Ministria e Energjetikës raportoi zyrtarisht sot se OSHEE e mbylli 2016 me fitim 11.5 miliardë lekë, Korporata Elektroenergjetike Shqiptare rezultoi me bilanc pozitiv vjetor prej 1.7 miliardë lekësh dhe Operatori i Sistemit të Transmetimit 1 miliard lekë.
Gjithsej fitimi i kompanive këtë vit arriti në 14,2 miliardë lekë, ose 104 milionë euro.
Në tre vitet e fundit, KESH, OST dhe OSHEE kanë investuar në sektor një shumë prej 45.6 miliard lekësh, ndërsa për vitin 2017 plani i investimit arrin në 24 miliardë lekë.
Ministri i Energjisë dhe Industrisë, z. Damian Gjiknuri, bashkë me administratorët e OSHEE-së, KESH-it dhe OST-së realizuan një bashkëbisedim me median referuar treguesve të sektorit elektroenergjetik për vitin 2016.
Ministri Gjiknuri deklaroi se raportet e fundit të institucioneve prestigjioze ndërkombëtare si Fondi Monetar Ndërkombëtar, Banka Botërore apo agjenci të njohura si “Standart & Poor’s” dhe “Moody’s” e kanë konsideruar reformën në sektorin elektroenergjetik shumë të suksesshme.
“Hapat e ndërmarra kanë krijuar një efekt pozitiv në financat publike duke e çliruar Buxhetin e Shtetit nga barra e rëndë e këtij sektori që rrezikonte të fundoste financat publike. Vetëm gjatë tre viteve të fundit janë paguar 23 miliardë lekë në tatim-taksa si kontribut direkt në Buxhetin e Shtetit. Ndërkaq, 135 milionë euro është efekti pozitiv indirekt në Buxhet përmes reduktimit të mbështetjes buxhetore për sektorin dhe çlirimin e garancive sovrane në 2013-2017”, u shpreh Gjiknuri.
Sipas tij, në 2016, niveli i humbjeve u reduktua në shifrën rekord prej 28.04% ndërsa në vitin 2013 u gjet jo pak por 45%. Operatori i Shpërndarjes arkëtoi për vitet 2015-2016 shumën totale prej 126 miliardë lekë ndërsa tre vite më parë mblidheshin vetëm 38,3 miliard. Arkëtimi i faturave korente nga 66.7% që ishte në 2013, vitin e fundit u arrit në 86.6%. Totali i arkëtimeve për vitin 2016, përfshirë edhe kamatat, arrin në 93.8%.
Detyrimet e të tretëve ndaj OSHEE-së, pra rikuperimi i gjendjes së debisë përfshirë kamatat, ka ardhur në rënie. Nëse në vitin 2013 ato ishin 117.8 miliardë lekë, në vitin e fundit u mbyllën me 105.2 miliardë lekë.
Borxhi i OSHEE-së ndaj KESH, OST dhe palëve të tjera të treta nga 99.9 miliardë lekë që ishte në vitin 2013 është ulur tashmë në 93.6 miliardë lekë.
/monitor/