mund të quante fitore dhe ndryshimet e pjesëshme në qeverinë Rama dhe t’i shihte ato si biletën e artë për të dalë nga çadra, mjeti me të cilin ai shënoi fitoren e tij më të madhe vetjake: të gjithë në këtë moment e dinë që ai është kryetari real i PD-së. Për shembull, nëse deri dje, Topalli dhe Bregu, sa për të marrë një shembull, mund të mos e merrnin seriozisht atë në postin e kryetarit, sot me të gjithë seriozitetin e duhur, ai ju është imponuar nga kjo pozitë. Madje dhe vetë Doktorit, nëse do t’i duhej të përballej me të për çështje autoriteti në PD, do t’i duhej të bënte një betejë domethënëse kundër tij dhe me një rezultat të dyshimtë. Në Shqipëri kryetar ndodh që të bën dhe vetëm vula që mban në dorë!
Lulzim Basha sot ka bashkuar shumë armiq përballë. Do të kishte vetëm një shanc: ndjekjen e rregullave elementare të demokracisë. Dialogun dhe garantimin me dialog të standarteve maksimale për zgjedhjet. Në këtë mënyrë, megjithëse do të mund të humbiste garën elektorale, ai do të shënonte një fitore të njëpasnjëshme; një fitore të vogël për veten, vulën e partisë Demokratike dhe një fitore të madhe për vendin, standartet zgjedhore. Demokracia nuk është e përkryer, por asgjë tjetër që ka shpikur njeriu si sistem qeverisjeje, nuk mund ta zëvendësojë thelbin e saj që është vota. As rregullat e saj që në një moment të caktuar duket se punojnë kundër pakicës. Në të kundërt, nëse Lulzim Basha ndjek rrugë tjetër, nëse “…durimit të tij nis dhe i vjen fundi, atëherë nuk është vetëm halli i luleve që do të këputen…”, siç thotë ai vetë. Atëherë, edhe pse i mbyturi nuk do t’ja dijë nga e lagura, këmbanat do të bien për të gjithë. Dhe ai nuk mund të ngushëllohet me faktin se vetëvrasja politike e tij në themel të sistemit, mund të jetë në fakt shpërthim kamikaz që do të plagosë gjithë të tjerët.
/javanews.al/