Nga Enkel Demi
Rama zgjodhi të kalojë një ditë të zakonshme pune, duke u marrë me fshatarët e Baldushkut. Lulzim Basha zgjodhi një ditë të thjeshtë pune duke mbajtur një tjetër fjalim në çadër. Ilir Meta nga ana e tij duket sikur ka ulur siparin e skenës, ku sërish u mundua të tërheqë projektorët. Hodhi në lojën e politikës propozimin e qeverisë së besimit, duke i vënë në hall dukshëm dy forcat e mëdha politike.
Pikësëpari me këtë vendim të kryesisë së LSI-së, pra zyrtar, kjo parti zgjedh të dalë praktikisht në opozitë, ashtu si bëri pak a shumë në prillin e katër vjetëve më parë. Kryeministri tani duhet të zgjedhë; të vazhdojë qendresën që shfaqi në Asamble, duke shkuar në zgjedhje më 18 qershor dhe emëruar opozitën, ose të pranojë qeverinë e besimit, ose Paktin Kombëtar që ka propozuar tre ditë më parë Shpëtim Idrizi dhe që e mbështet zyrtarisht LSI-ja.
Nga ana tjetër, këto lëvizje politike i heqin çadrës kunjat një nga një. Ka një ftesë për të bërë politikë dhe populizmi i fjalimeve mëngjezore e mbrëmësore kalojnë në plan të dytë. Duket që në çadër ka mërzi pas dyzetë e ca ditësh. Pati një farë feste mes militantëve, kur Meta rrëfente në televizor vendimin e kryesisë së LSI-së. Demokratët duket ashiqare që duan të dalin prej çadrës dhe kërkojnë nga udhëheqësit të bëjnë politikë. Në këtë lëmë nuk ka kurrë fitore të plotë, por ka lëshime.
Rama një ditë më pas ka dhënë shenja që nuk lëshon kurrsesi. Vetë zgjodhi Saimir Tahirin, zërin më të fuqishëm anti-LSI që shkonte në Baldushk. LSI nëpërmjet zëdhënësit bën një lojë fjalësh, kur thotë: “duhet të lëshojmë pushtet që të bëjmë shtet”. Po tallen rëndshëm me parullën e Ramës: “Ne bëjmë shtet!”.
Basha nga krahu tjetër i thotë Metës: “nëse je i sinqertë mirësevjen në çadër”. Është krejt e kundërta, askush nuk do me shku më nën strehë, të gjithë duan të dalin, ndoshta përveç Bashës.
Pra, çuditërisht ngjan sikur kundërshtarët e vërtetë kanë të njëjtin hall; Rama nuk do me mbyll qeverinë, Luli nuk do me mbyll çadrën. Secili kërkon të dalë triumfator në një betejë me mullinjtë e erës.
Në fakt, thelbi i skpeticizmit Rama-Basha është vetting-u dhe ligji zgjedhor. Qeveria e besimit apo Pakti Kombëtar që janë dy mënyra për të dalë nga kriza zhveshin të gjitha alibitë për mosvotimin e vetting-ut dhe babëzinë e dy partive të mëdha për të marrë vota që nuk u takojnë. Të tjerat janë rrahje e uji në havan.
Kjo javë politike me gjithë tollovinë e saj çliroi një pjesë të politikës nga kriza dhe ka zhytur edhe më thellë në krizë vetëm Partinë Socialiste dhe Partinë Demokratike. Të dyja janë vënë para dilemës së vështirë që të bëjnë një zgjedhje. Tashmë janë kaq shumë në dritë të diellit sa ngjajnë me përrallën e mirënjohur të “Mbretit gollomesh”.
Ramës i duhet të zgjedhë të sakrifikojë pushtet që të bëjë shtet, Bashës të ulë ombrellën dhe të prodhojë politikë. Nëse dhia e njërit apo e tjetrit do të jetë shterpë nuk ka bylmet dhe atëherë po që kriza do të ketë nevojë për veprime të forta si ndërrimi i kopesë së stanit.