Vazhdojnë negociatat për koalicionin. LSI përgënjeshtron mediat pranë PS-së për marrëveshjen PS-LSI për vazhdimësinë e koalicionit.
Pas darkës me kryeministrin Rama, kreu i LSI-së, Ilir Meta, ka drekuar sot me kryetarin e PDIU-së, Shpëtim Idrizi. Dreka po zhvillohet në një restorant pranë Gjykatës së Tiranës. Takimi i sotëm mes Metës e Idrizit, vjen pas takimit Rama-Meta, ku mediat raportuan se kishte përfunduar me një marrëveshje për vazhdimësinë e koalicionit.
Por, në fakt duket se nuk është kështu, pasi nënkryetari i LSI-së Luan Rama, tha sot se ende nuk ka një marrëveshje, ndërkohë që përgënjeshtroi lajmin e publikuar nga mediat pranë Ramës se LSI hyri në zgjedhjet e Kavajës.
Ka një paqartësi në raportimet që vijnë për drekën e mbrëmshme, pasi mediat pranë PS-së vazhdojnë ta konsiderojnë të mbyllur marrëveshjen për të vazhduar koalcionin PS-LSI edhe në mandatin e ardhshëm. Ndërkohë nuk ka ende një deklaratë zyrtare as nga Rama e as nga Meta.