Gentiana Sula: Jemi gati për t’u dhënë informacion institucioneve publike, nëse duan të dhëna për pastërtinë e figurës
Ka nisur hapja e dosjeve të Sigurimit të Shtetit. E para dosje që u hap sot në ambientet e Ministrisë së Mbrojtjes, ku dhe është paraqitur struktura e Autoritetit për Informimin në Dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, ishte e Musine Kokalari.
Kryetarja e Autoritetit për Informimin në dokumentet e ish-Sigurimit të Shtetit, Gentiana Sula deklaroi: “Jemi bërë gati dhe kemi prioritet t’u japim informacion institucioneve publike, nëse duan informacion për pastërtinë e figurës”. Më tej ajo u shpreh që janë marrë tre kërkesa për pastrimin e figurës.
“Me Ambasadën Amerikane kemi hedhur hapat e parë për bashkëpunimin në kulturë, sidomos për komunizmin. Së pari, jemi bërë gati dhe kemi prioritet t’u japim informacion institucioneve publike, nëse duan informacion për pastërtinë e figurës. Sot kemi marrë tre kërkesa për pastrimin e figurës.
Së dyti, japim informacion për familjarët e personave të dënuar ose ata vetë. Kemi marrë një kërkesë për Musine Kokalarin dhe ndihemi mirë që është ajo e para. Po ndërtojmë një projekt të mirë për dixhitalizimin e plotë. Ky do të jetë një institucion i kujtesës”, tha Sula.
Një nga familjaret e Kokalarit e pranishme në këtë aktivitet u shpreh që kjo është një dhuratë e çmuar që do t’i bëhet Musinesë në 100-vjetorin e lindjes me 10 shkurt.
“E para dosje që hapet Musine Kokalari. Jo vetëm hapja. por edhe dorëzimi i plotë më 10 shkurt që është 100 vjetori i lindjes së Musine Kokalarit. Një dhuratë e pazakonte. Është momenti që ajo të listohet në rreshtin e figurave më të shquara të kombit shqiptar”, u shpreh e afërmja e Kokalarit.