Nga Mero Baze
Formula e përzgjedhjes së anëtarëve të Komisionit të vetting-ut, është thellësisht politike dhe po votohet në momentin e gabuar. Përderisa ende nuk ka një përcaktim kush është shumicë dhe kush është opozitë për Kuvendin e ardhshëm, formula po prodhon një shumicë që ka qëndrime të përbashkëta dhe rezerva të njëjta për reformën. Kjo ka bërë që aktualisht shumicën në komsionet e vetting-ut, ta kenë partitë që po deklarohen për bojkot të zgjedhjeve dhe që kanë vërejtje thelbësore për Misionin Ndërkombëtar të Monitorimit dhe reformën në drejtësi.
Kuvendi ka zgjedhur tre anëtarët e shumicës për komisionet e vetting-ut, një prej të cilëve është i Lëvizjes Socialiste për Integrim. Votimi pasoi me një replikë nga partia e komunitetit çam, të cilët po ashtu pretendojnë të kenë vendin e tyre për llogari të shumicës në këto komisione.
Në fakt, nuk është se PDIU nuk ka të drejtë në këtë protestë, përderisa në lëvizjet e javëve të fundit, PS plus PDIU, u llogariten në një pozicion politik dhe LSI plus PD, në një gjatësi vale përballë tyre.
Kur Komisioni i Reformës vitin e shkuar, ka vendosur që pjesëmarrja të jetë pesëdhjetë me pesëdhjetë përqind, mes shumicës e opozitës, ka pasur parasysh konfigurimin e Kuvendit aktual. Por, tani ky konfigurim formalisht është i vlefshëm dhe për dhjetë ditë, ndërkohë që mund të ishte prishur edhe dje, sipas paralajmërimeve të LSI.
Nëse pas datës 18 prill, do të kemi koalicione të reja, kjo formulë bie dhe bashkë me të, bie dhe mekanizmi i garancisë për të qenë komisione të balancuara. Madje, në mënyrë paradoksale blloku që ka pasur rezerva për reformën në drejtësi, PD-LSI do të kenë shumicën e këtyre komisioneve, nëse PD dhe LSI bëhen bashkë për zgjedhjet e ardhshme. Kështu, jo vetëm duket qesharake teza e Luzlim Bashës që Edi Ramë kërkon të kontrollojë drejtësinë, por krijohet një shumicë politike që ka pas rezerva për reformën dhe që do të kontrollojë këtë reformë, duke vënë në dyshim gjithçka.
Në mënyrë paradoksale, nëse vazhdon ky tension mes PS dhe LSI, ne mund të kemi në Kuvendin e ardhshëm një shumicë në komisionet e veting-ut pro PD-LSI dhe këtu PDIU ka të drejtë të pretendojë një vend në këto komisione.
Ajo që nuk qëndron në këtë histori, është pikërisht fakti që votimi i këtyre komsioneve po bëhet pa u qartësuar aleancat e reja politike për parlamentin e ardhshëm. E vetmja zgjidhje është që këto votime të konsiderohen të vlefshme brenda këtij Kuvendi dhe në shtator të zgjidhen anëtarë të rinj të komisoneve, sipas pozicioneve të reja politike në Kuvend.
Por, dhe brenda këtij Kuvendi, sikur Basha të bindet këtë javë të kthehet në Kuvend e të plotësojë vendet e veta, ai ka një shumicë të garantuar me LSI, e cila së paku dy muajt e fundit është kthyer në një “doktor” që i heq frikën pacientit Lulzim Basha, nga zgjedhjet, nga vetting-u dhe nga humbja e mundshme.
Me këtë formulë dhe kështu si u zgjodhën anëtarët e komisionit të vetting-ut, PD nuk ka më asnjë argument të mos e votojë vetting-un, se kurrë nuk do të ketë një shumicë si kjo që ka këtë muaj. Biles, as kohë për një alencë të re politike për shkak të vetting-ut, më të mirë se kjo s’ka për të pasur.
/gazetatema.net/