Nga Ilir Babaramo
Kolegu im i dikurshëm tek Koha Jonë nuk më befasoi as këtë herë. Henri Çili vendosi të mbajë të njëjtin qëndrim publik në favor të qeverisë së radhës. Ashtu si në 21 Janar, si për Gërdecin në kohën e qeverisë së Berishës, ashtu dhe në favor të Ramës për ligjin e plehrave. Jetojmë në një vend ku Kushtetuta garanton lirinë. Mënyra si vendos të shpallë publikisht qëndrimet e tij është për t’u vlerësuar. Tek e fundit nuk fshihet, nuk i bishtnon realitetit, por del hapur dhe thotë të vërtetën e tij. Por a ka të drejtë në ato që thotë?
Në debatin që ka shpërthyer së fundi për lirinë e medias, Çili u shpreh se ata që e sulmojnë janë kundër lirisë, kundër kapitalit, se është e drejta e pronarëve të medias të vendosin për linjën editoriale. Megjithatë Çili nuk i jep përgjigje pyetjes: Si shpegohet që në janarin e vitit 2017, si krejt rastësisht gjithë televizionet dhe gazetat kanë një linjë editoriale pro qeverisë? Si shpegohet? Për çfarë arsyesh ideologjike mediat që ishin tepër kritike me Ramën para qershorit 2013 tani janë më fanatiket në favor të qeverisë? Çfarë ka ndodhur?
Çili është një njohës i mirë i politikës dhe shtypit francez. A e imagjinon ai që gazeta 150 vjeçare “Le Figaro” të ndryshojë linjën e saj editoriale brenda natës? Që pronari i saj, Serge Dassault të shpallë linjën e re editoriale: do mbështesim qeverisjen e Hollande, sepse është reformator dhe meriton një mandat të dytë. Diçka e paimagjinueshme për opinionin francez, pasi “Figaro” njihet publikisht si një gazetë e djathtë, ka lexuesit e saj tradicionalë, linjën e saj tradicionale editoriale dhe çdo gazetar që nis punë aty e di që po shkon të luftojë për bindjet e tij. Gjatë 17 viteve që në Elyse ishin dy presidentë të djathtë, Shirak dhe Sarkozi a pati ndonjë ditë të vetme që gazeta “Liberation” të kishte linjë editorale në favor të dy presidentëve? E paimagjinueshme. Nëse ia bën këtë pyetje një gazetari francez të shikon si të lojtur. Kurrë nuk ndodh që ylberi të kapërcehet brenda natës. Dhe linja editoriale kurrë nuk është surprizë për gazetarët. Megjithatë Çili i shmanget pyetjes: Si shpegohet që sot gjithë mediat dhe gazetat kanë linjë editoriale në favor të qeverisë? Rastësi? Çili nuk ka përgjigje për pyetjen se si të gjithë pronarët që deri në qershorin 2013 talleshin me Ramën, sot janë servilët më të mëdhenj të tij?
Themelet e shtypit shqiptar janë ndërtuar keq qysh në fillim të viteve 2000: sipas parimit “një ndërtues, një gazetë”. A imagjinohet kjo në një vend të lirë, supozojmë në SHBA? Në vendin me lirinë më të madhe dhe ekonominë më liberale, çdo gjë ndahet dhe përcaktohet në dy bursat. Janë Nasdaq dhe Dow Jones. Në njërën janë kuotuar kompanitë që i përkasim industrisë së naftës dhe industrisë së armatimit, ndërsa në tjetrën kompanitë e High Tech dhe farmaceutike. Njëra mbështet republikanët e tjetra demokratët. Në bursë ndahen dhe gazetat me të njëjtin rreshtim. Dhe pronarët e mediave ndjekin këtë linjë editoriale, të cilin nuk e ndryshojnë në varësi të banorit të radhës së Shtëpisë së Bardhë. Dhe tek e fundit nuk kanë mundësi teknike ta bëjnë, sepse mediat kanë bord aksionerësh, të cilët i bashkon e njëjta filozofi. Ata zgjedhin një publisher, i cili cakton drejtorin e medias. Mbi të gjitha linja editoriale nuk është ad nominem. Çili është një njeri i kultivuar, por besoj ndjen krupë, kur shikon se shumica e botuesve të tjerë janë ca injorantë me leksik që nuk i kalon 300 fjalë që marrin drejtorët në telefon dhe u thonë: sot jemi qendër e majtë, ndërsa nesër i kërkojnë ktheje pak timonin më majtas. Dhe kjo në varësi të drekës së fundit apo premtimit të radhës. Sigurisht, media në botë përdoret jo vetëm për të informuar, por dhe për të lobuar. Lobimi bëhet për çështje të natyrës strategjike të ekonomisë; jo për të marrë një lejë ndërtimi apo një legalizim, pasi ky nuk është lobim, është gjobvënie.
