Deklarata e ministrit të Jashtëm gjerman Gabriel kundër bojkotit të opozitës shqiptare është pasqyruar edhe në mediat ndërkombëtare.
“Ministri i Jashtëm gjerman i bëri thirrje opozitës shqiptare ditën e hënë që t’i japë fund bojkotit parlamentar, të mos bllokojë ecjen përpara të reformës në drejtësi dhe të marrë pjesë në zgjedhjet parlamentare të qershorit”, kështu e nis shkrimin e saj agjencia Associated Press.
Shkrimi thekson se për Gjermaninë dhe Bashkimin Europian kërkesat e opozitës shqiptare nuk janë të qarta dhe sidomos ajo për qeverinë teknike vetëm pak javë para zgjedhjeve të 18 qershorit.
Agjencia prestigjoze e lajmeve më tej kujton se opozita shqiptare thotë se do të bojkotojë zgjedhjet e përgjithshme nëse nuk plotësohet kërkesa e saj kryesore; ajo për qeveri teknike.
Gabriel, thotë AP, e quajti absurde protestën dhe kërkoi opozita ta zhvendosë betejën e saj në Parlament, jo jashtë tij.
Më pas, Associated Press e cilëson sistemin e drejtësisë si shqetësimi dhe pengesa kryesore e Shqipërisë në rrugën drejt Bashkimit Europian.