Shpallja e Pavarësisë së vendit ishte një moment historik për Shqipërinë megjithatë nga ana tjetër, ajo që ndodhi pak muaj më pas me Konferencën e Ambasadorëve në Londër do të rezultonte një hap negativ. Caktimi i kufijve politikë të Shqipërisë në vitin 1913 do të sillte përgjysmimin e trojeve shqiptare duke caktuar një territor prej rreth 28 mijë kilometrash katrorë e një popullsi prej 740 mijë banorësh. Territori prej rreth 26 mijë kilometrash katrorë do të ndahej mes Serbisë, Greqisë e Malit të Zi. Ky zhvillim do të rezultonte një moment negativ jo vetëm në aspektin njerëzor e politik por edhe ekonomik.
Ajo që duhet evidentuar është se në atë periudhë bujqësia përbënte sektorin kryesor të ekonomisë dhe trojet e mbetura jashtë kufijve të vendit përbënin krahinat bujqësore me pjellore dhe zinin sipërfaqen agrare më të madhe të madhe të trojeve shqiptare. Me shkëputjen e këtyre trojeve, brenda kufijve të Shqipërisë mbeten krahinat më të varfëra, në pjesën më të madhe zona malore ndërsa tokat fushore ishin kryesisht moçalore e të papërdorshme për qëllime bujqësore.
Ndaj edhe viti 1913 mund të konsiderohet një vit krize ekonomike për Shqipërisë. Historiografia zyrtare gjykon se gjymtimi territorial i Shqipërisë pati pasoja të thella ekonomike për shtetin shqiptar. Përgjysmimi territorial i vendit solli ndërprerjen e krijimit të tregut të brendshëm që kishte filluar si proces ekonomik që në shekullin paraardhës. Me copëtimin e trojeve shqiptare të cilat tashmë kishin filluar të formonin në terësi të vetme ekonomike, tregu i brendshëm kombëtar u copëtua. Ky copëtim i shkaktoi Shqipërisë së pavarur që në fillim një krizë të thellë ekonomike.
Shqipëria si një vend me popullsi dërrmuese agrare lindi si një shtet me një ekonomi deficitare jo vetëm në fushën e prodhimit industrial por edhe në atë të prodhimit bujqësor. Ajo trashëgoi nga sundimi osman një nivel shumë të ulët ekonomik duke u renditur si vendi më i prapambetur në Europë. Popullsia qytetare përbënte 12-13 për qind të popullsisë së vendit.
Kudo mbizotëronte prodhimi i vogël zejtar. Ky i fundit gjendej përballë rënies së vazhdueshme jo vetëm nga rritja e prodhimit kapitalist vendas por edhe nga vërshimi pa kufizim i mallrave të huaja dhe nga varfërimi i përgjithshëm i ekonomisë popullore.
Madje si pasojë e këtyre faktorëve, vetë prodhimi kapitalist vendas i cili kishte lindur disa dhjetëra vjeçarë më parë, tani ndodhej në një gjendje amullie. Në vitin 1912 Shqipëria kishte vetëm 33 ndërmarrje prodhimi me baza kapitaliste por me numër të vogël punëtorësh. Kapaciteti prodhues ishte i ulët.
Lënia jashtë kufijve e territoreve shqiptare me ekonomi bujqësore të pasur pati pasoja të thella në fushën e tregtisë së brendshme dhe të jashtme. Me krahinat e varfëra malore që mbetën brenda kufijve shtetërorë, Shqipëri e pavarur me prodhimet e saj bujqësore plotësonte normalisht 59-60 për qind të nevojave të popullsisë. Kështu tani ajo u detyrua të importonte veç prodhimeve të mëparshme industriale, edhe sa të konsiderueshme prodhimesh bujqësore, pa qenë në gjendje që t’i mbulonte me eksportet e saj.
Si rrjedhojë shteti i pavarur shqiptar lindi me bilanc tregtar të theksuar pasiv. Veç kësaj, me caktimin e kufijve, tregtia që kryhej përmes bregdetit shqiptar u ndërpre thuajse përfundimisht. Në këtë mënyrë, u pakësuan edhe fitimet valutore dhe bilanci ishte negativ edhe sa i përket pagesave. Rritja e importit gjallëroi tregtinë e brendshme, gjë që më pas solli një serë efektesh pozitive si rritjen e depërtimit të ekonomisë monetare në fshat, stabilizimin e jetës publike, zgjerimin e rrjetit të komunikacionit dhe gjallërimin e një serë tregjeve lokale duke rritur numrin e tregtarëve.
Në këtë periudhë, raporti ekonomik ndryshon, ku rritet masa e mallrave të importuara dhe pakësohen vazhdimisht mallrat që Shqipëria eksportonte. Me shpalljen e Pavarësisë, vendi u çlirua edhe nga ajo që konsiderohej si “plaçkitje fiskale” e tashmë të ardhurat e ekonomisë kombëtare mbeteshin në vend. Kjo vlerësohet se ishte një rrethanë e favorshme për zhvillimin e industrisë megjithatë gjykohet se ekonomia kombëtare nuk përfitoi sa duhet nga shpallja e Pavarësisë. 8 vitet e para të Shqipërisë së pavarur, 1912-1920, ishin vite me mungesë stabiliteti çka pengoi zhvillimin ekonomik të vendit.
/scan-tv.com/