Nëse ka një chantre të ekonomisë liberale në Shqipëri, ky është Henri Çili. Por, në betejën e fundit të tij përdor argumenta që dhe komunistët Cipras dhe Melonsho nuk i përdorën, sepse që të dy e pranojnë ekonominë e tregut. Nuk e di se për llogari të kujt Çili kërkon të krijojë diversion në komunitetin e gazetarëve. Çili thotë se problemi i medias nuk janë pronarët, por gazetarët e shumëpaguar. “Ka një solidaritet si mes esnafëve”, thotë ai. Përpiqet ta paraqesë tregun e punës si në mesjetë, si një pazar të mbyllur, por nuk është ky realiteti. Emisionet në televizionet shqiptare nuk janë si qeleshepunuesit e tregut artizanal të Krujës. Eshtë një treg i matshëm. Në shumicën e rasteve gjithkush paguhet për aq sa prodhon. Dhe matja më e mirë është reklama që kompanitë private paguajnë për këto emisione. Nëse emisionet që mbulojnë shpenzimet mbyllen, atëherë krijohet bindja se pronari e ka përdorur gazetarin si monedhë shkëmbimi me qeverinë.
Hilja më e madhe e Çilit në daljet e tij në publik është diku gjetkë. Me shumë të drejtë mbron tezat e Reganit dhe të Theçerit, por bëhet tërësisht jo bindës, kur në emër të lirisë së tregut mbron oligarkët shqiptarë dhe pazaret e tyre me qeverinë e radhës. Nuk mund të krahasohet Theçer me Nursulltan Nazarbajev. Sepse, oligarkët shqiptarë, ata që morën konçensionet nga Berisha dhe po i shtojnë nga Rama janë e kundërta e konkurencës. Ata kanë kapur për fyti ekonominë shqiptare, përdorin lidhjet me politikën dhe me pronësinë e shpallur dhe të pashpallur në media, për të dëbuar në mënyrë okulte nga tregu konkurrentët. Tregu i lirë, pa ndërhyrjet diskriminuese të qeverisë, është ajo që thonë Regan e Theçer. Në të kundërt, nuk kemi ekonomi liberale si në vendet me kulturë protestante apo anglosaksone, siç ka qejf Çili të thotë. Kemi një ekonomi klienteliste si në ato republikat ish-sovjetike që të gjitha kanë prapashtesën stan.
Çili thotë se vendosi të kërkojë publikisht një mandat të dytë për Ramën, se kryeministri tani është bërë liberal. Në fakt, Basha ka shpallur programin më liberal për ekonominë: taksë e sheshtë 9 për qind dhe TVSH 15 për qind. Premtime më liberale vështirë se gjen, ku e ku më të avancuara se të Ramës. Mua më duken utopi, por Basha ka shqiptuar pikërisht ato ide që ideologu i dikurshëm i tij Henri Çili nuk rreshte së trumbetuari në çdo studio. Pra, nëse do ishte për ide Çili s’kishte përse të kalonte ylberin. Do ishte më bindës me publikun dhe më i qetë me ndërgjegjen, nëse do t’i qëndronte thirrjes publike që bëri ditën e zgjedhjeve: “Djathtas!”. Ai i di vetë llogaritë e tij. Por, pak kohë në opozitë do t’i binte mirë për të kthjelluar idetë. Çili duhet ta kuptojë se ata që e kundërshtojnë e kanë vështirë të gëlltisin realitetin e sotëm. Pse të gjitha mediat dhe gazetat që ishin me Berishën sot janë kthyer me qeverinë? Ai ka e të pamundur t’i japë përgjigje pyetjes: Si shpegohet kjo “rastësi”, ku të gjitha mediat dhe gazetat janë sot në krah të qeverisë?